Shtojca për Kulturë

“Gjon Buzuku” i Prizrenit – dëshmi për themelet e arsimit shqip

“Historia e Gjimnazit të Prizrenit (Monografi për gjimnazin ‘Gjon Buzuku’ 1855 – 1968)”, e Beqir Letajt, është vepra e cila vjen në shënimin e përvjetorit të shkollës dhe zbardh historinë jo vetëm të njërit prej gjimnazeve më të vjetra në Kosovës, por edhe të fillesave të arsimit shqip në këto anë. Autori Letaj ka theksuar se përmes këtij libri është munduar të tregojë se si “shkolla shqipe ka kaluar nëpër një kalvar historie

Kthimi i nxënësve dhe mësimdhënësve në godinën e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren në shtator të vitit 1999 kishte shtyrë ish-drejtorin Abib Ahmeti që të insistonte për hartimin e monografisë së shkollës. Kishte propozuar që mësimdhënësit Hajdar Mallakaj dhe Beqir Letaj të merreshin me përgatitjen e historikut të gjimnazit. Të dy ishin pajtuar, por kjo nismë kishte ngecur shkaku i vështirësive të shumta të kohës së pasluftës, si dhe materialeve të pasistemuara në Arkivin Ndërkomunal.

Mirëpo para disa vjetësh, mësimdhënësi Beqir Letaj i është përveshur punës për jetësimin e këtij projekti. Këtë javë, për nder të shënimit të përvjetorit të shkollës, është përuruar libri i tij “Historia e Gjimnazit të Prizrenit (Monografi për gjimnazin ‘Gjon Buzuku’ 1855 – 1968)”. Episodin lidhur me idenë për krijimin e kësaj vepre, në ceremoninë e përurimit, e ka theksuar edhe Hajdar Mallakaj, duke përkujtuar se pas përfundimit të luftës, përkatësisht 9 vjet pas largimit të dhunshëm nga shkolla, ishin kthyer në godinë, ku drejtori Ahmeti në hyrje i kishte uruar nxënësit e mësimdhënësit.

“Ju ka sulmuar Perëndia e Luftës dhe ju ka mbrojtur Perëndia e Paqes dhe e Jetës. Duhet puthur pragu i derës së shkollës sikur të ishte tempulli i perëndive ilire”, ka thënë Mallakaj, duke cituar fjalët e Ahmetit, sikurse edhe insistimin e ish-drejtorit për ta përgatitur monografinë e shkollës. Mallakaj ka pranuar se atëherë ishin paraqitur shumë pengesa, por se autori Beqaj pas një kohe të konsiderueshme ka arritur që ta kryej me sukses këtë detyrë.

Ish-drejtori Ahmeti ka konfirmuar kërkesën e tij, duke sqaruar para të pranishmëve se largimi me dhunë nga shkolla e më pastaj bombardimi 78-ditor kanë qenë momentet kur ai ka pyetur veten nëse shkolla do të hapet sërish për nxënësit e mësimdhënësit dhe se pikërisht këto ngjarje e kanë shtyrë që të shprehë fjalinë për puthjen e pragut të shkollës. E në vijim ka theksuar se historia e kësaj shkolle është e gjatë dhe se fillon nga shekulli XIX.

“Sa i përket datëlindjes së shkollës, historianët vështirë se mund të merren vesh. Por si do që të jetë, fakt është se Perandoria Osmane pas Tanzimatit fillon t’i japë disa shenja të marrjes së rrugës kah Evropa. Asokohe Prizreni ngrihet në njërin nga qytetet më të përparuara zejtare të Rumelisë, ka qenë përkrah me Selanikun e Shkupin. Asokohe në Prizren ka pasur 124 lloje zejesh...Jo rastësisht Ruzhdija duhet të jetë hapur në atë kohë dhe nga 1855, siç thotë Beqiri, në 1874 të ketë kulmuar me hapjen e Ruzhdijes. Ruzhdija për dallim prej mejtepeve ka qenë shkollë laike dhe me programe të përafërta me gjimnazin, ndonëse ka qenë e ultë. Beqiri i ka përmbledhur shumë mirë këto të dhëna dhe prej asaj kohe deri më sot gjimnazi i ka 148 vjet, afër një shekull e gjysmë histori që është për lakmi”, ka thënë Ahmeti, që sikurse autori është historian.

Sipas tij, mësimi në gjimnazin e Prizrenit gjatë periudhave të ndryshme është zhvilluar në gjuhë të ndryshme.

“Mësimi në kohën e Perandorisë Osmane është zhvilluar arabisht dhe persisht. Me ndërrimin e regjimeve në vitin 1913 gjimnazi e fillon punën në gjuhën serbe, deri në vitin 1941. Në vitin 1941 hapet për herë të parë gjimnazi në gjuhën shqipe”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërsa Beqir Letaj në libër pohon se rreth gjysmës së dytë të shekullit XIX, në kuadër të reformave në Perandorinë Osmane, theks i veçantë i është kushtuar fushës së arsimit laik dhe se produkt i këtyre angazhimeve ka qenë edhe hapja e gjimnazit të ulët – Ruzhdije dhe Idadijes jo të plotë të Prizrenit. Në të njëjtën kohë, duke iu referuar dhe studiuesve të tjerë, më saktësisht librit “Shkollat dhe arsimi në Kosovë” të autorit Sadik Mehmeti, Letaj citon se “Shkolla ruzhdije në Prizren është hapur në vitin 1855-6 (1272/H)” dhe se konsiderohet si shkolla më e vjetër e këtij niveli në Kosovë.

Image
Për nder të shënimit të përvjetorit të shkollës, të premten, është përuruar libri i tij “Historia e Gjimnazit të Prizrenit (Monografi për gjimnazin ‘Gjon Buzuku’ 1855 – 1968)”

Mehmeti, në cilësinë e recensentit, ka bërë të ditur se monografia për gjimnazin e Prizrenit e autorit Letaj paraqet një kontribut të vlefshëm, ku në mënyrë kronologjike trajtohen shumë probleme, jo vetëm shkollore e arsimore të këtij institucioni, por edhe me karakter shoqëror e politik të Prizrenit me rrethinë në periudha të ndryshme, duke ofruar një “letërnjoftim” të gjimnazit të Prizrenit, sikurse edhe dëshmi të kaluarës së qytetit të Prizrenit.

“Monografia paraqet një studim origjinal, i cili ka të bëjë me një shkollë të caktuar që deri më sot nuk ka qenë pjesë dhe nuk është përfshirë në hulumtimet e kësaj natyre. Ajo është rezultat i një pune kërkimore shkencore relativisht të gjatë, siç e thotë edhe vetë autori në parathënien e tij dhe e cila është e kryesisht është mbështetur në burime arkivore dhe në një literaturë të pasur”, ka thënë Mehmeti. Sipas tij, edhe pse monografia mbulon një periudhë të gjatë nga viti 1855 e deri në vitin 1968, autori ka arritur që të ofrojë një pasqyrë të tërësishme të historikut e veprimtarisë së gjimnazit në Prizren.

“Këtu janë përfshirë periudhat më kryesore dhe rrugëtimi nëpër të cilin kaloi kjo shkollë që nga institucionet pararendëse të saj, shkolla e mesme ruzhdije, gjimnazi Idadije, e të tjera e deri në vitin 1968, që është marrë si përcaktues përmbyllës i këtij harku kohor nëpër të cilin kaloi e veproi ky gjimnaz”, është shprehur Mehmeti.

Recensenti tjetër i librit, Zog Çoçaj, ka theksuar se libri në fjalë zbardh shumë të vërteta për gjimnazin në Prizren, që nga themelimi e deri në periudha të vonshme.

“Për gjimnazin e Prizrenit, i cili mban me krenari emrin e humanistit shqiptar, Gjon Buzuku, deri më tash nuk është publikuar as edhe një monografi modeste. Këtë boshllëk në masë të konsiderueshme e plotëson profesori i historisë, Beqir Letaj ,me këtë monografi”, ka thënë ai.

Autori Letaj ka theksuar se përmes këtij libri është munduar të tregojë se si “shkolla shqipe ka kaluar nëpër një kalvar historie, sepse libri ishte mollë e ndaluar”.

“Shkolla shqipe ka kaluar nëpër vështirësi, prandaj edhe duhet historiku i saj të vlerësohet. Jo vetëm të vlerësohet, por gjeneratat e reja të motivohen të mësojnë, sepse vetëm duke u arsimuar mund të bëhemi me vlerë dhe të jemi popull i emancipuar në familjen evropiane”, ka deklaruar Letaj.

Në anën tjetër u.d. drejtori i gjimnazit “Gjon Buzuku”, Jeronim Susuri, ka shprehur mirënjohje për punën e Letajt, që dorëshkrimet e bëra me dekada të tëra, “në fund i ka bashkuar në një monografi, të cilës besoj se do t’ia shohim hairin edhe si institucion, edhe si shoqëri, për shkak se informatat për të kaluarën e këtij institucioni shkollor kemi mundësi t’ua bartim edhe gjeneratave të tjera”.

Gjimnazi “Gjon Buzuku” është njëri prej gjimnazeve me numër më të madh të nxënësve në Kosovës, duke u renditur i dyti pas gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës. Aktualisht mësimi në të zhvillohet në gjuhën shqipe, gjuhën boshnjake dhe gjuhën turke.