Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shkrimtarët për futbollin

Konica më 1936: Lodra e topit me këmbët – një rast kumari

“Futbollistët”, Gordon France, akuarel

“Futbollistët”, Gordon France, akuarel

“Një importim qesharak pa rrënjë në zakonet e Shqipërisë”, do ta sulmonte Faik Konica “lodrën e topit me këmbët” të cilën “e lozin një grusht burrash dhe mijëra të tjerë bëjnë bast kush do të fitojë”. Ndryshe prej Konicës, shkrimtarë me nam në botë, kanë lënë pas vetes thënie nëpërmjet të cilave e glorifikojnë këtë sport. “Gjithçka që di për përgjegjësitë dhe moralin ia detyroj futbollit”, kishte thënë nobelisti Albert Camus. “Jeta vetë është një lojë futbolli” do të shkruante dramaturgu, poeti skocez, Walter Scott, e për Jean-Paul Sartre, “në futboll, gjithçka komplikohet me praninë e skuadrës kundërshtare”

Në numrin e 28 tetorit të vitit 1938, të gazetës “Dielli”, redaktori i saj, Faik Konica, do të publikonte një koment të tij për futbollin. “Lodra e topit me këmbët nuk është veçse një rast kumari: e lozin një grusht burrash dhe mijëra të tjerë bëjnë bast kush do të fitojë. Nuk i sjell ndonjë të mirë as shëndetit as mendjes”, kishte qenë komenti i një prej figurave më me nam të kulturës shqiptare të shekullit XX. Futbolli, që Konica do ta quante “një importim qesharak pa rrënjë në zakonet e Shqipërisë”, sot është një prej sporteve më të popullarizuara në botë dhe më shumë se kaq. Shqipëria e Konicës, e as ajo e 90 vjetëve prejse sulmoi këtë lojë, nuk ka arritur asnjëherë të jetë pjesëmarrëse në Botëror.

Ndryshe prej Konicës, shkrimtarë me nam në botë, kanë lënë pas vetes thënie nëpërmjet së cilave glorifikojnë këtë sport. Oscar Wilde, George Orwell, Albert Camus janë veç disa prej atyre që nuk i kanë rezistuar entuziazmit për futbollin.

“Gjithçka që di për përgjegjësitë dhe moralin ia detyroj futbollit”, kishte thënë nobelisti Camus, shkrimtar me origjinë gjysmë algjeriane e gjysmë franceze. Kur ishte pyetur një herë nga miku i tij, Charles Poncet, nëse preferonte futbollin apo teatrin, Camus do t’i përgjigjej: “Futbollin, pa hezitim”. Ky i fundit kishte luajtur si portier për ekipin e juniorëve të “Racing Universitare d’Alger” gjatë viteve 1928-30. Gjatë ndeshjeve që kishte pasur me këtë ekip, Camus shumë shpesh kishte marrë komente pozitive për shkak se luante me pasion dhe kurajë. Ëndrra prej futbollisti e Camusit do të shuhej në moshën 17-vjeçare, kur kishte marrë vesh se vuante nga sëmundja e tuberkulozit.

Romancieri Salman Rushdie, me origjinë indiane e shtetësi angleze, njihet si adhurues i flaktë i skuadrës së Tottenhamit.

“Të botosh një libër e të xhirosh një film është fantastike, por Tottenhami që mundi Manchester Unitedin 3:2, nuk ka çmim”, kishte thënë Rushdie, pas një triumfi të skuadrës së tij të zemrës.

Dramaturgu, poeti e romancieri skocez, Walter Scott, do ta krahasonte këtë sport me jetën, duke thënë se “jeta vetë është një lojë futbolli”.

“Ragby është një lojë për barbarët që luhet nga zotërinjtë. Futbolli është një lojë zotërinjsh që luhet nga barbarët”, kishte thënë poeti e shkrimtari irlandez, Oscar Wilde.

Edhe Tekstet e “Shtojcës për kulturë” të “KOHËS Ditore”, 19 korrik 2026 Shtojca për Kulturë 15 o. më parë Tekstet e “Shtojcës për kulturë” të “KOHËS Ditore”, 19 korrik 2026

Romancieri e eseisti britanik, George Orwell, e kishte krahasuar futbollin me një lojë të dëmshme. “Futbolli –  një lojë ku të gjithë dëmtohen dhe çdo komb ka stilin e vet, që të huajve u duket inferior”, kishte thënë ai.

E filozofi e dramaturgu me nam, Jean-Paul Sartre, filozofinë e futbollit e lidh me kundërshtarin.

“Në futboll, gjithçka komplikohet me praninë e skuadrës kundërshtare”, kishte thënë ai.