Agresioni i Putinit mbi Ukrainën ka në të vërtetë një objektiv të dyfishtë: në politikën ndërkombëtare dhe në atë të brendshme ta imponojë dhunën ushtarake e policore si mjet për të penguar procese politike demokratike jo vetëm brenda Rusisë, por edhe te vendet që janë bërë të pavarura me shembjen e Bashkimit Sovjetik. Element kyç i kësaj politike e ideologjie janë gënjeshtrat dhe mohimi radikal i krimeve që i praktikon
Një pjesë e konsiderueshme e analizave të luftës së sotme në Ukrainë përqendrohet te roli i presidentit të Rusisë dhe sundimit të tij prej dy decenieve. Michel Eltchaninoff, eseist francez dhe kryeredaktor i revistës “Philosophie magazine” (Paris) është njohës i mirë i politikës së Putinit dhe ideologjisë së tij. Ai shkroi veç të tjerash edhe librat “Lenini ka ecur mbi hënë. Histori e çmendur e kozmistave dhe transhumanistave rusë” (Actes-Sud, 2022) dhe “Në kokën e Vladimir Putinit” (Actes Sud, 2015). Në librin e dytë ai analizon “formimin intelektual” të presidentit të Rusisë, i cili e shikon veten si ”një filozof me mision civilizues të Rusisë e po ashtu si një historian”. Autori është marrë në veçanti me shqyrtimin e arsyeve ideologjike që e kanë shtyrë Putinin ta sulmojë Ukrainën.
Në shkrimet e veta Eltchaninoff vë në pah se për Putinin pavarësimi i Ukrainës kishte qenë “një tragjedi” e shkaktuar nga “aksionet e qëllimshme të forcave, të cilat gjithherë kanë synuar ta thyejnë unitetin tonë”. Disa autorë kanë cekur se ai i ka përvetësuar idetë e filozofit rus Ivan Ilyne (1883-1954), i cili afirmonte nevojën për një “diktaturë kombëtare” e që kjo diktaturë do të duhej t’i kundërvihej “kaosit separatist” pas shembjes së komunizmit në BRSS. Eltchaninof cek se Putini qëmoti e shikonte Kievin si “nënë e qyteteve ruse”, sikurse princi Oleg në shekullin X. Ai synon ta rimëkëmbë “unitetin historik të rusëve dhe të ukrainasve”. Mirëpo, bindjet dhe pikëpamjet e presidentit rus mbajnë gjurmët e shtrembërimeve të fakteve dhe të ngjarjeve historike. Ai e ka përvetësuar një interpretim historik nga koha imperiale e shekullit XIX, e cila e vë një lidhje vazhdimësie hipotetike midis principatës së Kievit (IX-XIII) dhe origjinës së Rusisë bashkëkohore. Mirëpo, siç cek Elchaninoff, Rusia e Kievës ishte “një perandori shumë-etnike e jo një entitet sllav”. Kësodore, vizioni i Putinit del si një “rikonstruktim imperial”. Nocioni i ideologjisë këtu nënkupton një sistem të ideve me të cilat analizohet një realitet, por edhe me të cilin justifikohen praktikat politike.
Mirëpo, Ukraina, në fakt, e rizbulon identitetin e vet në shekullin XIX dhe bëhet republikë e pavarur në vitin 1919. Që nga shekulli XVIII mbretërit e Rusisë, prej Petrit I, ndalonin përdorimin e gjuhës ukrainase në shkolla e universitete e njëherësh edhe botimet e librave në këtë gjuhë. Uria e organizuar e Stalinit në vitet 1932-1933, për shkak të rezistencave dhe kundërshtimeve, si dhe vullnetit për t’u pavarësuar nga BRSS-ja; e fiton pavarësinë më 1991. Pastaj shpërthen Revolucioni Portokalli më 2004 dhe protestat e forta në Maidan 2013-2014, ku manifestohet vullneti për pavarësi politike të Ukrainës. Autori shton se Putini më 21 shkurt 2022 e zhvillon një ligjëratë publike në televizion, në të cilën thekson se në debatin midis Leninit dhe Stalinit, i pari vuri një “bombë bërthamore” nën themelet e BRSS-së duke ua dhënë republikave të drejtën për vetëvendosje, ndryshe nga Stalini.

Kundër qytetërimit perëndimor
Pak para invadimit të Ukrainës, Putini përkujtoi publikisht intervenimin e NATO-s kundër Serbisë me fjalët që shprehin përjetimin e një fyerjeje madhore. Pikërisht kur zhvillohet intervenimi i NATO-s kundër Serbisë ai ishte duke u përgatitur për inaugurimin për kryeministër dhe e shikon atë si “ngjarje e cila rrumbullakon sundimin perëndimor postsovjetik”.
Edhe Përvjetori i paaftësisë ruseLidhur me “rrënjët ideologjike të putinizmit” Eltchaninov merr parasysh katër shtylla: neosovjetizmin, slavofilinë, euroaziatizmin dhe konzervativizmin. Sipas autorit, ai ishte i ndjeshëm ndaj “patriotizmit sakrifikues të sovjetizmit”. Sovjetofilizmi i tij përbëhet nga një mitologji mbi Luftën e Dytë Botërore, një apologji e pushtimit të hapësirës kozmike dhe me kundërvënie ndaj botës perëndimore.
Nga sovjetofilët Putini veçon Nikollai Danilevskin (XIX), autorin e librit “Rusia dhe Evropa” (1869), i cili ia shton sllavofilisë burimore idenë e “një zhvillimi organik të Rusisë” dhe të një konfrontimi të paevitueshëm me Perëndimin. Perëndimi cilësohet, sipas tij, me sundimin e ligjit, epërsinë e tregtisë dhe me një formë të materializmit; këto tipare dalin si të kundërta me Rusinë, e cila shikohet si e mbrujtur nga një “krishterim mesianik dhe një spiritualitet.” Autori saktëson se dy vektorët e putinizmit janë apologjia e luftës dhe besimi në një “themel biologjik të civilizimit sllav”. Putini ka qenë i ndikuar edhe nga Konstantin Léontiev (1883-1891), autor konservator, i cili e shikon Evropën moderne si një “katastrofë antropologjike”, e cila ka hyrë në dekadencë qysh nga Rilindja (shek. XIV-XVI).
Eltchaninoff mendon se pas rizgjedhjes së tij më 2012 Putini kishte nevojë për mjete ideologjike për ta fituar aderimin e popullit rus rreth tij. Ai kritikon martesat midis personave të një gjinie. Kundër “ofensivës liberale” Rusia duhet, sipas tij, të afrojë e t’i tubojë konservatorët e gjithë botës, të bëhet poli botëror i konservativizmit. Ai ka kërkuar mbështetje edhe te rryma e evroazizmit, e lindur në vitet 1920 tek autorët rusë të emigruar në Evropë, në veçanti në Pragë dhe në Sofje. Për përfaqësuesit e kësaj rryme, Rusia s’ka asgjë të përbashkët me Evropën Perëndimore, por ka afërsi me popullsitë aziatike, myslimanët, sllavët dhe popujt turkofonë që përbëjnë “një simfoni specifike”.

Autokrati i dëgjon vetëm fantazmat e veta
Putini është i bindur se Rusia ka një pjekuri dhe një superioritet të cilin duhet ta mbrojë dhe ta ruajë. Autori vë në pah se Putini është i mbyllur brenda ideologjisë së vet; luftën në Ukrainë ai e shikon si luftë të qytetërimeve, midis konservativizmit tradicionalist dhe modernizmit perëndimor. Në fjalimin e 21 shkurtit ai thekson se “ata s’na durojnë ngase ne ekzistojmë”. Ai e sheh një dallim fondamental midis dy civilizimeve.
Editorialisti i së përditshmes prestigjioze franceze “Le Monde”, Alain Frachon, specialist i çështjeve gjeopolitike, zhvillon tezën se politika e Putinit nuk është “prodhim i zgjerimit të NATO-s apo e përbuzjeve të Perëndimit“. Ai mendon se për ta kuptuar luftën e Rusisë në Ukrainë duhet kuptuar “personazhin e Putinit meqë kjo është luftë e tij“. Ndërkaq, në analizën e ideologjisë së presidentit rus ai veçon shpjegimin në saje të despotizmit: i mbyllur brenda atmosferës së gënjeshtrave të tij, autokrati, i bindur për superioritetin e vet intelektual, tani e tutje i dëgjon vetëm fantazmat e veta”. Ai dëshiron të jetë “cari i kohëve moderne”, lideri i cili “do ta rimëkëmbë Rusinë në tërësinë e saj”. Janë këto shprehje të agjencisë zyrtare “Novosti” në artikullin ku paralajmërohet, në fund të fronit, pushtimi i Ukrainës nga trupat ruse. Këto shpjegime e interpretime ishin në kundërthënie së pari me realitetin e rezistencës së ukrainasve; mirëpo ai e ka “realitetin e vet alternativ”.
Disa vrojtues i përshkruajnë reagimet e Putinit si reagim ndaj aksioneve dhe qëndrimeve të botës perëndimore: ai del si i fyer dhe i lënduar. Mirëpo, Frachon e konteston këtë tezë duke përkujtuar disa vendime të rëndësishme të vendeve perëndimore karshi Rusisë: më 1992 është SHBA-ja ajo që bën presion që Rusia të hyjë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Kësisoj Rusia do të merrte miliarda dollarë huazime afatgjata gjatë viteve. Asaj po kështu iu çelen dyert e Këshillit të Evropës më 1996, pastaj ato të G7-s. SHBA-ja e mbështet njëherazi Rusinë gjatë krizës së saj monetare me rublën; edhe BE-ja e ndihmon financiarisht me vite. Vendet perëndimore po kështu ia ofrojnë Rusisë partneritetin me NATO-n që nga viti 1991.
Edhe Katër mësime prej katër vjetëve agresioni rusDisa thonë se Rusia e ka përjetuar vështirë intervenimin e NATO-s në Kosovë, ndonëse vendet perëndimore me atë aksion arritën të ndalin gjenocidin e Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës. Në anën tjetër, më 2014, Rusia intervenon dhe e pushton Krimenë dhe Donbasin, me arsyetime që i takojnë regjistrit të propagandës dhe trillimeve, duke e shkelur sovranitetin e Ukrainës.
Frachon thekson po kështu se shkolla neorealiste në politikën e jashtme në SHBA, duke u dhënë epërsi raporteve të forcës midis shteteve, kritikon qëmoti qëndrimin e udhëheqësve amerikanë. Përfaqësuesit e kësaj shkolle mendojnë se politika e bashkëpunimit e SHBA-së dhe BE-së me Ukrainën, ka qenë “një provokim për Moskën”. Sipas saj, Rusia ka të drejtë në një rreth të sigurisë – i përbërë nga vendet me të cilat ka pikëtakime historike e kulturore; ato vende “do të duhej të pajtoheshin” se kanë sovranitet të kufizuar. Pra, situata e Ukrainës e përcakton fatin e saj politik; ajo duhet të pajtohet me “një formë të vasalitetit”. Sipas neorealistëve, klasa politike e Ukrainës është dashur ta kuptojë se ka sovranitet të kufizuar.
John Mearsheimer, përfaqësues i asaj shkolle, mendon se duhet marrë parasysh interesat e sigurisë të Rusisë, por jo edhe të fqinjëve të saj (!?). Ai supozon se Putini cilësohet me një “racionalitet të zhvilluar” dhe se “ai e kupton se nuk mund ta pushtojë Ukrainën dhe ta integrojë atë brenda Rusisë së madhe si riinkarnim i ish-BRSS-së”. Këto reshta, studiuesi i Universitetit të Chicagos i kishte shkruar disa ditë para se Putini ta sulmojë Ukrainën. Frachon mendon se problemi i neorealistëve qëndron në faktin se “ata mendojnë se Putini mendon si ata ”. Neorealistët kësodore e nënçmojnë forcën e ideologjisë. Putini ishte i bindur se shumica e ukrainasve mendojnë si ai vetë. Ai ka thënë dhe ka shkruar se Ukraina nuk ekziston, se ajo është pjesë e Rusisë. Për Putinin manifestimet për demokracinë që nga viti 2000 s’janë asgjë tjetër veç “manipulime të CIA-s”, prandaj ai “nuk është në gjendje ta imagjinojë rezistencën heroike të ukrainasve përballë ushtrisë ruse”. Realiteti i mirëfilltë i Ukrainës i ikën Putinit si misionar i historisë, sikurse edhe realiteti i mirëfilltë irakian që u pati ikur neokonservatorëve të G.W. Bushit më 2003. Zaten, presidenti Putin nuk është në një pozitë defansive karshi Ukrainës, por në ofensivë në shërbim të restaurimit të Rusisë së madhe, siç e konfirmon edhe “Novosti”, agjencia e tij e lajmeve.
Putini ka vite që është i kapluar me synimin për ta ripërvetësuar Kievin si “djep i Rusisë”; synim të ngjashëm kishte edhe Milosheviqi me akademikët dhe shkrimtarët serbë lidhur me Kosovën: në të dyja rastet shkelet racionaliteti politik që e cilëson traditën e mendimit filozofiko-politik të Evropës. Stephen Kotkin, specialisti i shquar amerikan i Rusisë, në gazetën “New Yorker“ (3 mars), e vendos Putinin në një vazhdimësi politike ruse. Ai cek se agresori i Ukrainës “nuk është prodhim i zgjerimit të NATO-s e as i fyerjeve që perëndimi i paskësh bërë Rusisë ”. Kjo luftë, sipas tij, i takon një “permanence historike ruse”, një vullneti për ekspansion të “pangopshëm dhe misterioz” të një vendi, i cili megjithatë është shteti më i madh me hapësirë dhe potencialisht njëri nga më të pasurit. Vlen të saktësojmë se në këtë hapësirë s’ka vend për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, e as për mirëqenie ekonomike, me gjithë pasuritë e mëdha natyrore e nëntokësore që ai i ka. Një qeveritar i BE-së, së voni, e përshkroi Rusinë “si një stacion i pompave të benzinës dhe raketave bërthamore”.
Rezistencat e ukrainasve gjatë historisë
Anne Applebaum, specialiste e Evropës Qendrore e Lindore dhe njohëse e mirë e historisë politike të BRSS-së në Universitetin “John Hopkins“ (Maryland), mendon se perëndimorët nuk kanë dashur ta shikojnë me sy kritik regjimin e Putinit tani e 15 vjet. ”Ne kemi refuzuar të pranojmë se Putini ishte në luftë kundër perëndimit; për Putinin demokracitë perëndimore janë një “rrezik ekzistencial” jo për shkak të armëve të NATO-s, por ngase ai u frikësohet efekteve të idealeve të lirisë mbi regjimin e tij. Ai e ka pushtuar Ukrainën, ngase ky vend nuk e do modelin e tij të autokracisë kleptokratike. “Ne kemi besuar“, shton ajo, “se nuk do të ketë luftë dhe se ai nuk do ta sulmojë Ukrainën”.
Apellbaum ndriçon në mënyrë lucide historikun e rezistencës së ukrainasve. Në vitet ’30, në fakt, ukrainasit u rebeluan kundër shtetit sovjetik dhe politikës së nacionalizimit të pronave të fshatarësisë e njëherësh shtruan kërkesa politike që lidhen me të drejtat e popullit ukrainas. Autorja vë në pah se në letrat e Stalinit diktohet mllefi kundër formave të ndryshme të rezistencës që bënin ukrainasit kundër shtetit sovjetik. Për këtë arsye ai organizoi në vitet 1932-1933 konfiskimin e drithërave të Ukrainës dhe ”holomodor”-in: urinë artificiale e vdekjeprurëse për miliona ukrainas; këtë operacion Stalini e ndërmori me qëllim që t’i ndëshkojë rezistencat e tyre. Appelbaum saktëson se rezistenca e sotme e ukrainasve frymëzohet edhe me këtë kujtesë të terrorit stalinian mbi ta.
Edhe
Putini i bindur se Rusia do t’i arrijë objektivat ushtarake në Ukrainë
Studiuesit e politikës së Rusisë, nga vende të ndryshme, kanë nxjerrë në shesh se Putini, që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2000, ka vendosur një kontroll gjithëpërfshirës mbi shoqërinë civile të Rusisë, e njëherazi ka përqendruar në duart e veta që të tri pushtetet: ekzekutiv, ligjvënës dhe gjyqësor (sferën e së drejtës). Arrestimet dhe vrasjet e gazetarëve dhe veprimtarëve të shoqërisë civile që kritikonin regjimin, pengimi i protestave kundër politikës së tij autokratike dhe qeverisjes së tij, e cila ndrydh manifestimin e pluralitetit të opsioneve politike karakterizojnë rrjedhën e politikës së Putinit. Në fakt, regjimi i Putinit ka funksionuar në atë mënyrë që e ka bërë të pamundur një alternativë politike; madje edhe hapjen e disa shtigjeve politike nga Gorbachevi, ai i bllokoi me koncentrimin në duart e veta të të tri pushteteve. Gjasat që të adoptohen ligje, që mbrojnë në mënyrë efikase të drejtat dhe liritë e qytetarëve, që sfera gjyqësore të jetë e pavarur, janë shuar gradualisht. Kësodore, koncepcioni i tij politik është i përcaktuar me optikën e një policie politike, e cila e ngufat sferën politike dhe shoqërinë civile. Regjimi i Putinit gjatë viteve ka ndëshkuar dhe përndjekur ashpër bartësit, jo aq të shumtë në Rusi, e kritikave ndaj tij, qofshin gazetarë, deputetë apo këshilltarë në nivele të ndryshme të sistemit rus. Karakteri represiv i këtij regjimi i ka tiparet e regjimit komunist sovjetik, boshti kurrizor i të cilit ishte policia politike NKVD-ja, aktor i së cilës ishte Putini.
Është theksuar shpesh nga vrojtuesit e politikës së regjimit autokratik rus se ndryshimet politike, me tipare demokratike në Ukrainë, u bënë një kontestim dhe një kritikë nga jashtë e padurueshme për Putinin. Agresioni i Putinit mbi Ukrainën ka në të vërtetë një objektiv të dyfishtë: në politikën ndërkombëtare dhe në atë të brendshme ta imponojë dhunën ushtarake e policore si mjet për të penguar procese politike demokratike jo vetëm brenda Rusisë, por edhe te vendet që janë bërë të pavarura me shembjen e Bashkimit Sovjetik. Element kyç i kësaj politike e ideologjie janë gënjeshtrat dhe mohimi radikal i krimeve që i praktikon.