Shtojca për Kulturë

“Kufiri i kuq” midis shqiptarëve armiq të njëri-tjetrit

Dokumentari "Kufiri i kuq: T'huej mes t'vetve!" me skenar të Admirina Peçit

Dokumentari “Kufiri i kuq: T’huej mes t’vetve!” me skenar të Admirina Peçit nën regji të Rezart Shehut ka rikthyer në Prishtinë një kapitull të trishtë të ndarjes midis shqiptarëve

Ishte kufiri që shqiptarët nuk i ndante vetëm fizikisht. Për gati gjysmë shekulli, ndau letërsinë, artin e kulturën në përgjithësi. Kush provonte ta kapërcente, dënohej keqas. Ishte “kufiri i kuq” i komunizmit që lahej me gjak. Shqiptarët u tëhuajtën prej njëri-tjetrit. U shndërruan edhe në armiq. Disa guxuan edhe ta kapërcejnë. Dokumentari “Kufiri i kuq: T’huej mes t’vetve!”, sjell rrëfimet e dorës së parë për atë periudhë

Dokumentari “Kufiri i kuq: T’huej mes t’vetve!” fakton ndarjen për afër gjysmëshekulli të artit e letërsisë shqipe si pasojë e regjimit totalitar komunist. Aty shtjellohen persekutimet, zhvillimi dhe kontrolli në krijimtarinë e autorëve, sikurse edhe guximi i tyre për të kaluarën kufirin që shënonte izolimin total të shtetit të Shqipërisë. 

Shumë shkrimtarë patën guximin të shkruajnë, e botuesit të botojnë. Këto personazhe janë edhe protagonistë në dokumentarin me skenar të Admirina Peçit nën regji të Rezart Shehut. 

Në “Kino Armata”, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të poezisë “Republika”, “Kufiri i kuq…” u vlerësua si dëshmi e ndarjes 45-vjeçare e artit dhe letërsisë shqiptare dhe si homazh për ata që u përndoqën dhe u persekutuan për veprimtarinë e tyre. Ky rrëfim ka hapur edhe edicionin e shtatë të festivalit, të premten pasdite, e që vjen me simbolikë në Ditën e Pavarësisë. 

Krejt në fillim të dokumentarit, në hyrje, ish-udhëheqësi Enver Hoxha përmendet si “shitës i kombit”. 
Poeti Primo Shllaku e nis rrëfimin me deklaratën e tij se historia e Shqipërisë dhe Kosovës u ndal me mbylljen e kufirit. Se krijimtaria, kultura, teatri, arti vizual, pësuan ndarje. 

Shkrimtari e botuesi Nazmi Rrahmani, duke e kujtuar atë periudhë, thotë se atë kohë lexuesit në Kosovë nuk kishin qasje në literaturën e Shqipërisë dhe anasjelltas. 

“U ndërpre gjithçka, u vendos vijë e kuqe midis dy shteteve. Ajo vijë ishte e dëmshme dhe e rrezikshme, sepse kur u shkëputën shqiptarët ndodhi jo vetëm shkëputje midis shqiptarëve, por edhe midis krijimtarisë”, thotë Rrahmani në dokumentar. 

Studiuesi Behar Gjoka në rrëfimin e tij thotë se krijuesit nga Kosova, “duke kërkuar të shpëtonin nga skllavëria sllave arritën të sillnin jo pak prurje gjuhësore e letrare”. 

E botuesi Mehmet Gëzhilli rrëfen se si botonin fshehurazi. Sipas tij, “rezistenca e Kosovës i qëndronte zot Shqipërisë”. 

Shkrimtari Rrahmani rrëfen se lëvizjet e shkrimtarëve dhe artistëve nga dy vendet kishin filluar vetëm pas përmirësimit të marrëdhënieve midis ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Tregon edhe vizitën në “kufirin e kuq” pas shumë vitesh. 

“Më 1970 u botua në Shqipëri romani im ‘Malësorja’ dhe një përmbledhje me poezi. Në vitin 1971 me ftesë nga Lidhja e Shkrimtarëve, promovuam romanin. E vizituam Shqipërinë. Ishte vizitë e paimagjinueshme sepse e kaluam kufirin e kuq”, tregon shkrimtari Nazmi Rrahmani në dokumentarin “Kufiri i kuq...”. 

Skenaristja e dokumentarit, Admirina Peçi, ka thënë se ia kanë vënë këtë titull sepse në Shqipëri, shqiptarët e Kosovës nuk e ndienin veten si në atdhe. 

“E kemi titulluar sepse trajton temën që shqiptarët e Kosovës ishin të huaj kur shkonin në Shqipëri dhe të Shqipërisë kur vinin në Kosovë. Ishte një periudhë ku ata asnjë nuk e ndienin veten si në atdheun e vet për shumë dekada, që prej 1945-tës, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vitet e fundit”, ka thënë ajo. 

Peçi ka shpjeguar se në dokumentar rrëfehet edhe mënyra e zhvillimit të jetës shoqërore pas vendosjes së kufirit. 

“Dokumentari nis menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ku u vendos kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, pjesës së Maqedonisë, pra gjithë shqiptarët mbetën jashtë kufirit. Trajton kulturën, letërsinë, artet, por edhe jetën shoqërore që po zhvillohej ndryshe tash me vendosjen e këtij kufiri. Vendosja e këtij kufiri diktoi edhe se si do të zhvilloheshin kultura, artet, jeta shoqërore, brenda kufirit të Shqipërisë, pra ku ishte diktatura dhe jashtë saj”, ka thënë ajo. 

Aty historitë zbërthehen deri në ato personale ku njerëzit arratiseshin nga Shqipëria, a futeshin brenda kufirit për t’u bashkuar me familjen. Rrëfimi vijon për maltretimet e shqiptarëve nga Kosova deri në detyrimet për të pranuar se ishin agjentë të Serbisë, e që për shkak të kësaj më pas dërgoheshin në kampe internimi. 

Shkrimtari Anton Pashku qe njëri prej të ndaluarve në Shqipëri. Konsiderohej një prej armiqve të mëdhenj të realizmit socialist. Këtij pushteti, në dokumentar, bëhet e ditur se ia kishte shpallur luftën me shkrimin me titull “Vox clamantis in deserto” të vitit 1978, botuar në “Rilindje”. Aty haptazi shprehej kundër sistemit në Shqipëri. Vajza e tij, Lule Pashku, në dokumentar rrëfen pasionet dhe dëshirat e babait, se si në kohën e lirë shkruante e dëgjonte muzikë klasike. 

Skenaristja e dokumentarit ka thënë se Pashku trajtohej si armik kryesor i komunizmit. 

“Ne e zhvilluam në linjën e dokumentarit nga 1945 deri në të ’90-at, por edhe pas këtyre viteve, fatin që i ndoqi shqiptarët në këtë periudhë. Një fat që e diktoi edhe ky kufi i vendosur midis tyre. Trajtojmë autorë si Anton Pashku, letërsia e të cilit ishte një letërsi absolutisht e ndalur në Shqipëri. Ai trajtohej si autor hermetik që ishte jashtë kornizave të realizmit socialist, madje regjimi i Enver Hoxhës e cilësonte atë si armikun kryesor të realizmit socialist”, ka thënë Peçi duke shtuar se fatin e Pashkut e patën edhe të tjerë autorë. 

“Edhe shumë autorë të tjerë që guxuan të futen fizikisht brenda në Shqipëri. Për shembull kemi rastin e Sadri Ahmetit, një poet dhe piktor i shkëlqyer, që pësoi fat tragjik. U fut në burgun e Spaçit, jetoi disa vjet në burg dhe jeta e tij u kthye përmbys nga kjo dashuri e madhe që ai pati për atdheun. Të tilla fate kishte mjaft midis artistësh shqiptarë që synuan të shkonin në atdhe”, ka thënë Admirina Peçi. 

Rrëfimi vijon deri në formimin e grupit muzikor “Ilirët” në vitin 1981, si rock-band që vepronte duke qenë në shënjestër të agjentëve serbë. 

“Këndoja shqip te Pallati i Rinisë, vetëm ma bënte me gisht: ‘Këndo edhe serbisht’”, thotë Shemsi Krasniqi – Shemi, vokalist i grupit “Ilirët”. 

Dokumentari është punuar nga fondacioni “Kujto” nga Shqipëria në bashkëpunim me “Social Creativity” nga Kosova, në kuadër të projektit “Artistët e Ndaluar në Atdheun e tyre”, financuar nga Bashkimi Evropian. 

Themeluesi i fondacionit “Kujto”, Agron Shehaj, ka thënë se nëpërmjet veprave të tilla kombi sigurohet që të mos harrohet e kaluara. 

“Fondacioni ka bërë një punë kaq të çmuar me hapjen e arkivave dhe dokumentimin e kësaj tragjedie kombëtare. Vetëm kur përballemi me të kaluarën sigurojmë që këto krime të mos harrohen kurrë dhe të mos përsëriten më. Historia nuk duhet të harrohet, kjo është detyra jonë, t’ua tregojmë brezave të ardhshëm të vërtetën për t’u siguruar që kombi ynë të mos jetë më kurrë viktimë e tiranisë dhe tradhtisë”, ka thënë Shehaj në skenë. 

Majlinda Mazelliu, drejtoreshë e “British Council” në Shqipëri dhe Kosovë, ka thënë se dokumentari sjell kujtesën e qëndrueshmërisë së krijuesve përballë shtypjes. 

“Ngjarja e sotme qëndron si një shembull i jashtëzakonshëm i suksesit të projektit duke treguar sesi kultura mund të kalojë ndarjet dhe të krijojë një rrugëtim të përbashkët që merret me të kaluarën, ndërsa shikon drejt së ardhmes. Dokumentari jep një kujtesë emocionale të qëndrueshmërisë së zërave krijues përballë shtypjes”, ka thënë ajo. 

Dokumentari u shfaq në kuadër të festivalit ndërkombëtar të poezisë “Republika” që përherë mbahet disa ditë para përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Sivjet u mbajt për tri ditë, më 14, 15 dhe 16 shkurt dhe simbolikë e përvjetorit të 17-të të pavarësisë ishin 17 poetë pjesëmarrës. 

Drejtoresha e festivalit, poetja Vlora Ademi, ka zbërthyer simbolikën e “Republikës”.  

“Është simbolikë e 17 shkurtit, prandaj edhe është krijuar si festival, me qëllim që të jetë përvitshëm pjesë e festave të ditëve të pavarësisë së Kosovës. Kur kemi filluar ka qenë dhjetëvjetori i pavarësisë dhe kemi filluar me dhjetë poetë, ndër vite janë shtuar poetët për aq vite sa ka pavarësia, megjithatë bordi i festivalit ka vendosur që tashmë përvitshëm të jenë 17 poetë si simbol i datës 17”, ka thënë Ademi. 

Pas premierës në Prishtinë, “Kufiri i kuq: T’huej mes t’vetve!” planifikon ta shtjellojë rrëfimin edhe në Tiranë.