As BE-ja e as KFOR-i nuk marrin masa kundër Serbisë, sepse Franca dhe BE-ja dëshirojnë të materializohet ndarja e butë e Kosovës (me asociacionin serb) ose do të mbyllin sytë duke lejuar serbët që me forcë të ndajnë Veriun, ashtu sikur Qipron dhe të kemi Serbinë në Mitrovicë që do të qëndrojë kërcënuese ndaj pjesës tjetër të Kosovës! Pra gjasat e “monologut” të Brukselit të rezultojnë me sukses janë të barabarta me zero, veç nëse Kosova detyrohet të lëshojë pe ose ndonjë ndryshim radikal i qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare. Në të dyja rastet kemi dy zgjidhje të këqija
Është i ditur fakti se Kosova ka pranuar planin Ahtisaari, i cili pos tjerash, parasheh një lloj autonomie për serbët e Kosovës. Mirëpo pala serbe dhe mbështetësit e saj në Kombet e Bashkuara (Rusia dhe Kina) e kanë hedhur poshtë projektin për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës dhe përsëri kanë insistuar për implementimin e pjesërishëm të Planit të Ahtisaarit, por pa pranuar pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër, shtetet që e kanë pranuar Kosovën – SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, etj. – kanë insistuar që jetësimi i plotë i këtij projekti të tyre të kthehet në Bruksel, në selinë e BE-së, e cila deklarohet si neutrale lidhur me statusin e Kosovës (kinse për shkak të pesë shteteve mosnjohëse). Edhe pse ky qëndrim i tyre në atë kohë konsiderohej si një qëndrim i ndërmjetëm pa prapavijë të keqe, sot është më se e qartë se ky vendim i tyre (BE) kishte si qëllim parësor bllokimin e Kosovës si në procesin e njohjeve të shtetësisë së Kosovës (numri i njohjeve është zvogëluar dukshëm që nga “rikthimi i problemit të Kosovës”, formuluar si biseda teknike Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin “dashamirës” të Brukselit, si qasje e papërmbyllur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2011), ashtu edhe në shndërrimin e saj në një version të butë të Bosnjës së ndarë, ku serbët prore bllokojnë funksionimin e shtetit.
Pse është kaq me rëndësi veriu i Kosovës për Serbinë dhe BE-në?
Që në fillim duhet theksuar se shumica e serbëve jetojnë në zonat jugore të Kosovës dhe vetëm një grup kompakt i tyre në Veri të Kosovës. Pra argumenti se Bashkësia Ndërkombëtare dhe Serbia me të drejtë brengosen për të drejtat e serbëve bie poshtë, sepse serbët në Veri përfaqësojnë jo shumicën e popullsisë serbe në Kosovë, që është më numerike në Jug.
Ndërkohë, me Kushtetutën e Ahtisaarit, serbët jo vetëm se kanë të siguruara 10 vende në Kuvendin e Kosovës, por kanë të drejtë vetoje në çdo ndryshim të Kushtetutës e cila cenon të drejtat e tyre. Gjuha serbe është zyrtare në të gjithë territorin e Kosovës, gjë që nuk është rast i njëjtë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, e as që bëhet fjalë në Serbi. Prandaj as argumenti i BE- Serbi se bëhet fjalë për të drejtat etnike të serbëve në Kosovë nuk është i bindshëm.
Në anën tjetër, kur flitet për Veriun e Kosovës shumica e minierave në Veri të Kosovës janë në zonat e banuara me shqiptarë dhe vetëm dy janë në zonat me shumicë serbe. Pra nuk qëndron as argumenti ekonomik sikur arsyetojnë disa të tjerë. Duhet të ketë shkaqe të tjera për këtë qëndrim të palogjikshëm të BE-së!
Ndërkohë rezultati i kësaj politike thellësisht të gabuar të BE-së (në pozicionet kryesore me politikanë nga shtetet që s’e kanë njohur Kosovën: Borrell-Spanjë dhe Lajçak-Sllovaki) dhe të SHBA-së (për të cilët përkrahja e BE-së në luftën e Ukrainës është primare dhe tek e fundit Kosova nuk është Izrael, për të cilin do të hynin edhe në luftë me të tjerët), me arsyetime se dëshirojnë që Serbinë ta largojnë nga ndikimi rus dhe nevojës së tyre që Serbia të furnizojë me armë Ukrainën, ndodhi hyrja e organizuar e grupit terrorist serb në Manastirin e Banjskës në Zveçan, më 24 shtator 2023. Dhe kjo nuk ndodhi rastësisht dhe as e paorganizuar nga Serbia nacionaliste, por edhe me përkrahje të heshtur të qarqeve ultra-konservative të BE-së si dhe pak para ndërrimit të komandantin italian të KFOR-it dhe ardhjes së atij turk, që në heshtje të prisnin dhe llogarisnin që KFOR-i do të vendosej ndërmjet policisë së Kosovës dhe “çlirimtarëve serbë”, duke përmbushur planin serb që KFOR-in ta kthejnë për interesa serbe dhe kundër Kosovës. Plani i tyre, në rundin hyrës për Veriun, dështoi, falë veprimit të shpejtë të shtetit të Kosovës e mbi të gjitha të njësive policore të Kosovës, të cilat ndonëse humbën një koleg, prind dhe familjar (Afrim Bunjaku) dhe një të plagosur (Alban Rashiti) shpartalluan grupin e madh të paramilitarëve-terroristë serb të mbështetur dhe të dërguar nga Rusia e vogël (Serbia) me pretendime për t’u shndërruar në “çlirimtarë” dhe nxitës të një lufte më të madhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me shpresën se së paku KFOR-i dhe BE-SHBA do të ndërhynin për të evituar kërcënimin për një luftë tjetër në Ballkan, duke ndarë dhe shkëputur Veriun nga kontrolli faktik i Kosovës dhe duke e shndërruar atë në një mini Donbas. Por Kosova tregoi ashtu sikur Shqipëria që më 1949 shkatërroi forcat invaduese të Greqisë, se ne kemi mjetet, fuqinë dhe vullnetin të përballemi me aventurat e përsëritura të “belaxhiut” të Rusisë së vogël – Serbisë.
Aventura e pandëshkuar serbe dhe synimet e “çlirimtarëve”
Por a do të kalojë kjo aventurë serbe e pandëshkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja? Politika e deritanishme e BE-së dhe SHBA-së nuk japin shumë shpresë se ato do të fillojnë ta trajtojnë Kosovën si shtet serioz dhe të barabartë në bisedimet e detyrueshme me Serbinë agresive për pjesë të territorit të cilat ato e kanë pranuar si pjesë të shtetit të Kosovës dhe të cilën e kanë ndihmuar të shpallë pavarësinë. Thënë ndryshe shtetet evropiane u janë rikthyer paragjykimeve fetare dhe etnike të shekullit XIX, kur shqiptarët diskriminoheshin kulturalisht (shumica nga ata i takojnë besimit mysliman) dhe etnikisht (ngase nuk kishin institucionalizuar bazamentet shpirtërore dhe kulturore të kombit të tyre, rrjedhimisht edhe nuk mund të bëheshin pjesë e barabartë “kombeve të qytetëruara të Evropës”). Ndryshe nuk ka si të shpjegohet kjo histeri kundër Kosovës, kur në pushtet kemi një elite të re të pakorruptuar me një program kundër tenderomanisë dhe me synime për një shtet ligjor dhe të drejtë për të gjithë, përfshirë edhe trajtimin e drejtë të burgosurve “terroristë” serbë, ashtu sikur trumbetojnë në BE (të drejtat e njeriut, shtet i së drejtës, luftë kundër korrupsionit, etj.) dhe mbi të gjitha një elite shqiptare sekulariste e liruar nga ndikimi i islamit politik. Ndërsa, po këto shtete, në anën tjetër, mbyllin sytë para autokratëve dhe zjarrvënësve serbë, M. Dodik në Bosnjë dhe A. Vuçiq në Serbi. Ata sikur tolerojnë lojën me zjarr të serbëve, sepse në Bosnjë nuk dëshirojnë një shtet të suksesshëm, ku boshnjakët-myslimanë do të kishin fjalën kryesore dhe nuk bëjnë asnjë fjalë për të drejtat e nëpërkëmbura të boshnjakëve në Sanxhak. Por pse për Evropën të drejtat e serbëve në Veri janë më të rëndësishme se të drejtat e boshnjakëve në Sanxhak dhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Kufijtë e sakatuar të Shqipërisë – “sakrificë e shpëtimit nga një luftë”
Po të shikojmë nga këndvështrimi historik, do të shohim se shtetet evropiane ishin të interesuara për dëbimin gradual të Perandorisë Osmane nga Evropa, duke i konsideruar të gjitha popullsitë e islamizuara si armike të Evropës së qytetëruar me traditë të krishtere dhe rrjedhimisht të padëshiruara që në Evropë të krijojnë shtetet e tyre kombëtare me shumicë myslimane. Prandaj nuk habit fakti se Austro-Hungaria, kjo mbrojtëse më e zëshme e të drejtave të shqiptarëve, më 1903 së bashku me Rusinë cariste ishte për Reformat në Maqedoni, që si synim kishin thyerjen e tërësisë territoriale të shqiptarëve dhe e cila më 1908 aneksoi Bosnjën por u tërhoq nga Sanxhaku i Novi Pazarit, duke u hapur rrugë pretendimeve të Serbisë dhe Malit të Zi, që në të ardhmen ta pushtojnë dhe kështu të ndërpresin vijën e quajtur të “gjelbër” të populluar nga popullsitë e islamizuara në Bosnjë, Sanxhak, në Vilajetin e Kosovës, Manastirit e tutje deri në Stamboll. Po kështu bëri edhe Britania e Madhe, e cila mbështeste veprimtarinë autonomiste të Ismail Qemalit, por në momentin e luftërave Ballkanike (1912-1913) dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ndërroi qëndrimin dhe deklaroi se kufijtë e sakatuar të Shqipërisë në Konferencën e Londrës (1912-1913) u bënë si sakrificë e shpëtimit nga një luftë më e madhe ndërmjet Fuqive Evropiane (vetëm një vit më vonë, më 1914, po këta serbë do të nxisnin Luftën e Parë Botërore). Dhe çka ndodhi: u krijua një Shqipëri e vogël, me pak tokë bujqësore dhe me më shumë se gjysmën e popullsisë jashtë kufijve politikë. Qëllimi ishte i qartë të krijohej një shtet sa më i vogël me shumicë myslimane, jofunksional, pa resurse për t’u zhvilluar dhe i dënuar që të mos e ngrejë kokën, prandaj edhe gjatë pushtimit italian nuk kishte përpjekje për ta ndihmuar, sepse tek e fundit ishte një copë e vogël toke për të cilën nuk ia vlente të bëhej as zhurmë. Ashtu u trajtua Shqipëria edhe më 1961 dhe 1968 kur edhe formalisht doli nga Pakti i Varshavës, asnjë fjalë, asnjë ndihmë nga vendet e frikësuara të NATO-s. Dhe deshi s’deshi, shteti shqiptar u detyrua të mbështetej në ndihmën kolosale ekonomike dhe ushtarake të Kinës, ndërkohë që SHBA-ja gradualisht kuptoi: se po Enver Hoxha është komunist radikal por ai është edhe një antirus i madh dhe nacionalist-komunist shqiptar. Rrjedhimisht SHBA-ja në planet e tyre për të mos lejuar kthimin e BRSS-së në brigjet shqiptare planifikonte që në rast të luftës ndërmjet Shqipërisë dhe BRSS (në përpjekje për ta rikthyer Shqipërinë në Bllokun Lindor), Shqipëria do të mbështetej me ndihma ekonomike dhe ushtarake nga NATO-ja dhe asaj do t’ia pranonin Kosovën dhe territoret e tjera të banuara me shqiptarë. Gjithashtu nuk duhet habitur edhe nga ndalja e procesit të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi në vitet e ‘60 të shekullit XX dhe përmirësimit të dukshëm të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, deri në bërjen e Kosovës edhe me Kushtetutë (1974). Ky shpërblim i shqiptarëve për qëndrimin e tyre të fortë kundër BRSS-së dhe tash Rusisë por edhe të nacionalizmit shqiptar të zhveshur nga radikalizmi islam solli intervenimin e SHBA-së dhe të NATO-s më 1999 dhe ndihmuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovë më 2008.
Bisedimet “teknike” dhe politika e shekullit XIX
Por gjërat kanë ndryshuar për të keq me bisedimet “teknike” të Brukselit dhe tendencave jo të hapura të rrymave të forta me paragjykime fetare të politikëbërësve evropianë kundër shqiptarëve (shumicë myslimane) të Kosovës dhe që për Evropën cinike u bë prioritare që Kosova të bëhet sa më jofunksionale dhe për të mos lejuar pikëtakimin e tyre me boshnjakët në Sanxhakun e Novi Pazarit dhe me ata të Bosnjës. Dhe flamurin e kësaj politike të shekullit XIX e mori Franca, e cila edhe mbështeti fshehurazi luftën e serbëve në Bosnjë dhe krijimin e Republikës Serbe, vetëm për të mos lejuar krijimin e një Bosnje unitare, demokratike dhe të qytetëruar, ku boshnjakët myslimanë do të ishin ndër faktorët kryesorë. Po e njëjta politikë po zbatohet tash edhe me Kosovën, qëllimi i vërtetë i së cilës është që me krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe të ndërpritet pikëtakimi me boshnjakët e sanxhakut si dhe me Bosnjën dhe njëkohësisht që nëpërmes kësaj, Serbia të realizojë qëllimet e saj hegjemoniste mbi Kosovën dhe të shndërrohet në polic që i rri pareshtur mbi kokë. Dhe mu në kohën e luftës në Ukrainë, SHBA-ja duke u fokusuar vetëm në luftën kundër Rusisë dhe konkurrencës me Kinën, ka filluar hapur të mbështesë politikën diskriminuese evropiane kundër Kosovës, lojë së cilës i është bashkuar edhe Shqipëria e Edi Ramës, duke treguar mangësi të largpamësisë dhe mungesës së hapur të cilësisë së burrështetasit (pavarësisht rolit të tij kinse si besnik i perëndimit, i cili përul përfaqësuesin rus në Këshillin e Sigurimit të KB).
Si rrugëdalje nga pozicioni aktual është rikthimi te propozimi për shkëmbimin territorial Kosovë-Serbi (Veriu për Luginën e Preshevës), që kishte mbështetje të SHBA-së, por me kundërshtime nga BE-ja (rrymat politike konservative të së cilës morën masa të shpejta që të dërgojnë H. Thaçin në Hagë), me arsyetime se si kjo do të hapte procese të njëjta në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë. Mirëpo, që të gjithë e kanë të qartë se po të kishin vullnet shtetet evropiane për mbylljen e monologut serb, kjo do të ishte zgjidhja përfundimtare e konfliktit shqiptaro-serb, me një marrëveshje obliguese edhe për Ujmanin, pa të cilin ekonomia e Kosovës nuk mund të funksionojë. Ndërkohë, BE-ja as që do të lejonte të flitet për qasje të njëjtë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë. Ndërsa, në anën tjetër, nëse BE-ja do të trajtonte si të barabartë në bisedime Kosovën në raport me Serbinë dhe ku të drejtat që kërkohen për serbët u garantohen edhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës, këto bisedime dhe “vlera të shpallura” të BE-së për të drejtat e njeriut dhe të pakicave do të rezultonin me përfitime të dyanshme. Por as këtë qasje nuk e mbështesin në BE. Pra rrugëdalja ekziston, por nuk e lejojnë shtetet evropiane, sepse nuk duan një shtet kompakt dhe funksional të Kosovës me shumicë myslimane. Mirëpo shqiptarët nuk kanë faj që rrethanat historike kanë sjellë islamizimin e një kombi me gjuhë dhe histori të lashtë ashtu sikur sot po të njëjtit kanë përqafuar vlerat e qytetërimit evropian. Ndërkohë, qeveria e Kosovës përpiqet të mbrojë tërësinë territoriale të Kosovës si dhe kërkon trajtim të barabartë me Serbinë, gjë e cila i irriton evropianët (Borrell-Lajçak).
Opsioni i dytë është se pas kësaj aventure të rrezikshme serbe të ndërrojnë qasje BE-ja dhe SHBA-ja duke insistuar për trajtim të barabartë të Kosovës në raport me Serbinë, ku “Rusia e vogël” do të pranonte Kosovën dhe Prishtina do të përgatiste statutin e bashkësisë serbe, por edhe Serbia po të njëjtën statut për Luginën e Preshevës. Mirëpo, BE-ja me Borrellin dhe Lajçakun, të cilët kanë mbështetjen e Francës dhe domosdoshmërisht edhe të Gjermanisë, por edhe të SHBA-së, vështirë se do të ndryshojnë qëndrim e aq më pak Serbia. Nuk është e rastësishme që emisari amerikan, Escobar, deklaron: “Lajçaku ka mbështetjen e plotë, dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik të ndryshojë taktikat e tij”.
Monologu i Brukselit, dy raste dhe dy zgjidhje të këqija
Në anën tjetër, as BE-ja e as KFOR-i nuk marrin masa kundër Serbisë, sepse Franca dhe BE-ja dëshirojnë të materializohet ndarja e butë e Kosovës (me asociacionin serb) ose do të mbyllin sytë duke lejuar serbët që me forcë të ndajnë Veriun, ashtu sikur Qipron dhe të kemi Serbinë në Mitrovicë që do të qëndrojë kërcënuese ndaj pjesës tjetër të Kosovës! Pra gjasat e “monologut” të Brukselit të rezultojnë me sukses janë të barabarta me zero, veç nëse Kosova detyrohet të lëshojë pe ose ndonjë ndryshim radikal i qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare. Në të dy rastet kemi dy zgjidhje të këqija: 1) Me Veriun, të cilin Serbia, me lejen e heshtur të BE-Francës (sikur 1999) do të përpiqet për ta pushtuar ose 2) Krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive (BE-Serbia) apo Asociacioni pa kompetenca ekzekutive (sikur premton SHBA-ja). Fatkeqësisht, të gjitha variantet e propozuara do të dështojnë të trajtojnë suksesshëm “kancerin e metastazuar” të Veriut dhe Serbisë. Ndërsa politika e drejtë dhe këmbëngulëse për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës është jo vetëm obligim, por edhe detyrë e çdo qytetari dhe duhet të përgatitemi të mbrohemi nga sulmet e pritura të Serbisë dhe të mbështetësve të saj evropianë e rusë, duke u mbështetur në vetën tonë dhe me shpresë për mbështetje të amerikanëve ose se Turqia së paku do të na furnizojë me armatime për vetëmbrojtje. Pra para vetes kemi zgjedhje: keq dhe më keq. Mirëpo, nëse qëndrojmë bashkë opozitë-pozitë, sikur u deklaruan në parlamentin e Kosovës, atëherë Kosova do të përballojë sfidat që do t’i vijnë nga Serbia dhe aleatët e saj të hapur dhe të fshehur në BE: Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit.