Fituesi i Nobelit për Letërsi shkruan për personazhet që tentojnë të kapërcejnë jetët e kësaj bote. Për Fossen, e pathëna manifestohet në shumë mënyra të eksplorimit të çështjeve të qenies, ndërgjegjes dhe art-krijimit: Protagonistët e tij në vetën e parë përpiqen të thonë, e të thonë e të thonë
Kur heshtja kaploi tavolinën e gjerë në ahengun e darkës gjatë dimrit të kaluar në Toronto, tentova t’i ngjallja duke i pyetur secilin se çfarë po lexonin. Me nënqeshje kolegia ime m’u drejtua se sa herë që njerëzit bëjnë këtë pyetje, janë bash ata që po presin për të treguar se çfarë janë duke lexuar. U ofendova sepse ajo kishte të drejtë.
Thjesht po rilexoja “Septologjinë” i thashë, sekuencë me shtatë romane me një fjali të vetme të shkruar nga shkrimtari norvegjez, Jon Fosse. Romanet kanë të bëjnë me piktorin në perëndim të jetës që jeton fikall i vetëm në një fshat të largët në Norvegji. Ai ka sozinë e tij që udhëheq ekzistencën paralele gjetkë. Teksa pikturon e ripikturon në të njëjtën pëlhurë dhe bisedon me fqinjin e tij të ithët, plaku rrëfen për krejt jetën, punën dhe lidhjet e tij me Zotin, familjarët dhe miqtë. Gjithçka ndodh brenda pak ditësh, vazhdova rastësisht dhe i paduruar, në atë që dëshmohet të jetë shtegu drejt vdekjes së tij dhe asaj që ai beson se vjen më pas: takimi me Zotin. Një tjetërlloj heshtjeje ra mbi tavolinë. Askush nuk donte vazhdimin. Kolegia ime më përqeshi. E bëra fytyrën e të pafajshmit.
Lë anash shfletimin e librit. Prej vitesh kam qenë evangjelist për Fossen, i cili të enjten mori çmimin “Nobel” për letërsi. Dhe “evangjelizmi” është fjalë fikse, duke pasur parasysh ndjenjën vibrante dhe të errët fetare të librave të tij. Fosse u konvertua në katolicizëm në vitin 2012, kur veçse ishte dramaturg dhe shkrimtar goxha i njohur në Norvegjinë e tij, e cila e nderon Fossen me festivalin dyditor kushtuar veprës së tij. (Festivali i fundit u mbajt në verën e shkuar, zgjati 12 ditë). Statusi dhe popullariteti i tij ndërkombëtar në vendin përgjithësisht laik është tregues i fortë se librat e Fosses nuk janë vetëm për besimtarët: Në fakt, shumë lexues me mendje fetare të klubit të Chestertonit, Lewisit dhe Tolkienit mund të ndihen keq nga kërkesat formale dhe stilistike të Fosses, por edhe nga shkrimet e tij të errëta, shpesh me dashje, për jetën njerëzore dhe hyjnore.
Lajmi për çmimin, “Nobel”, vjen vetëm pak javë para se romani i tij më i ri: “A Shining” të publikohet në anglisht (e përkthyer për bukuri dhe shkëlqyeshëm, ashtu siç e përktheu “Septologjinë”, Damion Searls) dhe ofron mundësi të shkëlqyer për ta forcuar arsyen se përse leximi i Fosses është përvojë e veçantë dhe shtegtuese. Në fjalët e komitetit të “Nobelit”, ai mori çmimin “për dramat inovative dhe prozën që i ka dhënë zë të pathënës”.
Për Fossen, e pathëna manifestohet në shumë mënyra të eksplorimit të çështjeve të qenies, ndërgjegjes dhe art-krijimit: Protagonistët e tij në vetën e parë përpiqen të thonë, e të thonë e të thonë. Në fakt, një nga ish-studentët e Fosses dhe lehtësisht admiruesi i tij më i njohur, Karl Ove Knausgaard, propozon që “zëri i trillimit të Fosses është prani e palidhur me kohën e vetë Fosses, por e lidhur më tepër me diçka tjetër”.
Për shkrimtarët si puna e Knausgaardit dhe emrave kontemporanë në autofiksion, si Ben Lerner, Rachel Cust dhe Sheila Heti, kjo “diçka tjetër” është territor vetë-refleksiv, miazmatik, i mbushur me anomali dhe shpesh solipsist mes vetvetes dhe botës. Ama jo për Fossen. Shkrimi i tij është i informuar nga hapja për kërkimet ndaj të përjetshmes që, për të modifikuar vlerësimin e Knausgaardit, por të rëndësishëm, lidhur me dikë tjetër, qenie e gjallë, e cila do ta thërrasë thelbin e propozimit të krishterë: Fjala u bë mish dhe banon mes nesh. Me fjalë të tjera, Zoti foli dhe urdhëresa hyjnore krijoi botën dhe mori formë njerëzore, e cila hapi mundësinë e lidhjes me Hyjnoren në jetën tonë të vdekshme.
Nëse përjetimi i krejt kësaj në një fjali të vetme që zgjatet në qindra faqe është pikë hyrëse shumë e frikshme, po ua sjell lajmin me gjithë gëzim: “A Shining” që do të publikohet më 31 tetor, ka vetëm 75 faqe dhe me fjali të shkurtra e të thjeshta. Gjithashtu, është rishkrim disi i shkëlqyeshëm dhe delikat i gjithë “Komedisë Hyjnore”. I rrëfyer në vetën e parë, romani ka të bëjë për burrin e përhumbur që vendos të drejtojë automjetin drejt pyllit të dendur në dimrin e acartë. Ashtu siç nis poema e Dantes me poetin që gjen veten të humbur në pyllin e errët, në mes të udhëtimit universal të jetës. Pasi kishte ftohtësi jo vetëm nga moti, protagonisti i Fosses zhytet në pyllin që errësohet gjithnjë. Tërhiqet nga një prani e errët, por e mbushur dritë:
Tani është errët sa s’bëhet. Dhe para meje shoh skicat përvijimin e diçkaje që duket si person. Përvijim i ndritshëm që bëhej gjithnjë qartë e më qartë.
Po, përvijim i bardhë këtu në errësirë, fiks para meje. A është larg apo është afër. Nuk e them me siguri. Është e pamundur, po, e pamundur të thuash nëse është afër apo larg. Ama është aty. Përvijim i bardhë. I ndritshëm. Disi vjen afër e më afër. Dhe është përvijim krejtësisht i bardhë. Tani e shoh qartë. Po, e shoh se është i bardhë. Bardhësi. Është kaq i qartë në errësirën e zezë.
Fosse është shkrimtari i madh i dritës dhe errësirës së epokës sonë. Personazhet e tij llogaritin praninë e vërtetë të Zotit në jetën e tyre dhe në botë, që nëse Zoti nuk do të ekzistonte, do të përbënin zbrazëti totale. Teksa shtjellohet “A Shining”, kjo prani mbetet e afërt, por nuk emërtohet kurrë; diku tjetër, asaj i bashkohen forma të tjera që burri përfundimisht i dallon si prindërit e tij. Ata kanë ardhur në pyll në kërkim të të birit të humbur, duke e thirrur dhe i kërkuar që të afrohet me qëllim që ta ndihmojnë për ta sjellë në një vend më të mirë – Variacion i Fosses për Beatricen dhe Virgjilin që udhëzojnë Danten e humbur drejt Zotit dhe parajsës.
Komunikimi mes burrit dhe prindërve të tij – nënës llafazane dhe babait pothuajse memec – herë pas here janë qesharake, por shpesh prekëse në mënyrën se si ata zbulojnë shumëçka për jetën e mëparshme familjare të shënuar me ndjenjat e shtypura dhe shpesh me përpjekje të dështuara për mirëkuptimin e përbashkët. Mirëpo, nuk ka ngjarje apo vende specifike; Ndjeshmëria e Fosses është t’i rezistojë atij lloj shpjegimi konkret. Për atë, realiteti njerëzor gjen shpërfaqjen më të plotë, aktive në jetën e brendshme që përpiqet e përpiqet që të kapërcejë realitetin e jashtëm përfundimtar, që do të thotë, drejt Zotit që ekziston. Koha, vendet dhe përvojat në mes, të cilat zënë pjesën e mesme të romanit “A Shining”, formojnë shëtitjen soditëse në pyllin e errët, jo ndryshe nga ngjitja në malin e “Purgatorit” të Dantes.
Në paraqitjen e Parajsës me hije provokuese dhe të heshtur, por ende besimtare të Fosses, parajsa nuk është vend i mrekullive kozmike me gjeometri të përsosura dhe plot shenjtorë të Dantes. Është “hiri që po më mban, po, duke përqafuar gjithçka që ekziston, por është sikur asgjë nuk ekziston, po, është sikur gjithçka në thinjat e saj, asgjë nuk ekziston dhe papritur jam në dritën shumë të fortë” që të dyja janë e thënë dhe e pathënë dhe unë do ta lë të hapur fjalinë, sepse ju duhet ta rrokni këtë libër dhe të lini Fossen t’ju çojë në pjesën e mbetur të rrugës.
Randy Boyagoda është romancier dhe profesor i gjuhën angleze në Universitetin e Torontos
Marrë nga: “New York Times”
Përktheu: Gent Mehmeti