Nga epshi te Bugs Bunny, lepuri ka marrë kuptime të ndryshme përgjatë historisë, në folklorin botëror dhe simbolikën artistike. Është e saktë që kjo kafshë jashtëzakonisht enigmatike vazhdon t’i shmanget kuptimit. Sa më tej që ndjekim origjinën e lepurit të Pashkëve, aq më shumë ai zhduket në kufijtë e errët
Pashkët janë festë kristiane, që shënojnë ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimin në të Premten e Madhe. Por, prapë se prapë ajo simbolizohet nga një lepur veshëpërpjetë, me dy dhëmbë të mëdhenj, i cili shpërndan vezë. Prej nga buron në të vërtetë tradita e lepurit të Pashkëve?
Të nxjerrësh një përgjigje nuk është edhe aq e lehtë siç mund të duket, kërkimet mund të na çojnë përballë disa dilemave. Tri tregime për lepurin zënë vend nëpër mitologjinë dhe religjionet e botës: lepuri simbolizon sakrificën, lidhjen mistike me hënën dhe marrëdhënien me pjellorinë. Gjurmimi do të përfshijë si lepujt e vegjël, ashtu edhe lepujt e mëdhenj kur shqyrtohet folklori dhe historia e artit, ndonjëherë është e vështirë t’i dallosh midis të dyjave. Ata janë të dy pjesë e rendit taksonomik Lagomorpha dhe familjes Leporidae dhe shpesh janë trajtuar në të njëjtën mënyrë nga religjioni, legjendat dhe në kultura vizuale.

A janë të lidhur lepujt me Pashkët për shkak të faktit se ata shpesh janë konsideruar të shenjtë? Lepujt u nderuan në mitologjinë kelte dhe portretizohen si mashtrues të zgjuar në mitet e fiseve vendase amerikane, përfshirë Michabo dhe Manabush. Tregime të ngjashme mund të gjenden në përralla të Afrikës Qendrore dhe në figurën përkatëse të Br'er, heroit të fundit të dinakërisë. Është e pamundur të mos shohësh filma vizatimorë me lepuj, përfshirë Bugs Bunny, të cilët gjithashtu ndjekin këtë traditë të lashtë të dinakërisë së kësaj kafshe. Sipas folklorit në Mbretërinë e Bashkuar, shtrigat mund të shndërrohen në lepuj dhe në shumë kultura ata shihen si pararuajtës të fatit të mirë dhe të keq. Lepujt janë vrapues të shpejtë dhe të shkathët, gjë që mund të arsyetojë perceptimin e përgjithshëm të tyre si dinakë, misteriozë dhe të errët.

Si dëshmi e kësaj pikëpamjeje është edhe fenomeni magjepsës transnacional i simbolit “tre lepujt”. Në të paraqiten tre lepuj që vrapojnë në një rreth të pafundmë me veshët e tyre, të cilët, teksa preken me njëri- tjetrin, formojnë një trekëndësh. Mund ta shihni tek përdoret nëpër kisha të shumta mesjetare të Britanisë së Madhe – në South Tawton (Devon), Long Melford (Suffolk), Cotehele (Cornwall), Katedralja e Shën Davidit në Pembrokeshire dhe Katedralja Chester. E konsideruar prej kohësh ikonë vendase për studiuesit britanikë, më vonë ajo u gjet edhe nëpër gjithë Evropën, në katedrale dhe sinagoga të Gjermanisë, në kishat famullitare franceze – por edhe në artefakte e gjetura në Siri, Egjipt, në Pakistan, të cilat datojnë që nga shekulli IX pas Krishtit.
Shembulli më i hershëm mund të gjendet në Shpellat Dunhuang në Kinë, një vend i shenjtë budist i ndërtuar në shekullin VI pas Krishtit. Ajo që të tërheqë te simboli “tre lepujt” ka të bëjë me iluzionin optik që krijohet kur e shohim, individualisht çdo lepur ka dy veshë, por në të duket sikur janë vetëm tre. Arsyeja pse u shpërnda kaq gjerësisht është ndoshta për shkak të tregtisë ndërkombëtare në mijëvjeçarin e parë të Erës sonë. Së bashku me shumë simbole të tjera artistike të cilat u përhapën në atë kohë, ka të ngjarë që shfaqej nëpër objekte që bliheshin, shiteshin dhe eksportoheshin përgjatë Rrugës së Mëndafshit, e cila lidhte Evropën me Azinë.
Besohet se simboli nënkupton mbarësi dhe ringjallje përmes përbërjes ciklike dhe formave të mbivendosura. Temat e përtëritjes dhe rilindjes duken se lidhen me mesazhin e Pashkëve. A mundet që lepuri i Pashkëve të burojë nga ky simbol i lashtë budist?
Simboli “tre lepujt” besohet se buron nga një përrallë në Jatakas (përralla për jetën e Budës) për “lepurin e vetëmohimit”. Në këtë histori, lepuri është mishërim i mëparshëm i Budës historik, Siddhartha Gautama. Ai është aq bujar dhe i devotshëm, saqë kur takon një prift të uritur, vetëflijohet duke u hedhur në zjarr për t’ia siguruar atij një vakt. Si shpërblim për virtytin e tij, imazhi i lepurit u hodh në hënë. Kjo histori dhe shoqëritë hënore të lepurit në përgjithësi, ndoshta burojnë nga religjionet shumë më të lashta të Indisë. Hëna me të vërtetë ka një shenjë në sipërfaqen e saj, e cila duket (me pak imagjinatë dhe përqendrim të syrit) si një lepur.

Lepuj që banojnë në hënë dhe të tillë duke shikuar hënën, paraqiten në kulturat vizuale të Kinës, Japonisë dhe Koresë. Traditat taoiste në Kinë dëshmojnë një përrallë për një lepur që banon në Hënë, i cili grumbullon së bashku përbërësit e eliksirit të jetës. Kultura indigjene e Amerikës Veriore dhe Qendrore ka mite shumë të ngjashme që lidhin lepujt me hënën, mbase sepse ata zbuluan gjithashtu shenja lagomorfe në sipërfaqen hënore. Duket se lepuri është një krijesë e nderuar, sinonim i fuqive qiellore dhe përtëritjes jo vetëm për Pashkët katolike, por në mbarë botën.
Lepujt dhe pjelloria
Edhe pse simbolika dhe fabulat e kafshëve nga Lindja kanë hyrë në ikonografinë evropiane, origjina e lepurit të Pashkëve mund të jetë më afër. Shumica e simboleve të krishtera rrjedhin nga burimet biblike, megjithëse disa mbijetuan nga kulturat e artit të Greqisë dhe Romës antike.

Bibla ka qëndrime të përziera ndaj lepujve. Diku ato përmenden si kafshë të papastra. Megjithatë, në psalmet dhe fjalët e urta ata përshkruhen si posedues të njëfarë inteligjence, megjithëse në fund të fundit dënohen si të dobët.
Ajo që i magjepsi më shumë shkrimtarët e lashtë grekë dhe romakë te lepujt ishte shumëzimi i tyre. Aristoteli (384-322 para Krishtit), për shembull, vuri në dukje se si lepujt mund të rriteshin me shpejtësi të jashtëzakonshme. Një shkrimtar tjetër me ndikim, Plin Plaku (23-79 pas Krishtit) besonte gabimisht se mënyra e riprodhimit të tyre vinte për shkak të faktit se lepujt ishin hermafroditë dhe se lindja e fëmijëve bëhej edhe nga meshkujt edhe nga femrat. A mund të lidhet lepuri i Pashkëve me këtë ide klasike të pjellorisë, e përdorur për të shprehur përtëritjen dhe pjellorinë e pranverës?
Gjatë periudhës së Mesjetës dhe Rilindjes, në varësi prej kontekstit, lepujt mund të ishin ose simbole të pastërtisë ose seksualitetit të pakufishëm.
Aftësitë e tilla mahnitëse në riprodhimin biologjik sigurisht që patën një ndikim në simbolizmin evropian. Në artin mesjetar dhe të Renesancës, lepujt përfaqësoheshin shpesh përkrah Venusit, perëndeshës së lashtë romake të dashurisë dhe seksualitetit. Epshi është një nga shtatë mëkatet vdekjeprurëse dhe kur artistët e përshkruanin atë në formë alegorike (“Luxuria”), ndonjëherë merrte formën e një gruaje me një lepur.
Autori romak Aelian (rreth 175 – rreth 235 pas Krishtit) sugjeroi se lepujt ishin të aftë për të ngjizur një embrion të ri teksa janë shtatzënë. Njerëzit u tallën për një kohë të gjatë me këtë gjë, por studimet e fundit shkencore kanë vërtetuar se lepujt janë me të vërtetë të aftë për një gjë të tillë. Aeliani dhe vëzhguesit e tjerë të këtij fenomeni besonin se lepujt mund të lindnin pa çiftëzim. Pra, çuditërisht, në periudhat mesjetare dhe të Rilindjes, lepujt mund të ishin ose simbole të pastërtisë ose seksualitetit të pakufishëm, varësisht prej kontekstit.

Përvetësimi në ikonografi
Kjo mund të vërehet edhe kur krahasojmë “Madonën e lepurit” (1520-30) të qetë dhe të ndritshme të Titianit me “Alegory of Luxuria” (1426) magjepsëse të Pisanellos. Në pikturën e Titianit, lepurushi i bardhë i pastër është simbol i virgjërisë së Marisë. Në vizatimin e Pisanellos, lepuri simbolizon shthurjen.
Në kulturat e shkëputura, këto tipare biologjike të lepujve gjithashtu nxitën ndërlidhjen me pjellorinë. Në mitologjinë azteke, ekzistonte një besim në “Centzon Tōtōchtin” – një grup prej 400 lepujsh të perëndishëm për të cilët thuhej se organizonin festa të dehura për të festuar bollëkun.
Edhe brenda Evropës, shoqëri të ndryshme i përdornin lepujt si ikonë të pjellorisë dhe i lidhnin me hyjnitë e riprodhimit. Sipas shkrimeve të Bedëve të Nderuar (673-735 pas Krishtit), një hyjni anglo-saksone e quajtur Ēostre shoqërohej nga një lepur, sepse ajo përfaqësonte përtëritjen dhe pjellorinë e pranverës. Festimet e saj u zhvilluan në prill dhe zakonisht besohet se përmes Ēostres ne kemi marrë emrin për Pashkët, si dhe ndihmësin e saj lepur. Nëse kjo është e saktë, do të thotë se shumë kohë më parë, ikonografia e krishterë përvetësoi dhe adoptoi simbole nga fetë e vjetra pagane, duke i përzier me të sajat.
A e mbyll kjo çështjen për origjinën e lepurushit të Pashkëve? Problemi me përpjekjen për të dhënë një përgjigje përfundimtare është mungesa e provave. Përveç Bedes, nuk ka asnjë lidhje të qartë midis Ēostres dhe Pashkëve dhe Bede nuk mund të konsiderohet një burim i drejtpërdrejtë i fesë anglo-saksone, sepse po shkruante nga një këndvështrim i krishterë. Ndonëse mund të duket e mundshme, lidhja e tyre nuk mund të vërtetohet kurrë sigurt.
Shumë më ndryshe nga “Liza në botën e çudirave”, lepurin e bardhë nuk mund ta kapni kurrë tamam. Përmes historisë, lepujt janë parë si të shenjtë dhe mishërim i dinakërisë. Ata kanë qenë të lidhur me pastërtinë enigmatike të hënës, me pastërtinë dhe fuqitë superlative të pjellorisë. Është e saktë që kjo kafshë jashtëzakonisht enigmatike vazhdon t’i shmanget kuptimit. Sa më tej që ndjekim origjinën e lepurit të Pashkëve, aq më shumë ai zhduket në kufijtë e errët, duke ngacmuar dëshpërimin tonë për një përgjigje logjike të një enigme çuditërisht komplekse.
Marrë nga BBC. Përktheu: Mirjetë Sadiku.