Shtojca për Kulturë

Identiteti kulturor i Kosovës 17-vjeçare

Ballina e Shtojcës për kulturë, “Koha Ditore”, 16 shkurt 2025 (Foto në Ballinë: Driton Paçarada)

Ballina e Shtojcës për kulturë, “Koha Ditore”, 16 shkurt 2025 (Foto në Ballinë: Driton Paçarada)

Një shfaqje në fund të viteve ‘60 doli nxori në skenë Kosovën që po zgjohej. Nëse tash, në 17-vjetorin e shtetësisë, Kosova ka identitet të vetin kulturor, është temë diskutimi. Për dikë, identiteti është njësoj si shteti: adoleshent, ende i pagdhendur e hibrid. Për të tjerë, tentimi për një identitet të vetin, është tentim për shkëputje nga ai kombëtar

Vënia në skenë e “Ervehesë” më 1966 është njëfarë pike e referencës për Teatrin e Kosovës. Deri me atëherë shfaqjet e atij që ishte Teatri Popullor Krahinor – sot Teatri Kombëtar i Kosovës – përshkruhen të kenë qenë produkte të stilit partizan. Nën regji të Muharrem Qenës e me tekst të Ahmet Qirezit, “Erveheja” llogaritet të ketë qenë guri themeltar i kulturës së shqiptarëve të Kosovës jo veç në teatër. Sipas diskutimeve në skenën teatrore, në kohën kur ishte dhënë premiera ajo lërë më që nuk ishte llogaritur e tillë, por s’kishte as ndonjë entuziazëm për të. 

Gjërat nisën të ndryshojnë kur në vitin pasues, “Erveheja” solli në Prishtinë pesë çmimet e Festivalit të Sterijes në Novi-Sad. Identiteti kulturor i Kosovës tashmë kishte nisur të çonte krye. 

Në anën tjetër, në dekadën e gjashtë të shekullit të kaluar, muzikantët kishin nisur të merrnin identitet e po ashtu kishte ardhur një frymë e shkrimtarëve shqiptarë në Kosovën që ishte pjesë e ish-Federatës Jugosllave, ende pa autonominë e zgjeruar si ajo që u arrit më 1974 dhe pa marrëdhënie me Shqipërinë. 

Prej atëherë deri me tash, Kosova ka arritur që të ketë identitet kulturor. Shkolla e Artit në Pejë e kishte bërë të vetën dhe shqiptarët e Kosovës po merrnin hov edhe në artet pamore. 

Në 17- vjetorin e Pavarësisë, Kosova që ende është shteti më i ri në Evropë, ka identitetin e saj kulturor. Njihet në botën e teatrit, muzikës e të filmit.

Fuqia shpesh e padukshme e artit

Teatri i Kosovës vitin e kaluar bëri që me të të merret edhe nobelisti Peter Handke. Qe shfaqja “The Handke Project” produksion i qendrës “Multimedia” me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Nezirajt që e bëri nobelistin austriak që të angazhonte avokatin e tij kundër një teatri parisien. U kap për promovimin që i bënte teatri kësaj shfaqjeje, e cila e zhvesh Handken si mohues të gjenocidit në Srebrenicë e mohues të krimeve të Serbisë në Ballkan. Krejt kjo ka ndodhur në prag të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Kosovës që shënohet më 17 shkurt. 

Dramaturgu Jeton Neziraj, dramat e të cilit janë përkthyer në më shumë se dhjetë gjuhë e janë inskenuar deri në Nju-Jork, thotë se identiteti kulturor i Kosovës ka ecur krahas identitetit që ka formësuar shteti i ri, e ndonjëherë ai ka qenë edhe një hap më përpara. 

“Ngjarjet e ndryshme kulturore, debatet që ka nxitur e prodhuar kultura, kanë pasur pa dyshim ndikim të jashtëzakonshëm në gdhendjen e identitetit të shtetit të ri. Natyrisht, kjo është ajo fuqia – shpesh e padukshme – e artit për t’u prirë proceseve, për t’u bërë mjet ndryshimi dhe për ta emancipuar e zhvilluar shoqërinë. Skena artistike në Kosovë ka qenë njëlloj gardiani i zhvillimit dhe mirëmbajtjes së demokracisë në Kosovë”, thotë Neziraj. 

Skena kulturore e Kosovës shpesh ka çuar pluhur për dukuri të brendshme edhe të jashtme në raport me shtetin. Kush më pak e kush më shumë s’kanë kursyer tendencat politike e as grupet e interesit. Madje nëpërmjet artit është kritikuar edhe bashkësia ndërkombëtare në Kosovë. Neziraj nuk e ka bërë rrallë këtë.

Kultura në fazën e “adoleshencës hibride”

Filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi është vrojtues i hollë i zhvillimeve kulturore në vend. Identiteti kulturor i Kosovës sipas tij është ashtu sikur shteti që është “work in progress”, por që progresin gradual po e bllokojnë frenat e mentaliteteve dhe institucionet e trashëguara regresive dhe konservatore. 

“Ashtu edhe kultura po ngec në zhvillim dhe nuk ka krijuar identitet të përcaktuar (ose, më parë, identitete, sepse nuk është e thënë e edhe nuk duhet të jetë uniforme), por është në fazën e adoleshencës hibride”, thotë ai. Në vrojtimin e Maliqit, kultura kosovare ka qenë e ndikuar dhe e sunduar nga folklorizmi dhe provincializmi sepse për shumë shekuj Kosova ka qenë krahinë e largët e shteteve dhe kulturave sunduese, ku shumica e popullsisë ka qenë e paedukuar dhe pa mëvetësi. 
“Dhe edhe në epokën e modernizmit, vetëm pjesërisht janë hapur, me pengesa, mundësitë e edukimit masiv dhe kyçjen në rrjedhat botërore. 17 vjet janë periudhë e shkurtër, praktikisht adoleshencë, për maturim edhe politik, edhe kulturor”, thotë ai. Ka përmendur se Kosova e ka pasur edhe një periudhë autonomie politike dhe kulturore kur janë krijuar institucionet bazike të kulturës bashkëkohore moderne si Universiteti, Akademia, “Rilindja” si shtëpi botuese monopoliste, Radio dhe televizioni, Teatri e të tjera me radhë. Dhe aty ka bazamente me vlerë të
kulturës së të sotmes. 

“Por është edhe traditë me tendencë petrifikimi”, thotë ai. 

Me periudhën që e përmend Maliqi merret gjerë e gjatë akademik Mehmet Kraja në librin e tij publicistik, “Identiteti kosovar”.

Shfaqja e një Kosove që po zgjohej

Mehmet Kraja, tash kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e shoshit identitetin kosovar në disa aspekte. Midis tyre edhe atë kulturor. Është goxha kritik në veprën e tij të vitit 2011 të cilës thotë se asaj nuk ia heq asnjë presje. Për vitet ‘60 e më pas, kur edhe arti pamor po zinte hapësirë në Kosovë, Kraja thotë se ata që studionin në kryeqytetet e republikave jugosllave në Kosovë sillnin edhe imitime e “epigonizëm të thellë krijues”. Kraja thotë se enigma e suksesit të “Ervehesë” ende hijezon të gjitha shfaqjet e teatrit kosovar. 

“Me 120 reprizat e mbajtura në Prishtinë, me sallën e mbushur plot; dhe me turnetë e shumtë gjithandej Kosovës ku gjendej një sallë dhe një skenë, ‘Erveheja’ krijoi kulturën teatrore të Kosovës”, shkruan Kraja në “Identiteti kosovar”. Sipas tij, nga tradicionalizmi dhe orientalizmi, ku mund ta zhvendoste subjekti, shfaqjen e nxirrte mrekullisht shprehja e avancuar skenike, që nga loja e aktorëve, rituali e deri skenografia, kostumet dhe dritat. Kraja shkruan se me këtë shfaqje, Kosova bënte përpjekje të dilte nga provincializmi, nga ngushtësia e një ambienti të prapambetur dhe po merrte rrugën e emancipimit. 

“Pra, konteksti i kësaj shfaqjeje nuk ishte vetëm teatror dhe artistik, ishte edhe kulturor, edhe shoqëror, edhe politik. Ajo ishte shenjë e një Kosove që po zgjohej, që po ndryshonte raportet me trashëgiminë e saj tradicionale, me ideologjinë dhe dogmën socialiste, sikundër edhe me kulturat dhe popujt e tjerë të hapësirës së atëhershme jugosllave. Ajo ishte shfaqje e identitetit të veçantë të Kosovës në mesin e atyre kulturave”, shkruan ai. Kraja “Ervehenë” e sheh si zgjim kulturor dhe zë kundërshtues kundër padrejtësisë. Akademiku shkon deri në pikën sa thotë se shfaqja kishte mesazh të qartë: “Kosova nuk e pranonte më 'dënimin e pamerituar', një dënim për fajin që nuk e kishte bërë”. Në leximin e akademik Krajës, publiku jashtë Kosovës e ka marrë këtë mesazh, por ai brenda nuk e kishte krejt të qartë këtë porosi. 

Por në anën tjetër, autori i tekstit, Ahmet Qirezi, e kishte shpjeguar krejt thjesht veprën e tij. 
“Temën të cilën e përcaktova unë ishte ajo mbi dashurinë dhe besnikërinë, të personifikuara në personin, luftën jetësore dhe fatin e një gruaje: Ervehesë”, thotë Ahmet Qirezi, në parathënien e botimit të dramës në vitin 2007. 

Për shumë akterë të teatrit të sotëm, “Erveheja” edhe sikur të inskenohej s’do të mund të jepej jashtë vendit, e brenda Kosovës do të ishte thjesht një shfaqje më shumë. Pa kontekstin e kohës e skenën e shkretë teatrore të Kosovës s’do të peshonte gjë. E mbi të gjitha s’do të ishte e kohës. 

Të kohës, Shkëlzen Maliqi nuk i sheh as shumë institucione që janë baza e shkencës dhe e artit në Kosovë. 

“Për shembull, ASHAK dhe UP kanë mbetur institucione pothuajse imobile, sidomos Akademia, që po degradon, pa asnjë përpjekje për fuqizim dhe përshtatje të kërkesave të kohës”, thotë Maliqi. Sipas tij, në këto vitet e pavarësisë kultura që e përkrah shteti, po ashtu është imobile, prodhon pak vlera, dhe ato më shumë mediokre. 

“I vetmi institucion që ka arritur progres ka qenë Qendra Kinematografike e Kosovës, për pak kohë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, sepse kanë arritur t’u përshtaten standardeve bashkëkohore të prodhimit të kinematografisë dhe arteve bashkëkohore”, thotë Maliqi. Përmend se ka pasur filma që kanë marrë çmime nëpër festivale dhe artistë pamorë që janë afirmuar ndërkombëtarisht.

Në 17-vjetorin e pavarësisë, Kosova ia ka shfaqur botës identitetin e saj kulturor nëpërmjet teatrit, muzikës e filmit... (Foto: Driton Paçarada) 

Rilindja e kinemasë dhe një valë e re

Në kinematografi, Kosova ka krijuar identitet të lakmuar ndërkombëtar. Sot (e diel) në Festivalin e Filmit në Berlin, jepet premiera botërore e filmit të Alban Mujës, “Mua besoj më shpëtoi portreti”. Zbardh një rrëfim të një shqiptari të Kosovës zënë peng nga forcat serbe. Ajo që shihet si vala e re e kinematografisë së Kosovës hovin ka nisur ta marrë në vitin 2012, kur filmi “Kthimi” nën regji të Blerta Zeqirit i solli Kosovës për herë të parë çmim të madh ndërkombëtar, atë të Festivalit të Sundance. Zeqiri aktualisht është drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Si krijuese është larg më e mirë sesa si menaxhere. 

“Absolutisht sot Kosova ka një identitet të vetin kinematografik”, thotë Eroll Bilibani, i cili udhëheq me programin “DokuLab” në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Ky Festival është më i vjetri i filmit në vend. I themeluar në Kosovën e pasluftës së fundit u bë urë ndërlidhëse midis kinematografisë botërore dhe Kosovës. “DokuFest” njihet gjithandej me shumë kredibilitet. Është partner i disa festivaleve të mëdha, madje edhe të Cannes. Pjesë e stafit si selektor i filmave të shkurtër është edhe Samir Karahoda. Ai ka arritur që me filmat e tij, “Pa vend” e “Rrugës” ta dërgojë Kosovën dy herë në konkurrencën zyrtare të Festivalit të Cannes. E me “Në mes” arriti në konkurrencë zyrtare të “Berlinales”. Janë rrëfime të thjeshta jetësore të shqiptarëve të Kosovës që përballen me sfida të shumta. “Zgjoi” i Blerta Bashollit arriti deri te lista e ngushtë para nominimeve për “Oscar”, e bashkëprodhimi i Kosovës “Shok” u nominua për “Oscar” më 2016. Janë filma që trajtojnë luftën e fundit në Kosovë nga këndvështrime të ndryshme. Lista e filmave të suksesshëm të Kosovës nuk është e shkurtër. Janë dhjetëra çmime të festivaleve ndërkombëtare në kontinente të ndryshme që e kanë bërë Kosovën të pranishme gjithandej botës. 

Eroll Bilibani thotë se kinematografia është prej shtyllave kryesore të promovimit të vendit ndërkombëtarisht. Sipas tij, festivalet në Kosovë kanë sjellë praktika të mira ndërkombëtare, kinematografinë botërore e kineastë botërorë që kanë ndarë përvojën e tyre me të rinjtë. 

“Këto kanë bërë që në këto vitet e fundit të kemi një rilindje të kinemasë së Kosovës. Me mangësinë e shtetit tonë në numër të banorëve e me buxhet që ka pasur kinematografia, sukseset kanë qenë të jashtëzakonshme. Duhet të jemi krenarë me këtë nivel të kineastëve tanë. Jemi përfaqësuar në secilin kontinent e në secilin festival të madh”, thotë Bilibani, i cili është shpesh në festivale të mëdha. Sipas tij, në kohë të shkurtër të pasluftës, e pastaj qysh nga shpallja e pavarësisë janë arritur suksese të mëdha me një buxhet të vogël. 

“Jam i lumtur që jam në këtë fushë pasi kur dal jashtë vendit mund të krenohem me sukseset e kineastëve, sidomos të gjeneratës së re”, thotë ai. Ka veçuar se sidomos regjisoret kanë arritur të sjellin një sensibiltet të trajtimit të temave të grave dhe vajzave që janë prekur nga situatat e luftës apo të pasluftës.

“Kjo është edhe gjenerata e parë e grave regjisore në Kosovë. Është prej shembujve më të mirë jo veç në rajonin tonë ballkanik por edhe në Evropë”, thotë ai. 

Në Evropë artistët e Kosovës kanë depërtuar me të madhe. Përtej filmit, këtë muaj, në atë që shpesh përshkruhet edhe si kryeqyteti kulturor i botës po qëndron artisti bashkëkohor i Kosovës, Petrit Halilaj.

Zërat artistikë që pushtojnë botën

Për një muaj ai po qëndron në rezidencë në Operën e Parisit. Në 150- vjetorin e Pallatit Garnier – një prej dy hapësirave që përdor Opera e Parisit – Halilaj është një prej artistëve të veçantë të përzgjedhur për rezidencë. Do të krijojë një vepër për këtë institucion. Vjet Halilaj ka prekur një prej institucioneve që e lakmon secili artist: Muzeun Metropolitan të Nju-Jorkut. Me veprën “Abetare” ai ka shpalosur frikët, ëndrrat e realitetin e fëmijëve të Kosovës e të Ballkanit. Historitë e fshatit të tij, Runik i Skenderajt në 15 vjetët e fundit i ka ndarë me vizitorët e galerive e muzeve më me nam në botë. Në disa vende të botës kanë arritur edhe disa institucione vendore. Baleti Kombëtar i Kosovës ka interpretuar deri në Nju-Jork. E Filharmonia e Kosovës ka arritur të prezantohet në shumë shtete, deri në Azi. Deri në Azi ka arritur edhe kori “Siparantum” duke marrë çmime në gara të rëndësishme të muzikës korale në botë. Në njëfarë forme, Kosova është shndërruar në një laborator kulturor prej ku dalin rrëfime e artistë të ndryshëm. 

Dramaturgu Jeton Neziraj thotë se identiteti i një shteti është si një hambar, dhe ai edhe kur është i zbrazur, prapë hambar mbetet. 

“Megjithatë, e rëndësishme është se çfarë ka në atë hambar, çfarë lloj ushqimi. Identiteti i Kosovës ka qenë (e akoma është) duke u ndërtuar, duke u gdhendur e duke marrë formë. Njëlloj identiteti në formim e sipër, në një proces që u ka dhënë mundësi të gjithëve të kontribuojnë”, thotë ai. Sipas Nezirajt, kanë garuar e janë përballur mes vete natyrisht politika, kultura, religjioni, çështjet gjinore, gjuhësore e kështu me radhë. Dhe këto, sipas tij, shpesh kanë qenë në konflikt e në mospajtime me njëra-tjetrën. 

“Megjithatë, kam përshtypjen që, në përgjithësi, Kosova është krijuar dhe po krijohet si një shtet mbi baza e themele të shëndosha, mbi vlera e parime të demokracisë, të drejtave të njeriut e të një harmonie religjioze. Por kjo nuk duhet të na trimërojë, përkundrazi, njëlloj alarmi i kurdisur është gjithmonë i nevojshëm”, thotë Neziraj. Sipas tij, Kosova nuk është një ishull i izoluar. Përkundrazi është pjesë e një ekosistemi gjeopolitik, pjesë e rrymave që shpesh navigojnë në drejtime të kundërta prej atyre çfarë synon e aspiron shoqëria. 

“Busulla mund të humbë lehtë, natyrisht”, thotë ai. Këshillon se janë disa shtylla thelbësore që duhet të forcohen e mirëmbahen: demokracia, kultura, edukimi, mirëqenia ekonomike, harmonia fetare dhe stabiliteti politik. 

“Ka natyrisht edhe çështje të tjera, po aq të rëndësishme, por mendoj që, kur këto shtylla që përmenda janë funksionale, të tjerat janë më kollaj të menaxhueshme dhe të arritshme”, thotë Neziraj. 

Por ka një shtyllë që Kosova s’po ia del kurrsesi ta ngrejë: infrastruktura kulturore. Shteti s’e ka një sallë të vetme koncertale. Ditëve të fundit në kulm të fushatës elektorale është prezantuar projekti ideor i Teatrit të Operës dhe Baletit, projekt i danezit Bjarke Ingels. Ka gati dy dekada që diskutohet për këtë projekt e janë vënë edhe gurthemele qysh më 2009. Por, s’ka ecur para. 

Infrastrukturën e përmend Shkëlzen Maliqi. Derisa përmend sukseset e QKK-së dhe GKK-së, shton se edhe në këtë rrafsh institucional ka regres. 

“Ka regres sepse pushteti që veten e sheh si progres po ndërhyn me vendime arbitrare që nuk e kanë zhvilluar as infrastrukturën e as avancimin e statusit të krijuesve”, thotë Maliqi. Te kultura e pavarur ka përmendur disa organizata, përfshirë festivalin e animacionit “Anibar” e “Autostrada Biennale”. Është një bienale tjetër ku artistët kosovarë kanë nam.

Kosovarizma kulturore e çrregullimit

Në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias vëmendje të madhe do të merrte një djalosh i ri thatanik më 1997. Me një top futbolli e veshjen e futbollistëve të Shqipërisë, kosovari Sislej Xhafa do të provokonte jo veç vizitorët, por edhe mediet prestigjioze me “Pavijonin ilegal”. Po protestonte për faktin se përse Shqipëria s’po përfaqësohej në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor. Për disa artistë shqiptarë, “Pavijoni ilegal” është vepra e parë e artit bashkëkohor në artin shqiptar. Arti midis shqiptarëve shpesh ndez debate me zell. Nëse ka letërsi kosovare e kulturë kosovare është pyetje që ndez gjakrat jo rrallë. 

Akademik Mehmet Kraja thotë se kultura dhe artet në Kosovë, me rrjedhën e tyre të natyrshme shkojnë drejt krijimit të një hapësire të përbashkët kulturore shqiptare, si treg unik kulturor. Në perspektivën e tij, kundër këtij procesi janë ithtarët e kosovarizmës kulturore, “të cilët janë duke ndihmuar në të gjitha mënyrat që Kosova të vuajë një çrregullim të madh kulturor”. 

“Në emër të veçantive kulturore të Kosovës, ata synojnë zhbërjen e njësisë kulturore kombëtare. Paradoksalisht ata mbështesin krijimin e tregjeve unike të hapësirave më të gjëra rajonale dhe evropiane, ndërkohë që janë kundër tregut unik kulturor shqiptar. Kultura e Kosovës tashmë ka filluar ta vuajë ngushtësinë e tregut të saj”, shkruan Kraja tek “Identiteti kosovar”. Sipas tij, për shkak të mungesave në emancipim, për shkak të mungesës së traditës, por edhe për shkak të përmbajtjeve të papërshtatshme kulturore dhe zërave disonantë, recipienti i Kosovës nga një recipient i munguar, gradualisht po kthehet në recipient refuzues. 

“Po kaq të dëmshme për kulturën e Kosovës kanë qenë ndërhyrjet e fondacioneve të jashtme, të cilat, më një anë, kulturën e Kosovës e kanë perceptuar vetëm si trashëgimi historike ose etnografike, pra si një relikte muzeore dhe jo si një veprimtari aktive, dinamike. Më anë tjetër, janë pikërisht këto fondacione që tashmë janë duke e shtyrë pothuajse dhunshëm kulturën e Kosovës drejt hapësirës së rikrijuar kulturore jugosllave, ku ajo nuk e ka pasur vendin as atëherë kur Jugosllavia ishte shtet i vërtetë”, konstaton akademik Kraja. 

Por bashkëpunimi kulturor me Shqipërinë mbetet një tentim i Kosovës e njëfarë hezitimi, shpesh edhe refuzim i Shqipërisë. Prej vitit 2014 për nja shtatë a tetë vjet, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar kalendarë të përbashkët kulturorë. Zakonisht institucionet e Shqipërisë me arsyetime “për mungesë buxheti” e deri tek ato banale “s’kemi kaldajë për ngrohje”, s’kanë pritur e s’kanë bashkëpunuar me institucionet e Kosovës. Artistët nga Kosova ia kanë dalë që të depërtojnë në Evropë e përtej saj dhe në njëfarë mënyrë kanë bërë me dije se s’kanë kohë të lusin shumë institucionet e artistët nga Shqipëria. Një hap pozitiv është festivali kombëtar i teatrove “Moisiu” që bën bashkë teatrot kryesorë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Arti në Shqipëri gjatë monizmit ka qenë i rrymës së realizmit socialist. Masa në Kosovë e ka dashur atë art pa qenë fort e vetëdijshme për estetikën, por veç sherri i një dashurie të pakusht për Shqipërinë. 

Institucionet e artistët shqiptarë megjithëse estetikisht tejet larg atyre nga Kosova, vazhdimisht kanë pasur një tendencë për të treguar me fjalë se i takojnë një tjetër niveli. Për disa artistë në Kosovë i “takojnë gjeneratës që s’ka treg të jashtëm përtej Shqipërisë” dhe flasin për hapësirë të përbashkët kulturore. 

Se cila do të jetë e ardhmja në këtë aspekt, mbetet të shihet. Por identiteti kulturor i Kosovës ka prekur adoleshencën. Për pjekurinë e qëndrueshmërinë që do të ketë, mbetet të shihet.