Në kohën kur kryelajmet nga Mitrovica janë ato për tensione e shok-bomba nga veriu i saj, Kori i Filharmonisë së Kosovës çon atje një narracion krejt tjetër. Nëpërmjet muzikës i këndon paqes, në koncertin dirigjuar prej Mary Konstantinidou dhe Hajrullah Sylës. Ka nisur me “Peace I leave With You” e krejt mbrëmja është veshur me tis festiv
Pas stacionimit në Suharekë e Obiliq, Filharmonia e Kosovës ka vazhduar lëvizjen edhe në Mitrovicë. Muzeu i Qytetit, adresa e radhës për projektin “Filharmonia në lëvizje”, u pushtua nga Kori. Kësaj radhe fitoi një atmosferë mes tradicionales e modernes në koncertin e dirigjuar prej Mary Konstantinidou dhe Hajrullah Sylës. Ngjyra e kuqe që mbizotëronte në skenë, veshjet kombëtare përreth publikut e solistët me improvizim i falën qytetit të rockut një natë magjike.
Programi nisi me “Peace I leave With You” të Knut Nystedt, i cili dha mesazhin për paqe dhe u ndje si ritëm tejet aktual për gjendjen e tanishme të Mitrovicës. Ndryshe nga ajo u ndje vepra e Vasil Tolës, “Broj, broj, broj”, e cila kumboi si një jehonë e fuqishme që mbante veshin e publikut tejet aktiv. Si pëshpërimë që gjen intensifikim qe “Numërimet” e Jonas Tamulionis.
Një nga këngët që ka gjetur transformim artistik në kohëra të ndryshme, “You Raise me Up” nga Rolf Lovlamd u jetësua si një vepër e butë, e cila erdhi nën aranzhimin e vetë dirigjentes Mary Konstantinidou. E nga veprat vendore u këndua “Dimër” e Hajrulla Sylës, e cila u bë një transformim artistik nga një fjalë e vetme që nis si pëshpëritje dhe shndërrohet në mozaik muzikor me nostalgjinë brenda saj. Një nga veprat më komplekse të programit e cila tingëllonte sikur publiku dëgjonte tri shtrirje të ndryshme muzikore ishte “Rivers of light” nga Eriks Esenvalds, e cila u përcoll nga zërat e Dea Xhemailit dhe Shaban Behramajt.

Përveç Korit, koncerti përfshiu edhe interpretimin në piano të Andi Durakut teksa dëgjohej vepra e bazuar në një poezi anonime, “Magnificat Anima Mea”, e John Rutter. Edhe më atraktiv u ndje koncerti në momentin e përfshirjes së buzukut të Astrit Stafait dhe perkusioneve të Patris Berishës bashkë me piano, në “Suita Zorba” të Mikis Theodorakis. Përzgjedhja e veprës së fundit ishte përmbyllje e duhur për koncertin njëorësh. Butësia, por në të njëjtën kohë edhe fuqia nëpërmjet perkusioneve, bëri që “We Can Mend the Sky” nga Jake Runestad të kumbojë me mesazhin e shpresës.
Për dirigjenten greke, Mary Konstantinidou, kjo është hera e tretë që bashkëpunon me Filharmoninë e Kosovës. Në karrierën e saj ka pasur rrugëtime në vende të ndryshme, si në SHBA, Venecie, Pragë, Shën Petersburg. Ka përfaqësuar Komunën e Selanikut në Bienalen e Artistëve të Rinj në Barcelonë. Ndërkaq në Kosovë çmon që pas marsit e shtatorit mori ftesë edhe në dhjetor.
“Kam komunikim shumë të mirë me ta, më pëlqejnë, kanë zëra të mirë. Dirigjenti është shok i mirë i imi, më pëlqen Prishtina, atmosfera e komunikimi”, shprehet ajo.
Drejtuesja e Shkollës Shtetërore të Muzikës në Selanik ka thënë se programin me qëllim e kanë zgjedhur sa më të larmishëm.

“Ka kompozitorë grekë, shqiptarë, kemi miks, por është moderne”, ka thënë ajo. “Vendi është shumë interesant. Akustika është shumë e mirë pavarësisht që nganjëherë s’është aq muzikore. Gjithçka ka qenë e ngrohtë”.
Rikthim në skenë pas një kohe të shkurtër të mungesës dhe pikërisht në vendin ku nisi hapat e parë muzikor, shënoi dirigjenti Hajrullah Syla.
“Pas sa vjetësh po kthehem në qytetin ku kam mësuar gjithçka”, ka thënë ai që në fillim të intervistës.
Sa i përket programit ka thënë kanë qenë në kërkim të veprave që janë më të afërta me publikun.
“Ishte program tejet i veçantë që siç duket edhe programi e ndjeu atmosferën mjaft atraktive edhe festive”, ka thënë ai. “Jemi në plan që koncertet të vazhdojnë edhe në qytetet e tjera”.
Të njëjtën ndjesi të hapave të parë pati edhe baritoni Shaban Behramaj, i cili qe solisti i natës me veprën e Essenvalds.
“Ky rikthim pas shumë vjetësh më bëri të ndihem shumë mirë, me i taku njerëzit me të cilët kam studiuar e punuar bashkë për vite me radhë”, ka thënë ai.
Ka pranuar se vepra ka qenë mjaft kërkuese dhe se është dashur përgatitje e intonacionit.
“Vepra është shumë komplekse, sidomos për kor, pa dyshim është shumë e vështirë me e interpretu se po flasim për muzikë moderne”, ka thënë ai.
Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka thënë se i është falënderuese Filharmonisë që përkundër vështirësive, ka arritur ta realizojë koncertin.
“Jam shumë e lumtur qe ka ardhur, sidomos më gëzon fakti që këto ditë situata ka qenë e rënduar emocionalisht, njerëzit janë goxha të lodhur. Ku ka qenë një injeksion jashtëzakonisht i mirë, të jep një dritë shprese”, ka thënë Idrizi.
Ky është koncerti i parafundit i Filharmonisë së Kosovës, teksa institucioni vitin 2022 do ta përmbyllë me koncertin e Vitit të Ri më 22 dhjetor.