Shtojca për Kulturë

Ibrahim Kadriu, shkrimtari i cili flet për atë që nuk është thënë

c

Për Ibrahim Kadriun, krijimtaria nuk është veçse pasqyrim i përjetësisë së njeriut. Ai e koncepton librin si një urë ndërmjet brezave, një thesar që përmban jo vetëm fjalën e bukur, por edhe frymën, vuajtjen dhe shpresën e një kombi (Foto: Driton Paçarada)

Në çdo poezi, tregim apo roman, Kadriu ndjek një rregull të fshehtë: ai flet për atë që nuk është thënë, për atë që rrëfimi i zakonshëm nuk guxon ta prekë. Ai është deti i heshtur që fsheh valët e thella të përjetimit njerëzor, për të shpërthyer pastaj në bregdetin e mendjes së lexuesit. Në këtë mënyrë, fjala e tij nuk vdes; ajo rizgjohet në lexuesin që guxon të dëgjojë, të ndjejë dhe të mendojë

Në panteonin e letërsisë shqipe, emri i Ibrahim Kadriut qëndron si një gur i gdhendur me durimin e shekujve. Poeti, prozatori, publicisti, pedagogu, kronisti i shpirtit kolektiv – Ibrahim Kadriu nuk shkroi thjesht libra, por ndërtoi arkiva emocionale të një kombi, shtëpi narrative ku strehohen kujtesa, plagët, ëndrrat dhe kthesat e fatit historik.

Qysh me daljen e tij të parë me “Netët e Karadakut” (1969), ai solli një zë që dridhej si tel lahute në prag beteje – poetik, melankolik, por mjaftueshëm i fortë. Në “Qyteti i luleve” dhe “Pranvera shikon nga bregu”, ai dëshmoi se ndjeshmëria e tij nuk njeh pengesa moshe, ideologjie a kohe – ajo buron nga identiteti, nga rrënja, nga fjala si atdhe.

Vula që e identifikoi Kadriun – poetin e kujtesës kombëtare mbetet “Elegji ditës” (1964), pjesë e librit “Netët e Karadakut” (1969), një elegji e shkruar në ditën e arrestimit të Adem Demaçit dhe bashkëveprimtarëve të tij, përfshirë edhe poetin dhe mësuesin e popullit Fazli Grajçevcin, i cili pastaj nga torturat vdes në stacionin e policisë në Prishtinë.  Kjo poezi nuk është thjesht një tekst letrar; është një altar i dhimbjes dhe i qëndresës, një kujë e ngritur në epikë, një fener moral që nuk u shua as atëherë kur errësira synonte të bëhej normë.

Kadriu nuk qëndroi gjatë nën hijen e një zhanri. Ai u zgjerua, krahas zhvillimit dhe formimit të  tij si krijues, që po i rrekej me guxim artit të fjalës.  Me “Diçka po ndodh” dhe “E lumi rridhte”, ai provoi se pulsi i tij krijues di t’i mbajë ritmet e shumë instrumenteve: poezisë, prozës, dhe rrëfimit të kondensuar filozofik. Me “Pas kthimit” (1975), Kadriu u fut në tempullin e romanit – dhe nuk doli më prej aty; e bëri atë hapësirën e tij të preferuar për të shpalosur njeriun e veprimit, të brengës, të dilemës, të fatit tragjik e të dinjitetit.

Ky shkrimtar e ushqen romanin me jetë, dhe narracionin nuk e përdor si stoli fjalësh. Në romanet “Kroi i Ilaçit”, “Spirale muzgu”, “Frymëmarrje në shtjellë”,  “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Kapërcimi i ujit të madh”, ”Zogjtë fluturojnë vetë”,  “Kalorësi i Karadakut”,  “Të vdekurit e gjallë”,  “Varri i shitur në Damask” , ai nuk rrëfen thjesht ngjarje – ai ndërton fate, i vendos ato në rrymën e historisë, i zhvesh nga retorika boshe, i pajis me mish, pasion dhe kundërthënie. Personazhet e tij nuk janë monumente prej mermeri, por njerëz me puls, frikë, guxim e kontradiktë. Kadriu nuk moralizon; ai vë përballë njeriut pasqyrën e tij vetjake dhe i thotë: njihe veten.

Po aq i natyrshëm dhe i dëlirë është zëri i tij në letërsinë për fëmijë – aty ku gurgullima e fjalëve dhe e mendimit nuk zhurmon, por ngroh. Me “Pranvera shikon nga bregu”, “Çuni i kohës së Lekës” dhe disa libra të tjerë për të vegjlit, ai nuk “zbret” në botën e fëmijës, por bisedon me të si i barabartë, duke e edukuar me imagjinatë, jo me doktrina, me shembuj, jo me urdhra, me ndjenja, jo me ligjërime retorike.

Për të qenë një shkrimtar që provonte se misioni i tij shkonte përtej rutinës letrare, Ibrahim Kadriu nuk u kufizua vetëm te krijimtaria artistike. Ai i dha kulturës shqipe libra që ruajnë biografitë morale të kombit, si monografitë për Agim Ramadanin, Ramiz Cernicën, si dhe “Buzëqeshje miqsh”, ku ai s’është thjesht intervistues, por arkitekt i kujtesës publike, njeri që shënon e shpëton nga humbja figurat që i dhanë gjak e zë këtij vendi.

I papërmbajtur nga asnjë klishe, Kadriu i provoi edhe limitet e humorit në kohë të ankthit kolektiv me “444 arsye për të qeshur” dhe “555 arsye për të qeshur”, duke vërtetuar se satira s’është ikje nga realiteti, por mbijetesë brenda tij.

Krijimtaria e tij, e përkthyer në anglisht,  turqisht,  frëngjisht, gjermanisht, italisht, arabisht, rumanisht, norvegjisht, serbisht e gjuhë të tjera, e shtrinë letërsinë shqipe në tavolina studimi, biblioteka e antologji ndërkombëtare, duke e bërë Kadriun një prej ambasadorëve më emblematik të identitetit kulturor shqiptar.

Kritika letrare e ka ndjekur hap pas hapi. Emra si Rexhep Qosja, Ali Aliu, Mahmud Hysa, Anton Nikë Berisha, Mensur Raifi, Vehap Shita, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja,  Teki Dervishi, Ramadan Musliu, Labinot Berisha, Arsim Halili, e shumë të tjerë, e kanë lexuar, analizuar, interpretuar dhe rikonfirmuar si zë me peshë të veçantë në letërsinë kombëtare. Ai ka qenë i pranishëm në shtypin e Prishtinës, Tiranës, Shkupit, Beogradit, Bukureshtit, Parisit e Kajros – çka nuk e bën thjesht shkrimtar lokal, por autor me koordinata ndërkulturore.

Kadriu nuk e ndan letërsinë nga njeriu, as njeriun nga fati i bashkësisë. Ai shkruan me bindjen se fjala është akt qëndrese, se kultura është mburoja më fisnike e një kombi, se kujtesa nuk duhet ruajtur vetëm në arkiva, por në ndërgjegje.

Në çdo poezi, tregim apo roman, Kadriu ndjek një rregull të fshehtë: ai flet për atë që nuk është thënë, për atë që rrëfimi i zakonshëm nuk guxon ta prekë. Ai është deti i heshtur që fsheh valët e thella të përjetimit njerëzor, për të shpërthyer pastaj në bregdetin e mendjes së lexuesit. Në këtë mënyrë, fjala e tij nuk vdes; ajo rizgjohet në lexuesin që guxon të dëgjojë, të ndjejë dhe të mendojë.

Për Kadriun, krijimtaria nuk është veçse pasqyrim i përjetësisë së njeriut. Ai e koncepton librin si një urë ndërmjet brezave, një thesar që përmban jo vetëm fjalën e bukur, por edhe frymën, vuajtjen dhe shpresën e një kombi. Çdo vepër e tij është një dokument, një dëshmi dhe një këshillë e heshtur, se kujtesa dhe identiteti janë vlera që kërkojnë përkushtim dhe respekt.

Në 80-vjetorin e tij, Ibrahim Kadriu nuk kremton thjesht moshën – ai kremton edhe raportin e tij me fjalën që i mbijetoi kohës, gjuhën që i mbijetoi harresës dhe shpirtin krijues  që nuk pranoi t’i dorëzohej errësirës. Ai mbetet shkrimtari që ecën para, por kurrë pa e marrë me vete të shkuarën. Ai që shkruan për kombin, por flet për njeriun, ai që krijoi një letërsi-kala, brenda së cilës ruhen identiteti, dinjiteti dhe kujtesa e përjetshme. Në çdo rresht të tij ndjejmë thirrjen për të mos harruar, për të kuptuar dhe për të qëndruar vertikalisht e njerëzor në çdo hap e, në ecejaket jetësore, edhe kur koha ishte e pamëshirshme.

Nëse letërsia klasike franceze i atribuohet një shkrimtari, prej romaneve të të cilit do të nxirrnin mësime shumë ekonomistë e financierë, siç ishte Balzaku, letërsia shqipe do t’i atribuohet shkrimtarit Ibrahim Kadriut, i cili  me magjinë e tij të të rrëfyerit arriti të shtrijë në kujtesën e publikut gjeografinë e toposeve letrare, sidomos të Karadakut, prej nga është edhe origjina e tij.  Në 80-vjetorin e lindjes së tij, kjo gjeografi bëhet edhe më kuptimplote, për aq sa vepra e tij do të vazhdojë të nxisë kërshërinë e leximit dhe të studimit, tash dhe në të ardhmen.