Formula e pagëzimit është formulë e pagëzimit të shqipes së shkruar dhe merr karakterin e një dokumenti dhe të një monumenti kulturor shqiptar dhe pikënisjen e letërsisë shqipe. E dëshmon Autorin, Pal Engjëllin, shqiptar; e dëshmon Kumtin në shqip ; e dëshmon Vendin e shkrimit, Matin, tokën shqiptare ; e dëshmon Alfabetin latin. Të gjitha këto dëshmi të shprehura në një Formulë nisën shumëfish dramën kulturore e shpirtërore shqiptare
Formula e pagëzimit (1462)
Formula e pagëzimit është dokumenti më i vjetër i shkruar shqip i datuar me saktësi. Kryeipeshkvi i Durrësit, imzot Pal Engjëlli (1417–1470) më 8 nëntor 1462 kishte shkruar një Letër qarkore në latinisht (Constitutiones), të cilën e kishte nisur nga Kisha e Shenjtes Trini në Mat. Kishte porositur meshtarët që ta këshillonin popullin që, në rast se kishte rrezik për ta sjellë foshnjën në kishë për ta pagëzuar, këtë gjë mund ta bënin në shtëpi, duke e përdorur formulën liturgjike të pagëzimit. Dokumenti origjinal ndodhet në dorëshkrim në Firencë.
Teksti është ky: Vnte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. [Un të pagëzonj p’r emënit (t’) Atit e t’birit e t’shpertit shênjtë]. (Rexhep Ismajli)
Formula e pagëzimit është formulë e pagëzimit të shqipes së shkruar dhe merr karakterin e një dokumenti dhe të një monumenti kulturor shqiptar dhe pikënisjen e letërsisë shqipe. E dëshmon Autorin, Pal Engjëllin, shqiptar; e dëshmon Kumtin në shqip; e dëshmon Vendin e shkrimit, Matin, tokën shqiptare; e dëshmon Alfabetin latin. Të gjitha këto dëshmi të shprehura në një Formulë nisën shumëfish dramën kulturore e shpirtërore shqiptare.
Pal Engjëlli, autori, është kryeipeshkv i Durrësit, në kohën e Gjergj Kastriotit, epokës së madhe të Shqipërisë; pra, autori e nyjëton shenjën kulturore të shqiptarisë identitare. Autori e shpalon aktin e parë të dramës, duke e kaluar shkrimin nga latinishtja në shqip, porse duke ruajtur alfabetin latin. Zbulon pamjaftueshmërinë (mungesat) e një alfabeti të huaj, për shkrimin e gjuhës tjetër. Ky fenomen e vijon dramën e kapërcimit kapital të shenjimit të tingullit në germë (shkronjë), pra kalimin e gjuhës së folur në gjuhë të shkruar, si kalim kulturor nga shprehja popullore në letërsi të kultivuar individuale. Kalimi i gjuhës së gjallë në gjuhë të shkruar si akt universal e vë përballë latinitetin me autenticitetin, Latinizmën me Albanizmën, të cilët cilësohen nëpërmjet dallimeve.
Formula ka kumtin, që e pagëzon jetën, duke e kaluar nëpër trinitetin e krishterë latin të: Atit e Birit e Shpirtit që do të shenjohet trinitet i krishterë shqiptar. Sepse kështu e do logjika e jetës, bashkë me fytyrën autentike. Duhet të flitet shqip për të funksionuar doktrina, se besimtarët janë shqiptarë. Sepse një parantezë humane e hyjnore, në një fantazi retrospektive të jetës, do të çonte deri te Adami e Eva të krijuar nga vetë ai, për të ndjekur pastaj trashëgimtarë tokësorë të tyre, edhe në vështrimin human e antropologjik.
Aspekti kulturor dhe letrar i Formulës do të shenjohet me nisma e shenja largvajtëse. Do të prodhojë në shqip një letërsi me frymëzim të krishterë, duke nisur nga format elementare të imitimit deri te krijimi në forma të ndërliqshme. Përherë letërsi autoriale e jo anonime, që, duke qenë në thelb e dalë nga një doktrinë, do ta ruajë ligjërimin e saj, sado e krijuar nga karakteret individuale. Letërsia si shtresë apo derivim i doktrinës, si temë apo si tekst, do të mbetet filobiblike dhe, duke kaluar nëpër nivele të dorëshkrimit, shkrimit e tejshkrimit, do të rikrijohet e lexohet me procedurën e Palimpsestit.
Dorëshkrimi letrar
Dorëshkrimi si fenomen letrar dhe kulturor në letërsinë shqipe kërkon një shpjegim të kuptimeve themelore. Së pari kuptimi i dorëshkrimit si manuskript; dorëshkrimi si autografi; dorëshkrimi në vështrimin e vetëm një kopjeje të shtypur (“Meshari” i Gjon Buzukut). Me statuse të këtillë janë një seri dorëshkrimesh që nuk kanë mundur të kenë qarkullim kulturor në kohën e tyre.
“Meshari” i Buzukut, 1555, siç njihet në kulturën shqipe sot, është titull i nxjerrë nga përshkrimi i kësaj kopjeje të parë, të “zbuluar” nga Gjon Nikollë Kazazi prej Gjakove, vetëm mbas rreth dy shekujsh, i cili ia dha lajmin për librin botës (kulturore) shqiptare. Në vitet ’30 të shekullit XX, studiuesi shkodran Justin Rrota sjell në Tiranë tri fotokopje të botimit të parë të Mesharit.
Më vonë, në pesëqindvjetorin e botimit të parë, albanologu më i madh shqiptar Eqrem Çabej do të përgatisë me transliterim dhe tejshkrim veprën e parë shqipe, me një studim të thellë gjuhësor albanologjik.
Libri në këtë status e format u shtyp në Bukuresht, si botim i Tiranës. Por, ishte viti 1968, dhe diktatura antifetare shqiptare e ndaloi botimin si vepër të rrezikshme për t’u shpërndarë.
Ky paradoks i kulturës shqipe “të egër” dhe përjashtuese do të ndjekë edhe dorëshkrime të mëvonshme në shqipe, deri në fund të shekullit XX.
Prandaj, mbetet detyrim i kulturës shqiptare që ta dëshmojë identitetin e vet duke botuar e qarkulluar dorëshkrimet e pabotuara.
Kjo kulturë letrare do ta ribëjë hartën e vet historike identitare, duke vënë në sistem dituror veprat si: “Lufta e Shkodrës” e Marin Barletit (letërsi prohistorike); “Sofia e Kominĭatëve” e Anton Santorit (roman në prozë); “Jeta ime në Shqipëri” e Lazër Tushës (autobiografi); “Baba Musa lakuriq” e Andon Zako Çajupit (parodi); “Këthimi” e Zef Skiroit (epope); ”E madhe është gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit (novelë); “Odin Mondvalsen” e Kasëm Trebeshinës (roman distopik); “Shkrimtari” e Mehmet Myftiut (roman); “Buzë të ngrira në gaz” e Zef Zorbës (libër poetik) etj.
Edhe pse kaq e vonuar, hyrja në qarkullim e këtyre vlerave kulturore dhe letrare shqipe do ta prishë kornizën e gozhduar të letërsisë shqipe, duke e çmontuar Shtratin e Prokrustit të kësaj letërsie.
Zbulimi i dorëshkrimit “Lufta e Shkodrës” të Marin Barletit dëshmon që letërsia humaniste e Marin Barletit është e fundit të shekullit XV, për të zgjidhur moskuptimet rreth querrelle (grindjes) së shpikur ndërmjet Barletit dhe Beçikemit. E shkruar mbi kulturën humaniste të shkrimit prohistorik, në kufi të shkrimit letrar, paraqet kohën shqiptare të mbrojtjes së qytetit me stil që kombinon ngjarjen me portretizimin e karaktereve dhe kulturën e epokës arbnore. Një trajtë, që i ikën kronikës, për t’iu afruar romanit epik.
“Sofia e Kominĭatëve” e Anton Santorit, e shkruar në vitet shtatëdhjetë të shekullit XIX, është dorëshkrimi i parë i romanit në gjuhën arbërishte, i shkruar në prozë, me tematikë arbërore, porse stilistikisht i afërt me verizmin italian të shekullit XIX. Kjo do të mbetet ndër veprat kryesore të Santorit, që shkroi edhe në gjini të tjera. Kjo vepër e shkruar në arbërisht shfaqet para apo njëkohshëm me romanet shqipe në gjuhë të huaja. Botimi i saj e lëkund sistemin e letërsisë shqipe.
Dorëshkrimi “Jeta ime në Shqipëri” i Lazër Tushës, i shkruar nga një njëzetvjeçar, në decenien e nëntë të shekullit XIX, është autobiografia e parë e një shqiptari të krishterë, që paraqet një grindje të mbuluar ndërmjet misionit doktrinar dhe pasionit letrar. Në anën tjetër, në inkurse dhe ekskurse me karakter dëshmues, e përshkruan Shkodrën e kohës, me shtresat shoqërore e besimtare, me një stil drithërues. Në letërsinë shqipe merr markën e prijatarit të letërsisë dokumentare.
Vepra “Baba Musa lakuriq” e Andon Zako Çajupit është shkruar në fillim të shekullit XX, menjëherë pas “Baba Tomorrit”. Është botuar për herë të parë më 1983. Është parodia e parë në letërsinë shqipe mbi tekstin fillestar të Biblës së Vjetër. Në thelb “Baba Musa lakuriq” është kurorë apo amëz e letërsisë çajupiane që nis me humorin, kalon nëpër ironi, për të arritur në sarkazëm, duke njësuar kuptimisht ndodhitë e dy kohëve kaq të larguara, të civilizimeve të ndryshme. Me këtë tip të letërsisë Çajupi hyn në valle të letërsisë kritike e satirike në sistemin e letërsisë shqipe, njëkohësisht fuqishëm si Gjergj Fishta.
Dorëshkrimi i Skiroit, “Këthimi”, i shkruar më 1916-1917, është botuar vetëm më 1965 në Itali. Skiroi e shkroi këtë vepër pasi udhëtoi në Shqipëri më 1912 dhe jetoi aty për dy vjet. Vepra merret me aktualitetin shqiptar dhe protagonistët e saj janë: Ismail Qemali, Prenk Bibë Doda, Isa Boletini e Esat Toptani. Është koha e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Udhë e vështirë nga rapsodia në epope. Vepra me strukturë letrare matematike ruan të paprekur idealin e bashkimit shpirtëror shqiptar. Këtë e dëshmon me idiomën e vet letrare tashmë të afruar me shqipen veriake. Si kundërpeshë e poemës “Te dheu i huaj”, largohet nga romantizmi klasik arbëresh, për të rrokur realitetin aktual shqiptar.
Novela “E madhe është gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit, dorëshkrim i vitit 1947, e pa dritën e botimit vetëm më 1993, është kryevepra e tij në prozë. Novela lakon tematika të thella metafizike që ballafaqojnë njerëzoren dhe hyjnoren në përmasa të habitshme kohore. Prosedeu letrar i Kutelit, duke mbrendashkruar edhe individin - veten, bëhet amëz e modelit letrar toskë që trashëgohet nga Spasse, Xoxa, Koreshi, madje edhe Trebeshina. U ndalua dhe nuk u botua, sepse u lexua si alegori e kohës së diktaturës.
Dorëshkrimi më i njohur i Kasëm Trebeshinës konsiderohet novela “Odin Mondvalsen”, e shkruar në vitin 1956, por e botuar vetëm në vitin 1991. Ky roman distopik, i pari në shqip, është në rrjedhën e letërsisë distopike që u inaugurua në letërsinë ruse me romanin “Ne” të autorit Jevgenij Zamjatin, më 1921. Romani “Odin Mondvalsen” i Trebeshinës është vepra e tij më e njohur që e nëpërkëmb ideologjinë letrare të socrealizmit shqiptar: si doktrinë dhe si formë. Vepra e cilësuar nga autori: Një histori dashurie, lexohet si elegji për botën humane. Ka pasur ndikim në prozën shqipe të shekullit XXI.
Romani “Shkrimtari” i Mehmet Myftiut është shkruar më 1964 dhe është paraqitur për botim, mirëpo dorëshkrimi është refuzuar dhe shkrimtari është dënuar. Romani është botuar integralisht më 1995. Duke ikur nga imagjinarja, Mehmet Myftiu është grindur me realen. “Shkrimtari” në fakt e bën kirurgjinë e “Lidhjes së shkrimtarëve” si institucion i tmerrshëm legal dhe ideologjik i letërsisë. Romani “Shkrimtari” i Mehmet Myftiut është shembull eklatant i betejës shkatërrimtare ndërmjet disidentit letrar dhe disidentit politik; një doracak si shkatërrohet shkrimtari.
Rast i kundërt është poeti Zef Zorba: kur disidenti politik kurorëzohet në disident letrar. Ky pra është disidenti i kulluar i metodës letrare.
Zorba e shkroi librin e vet poetik “Buzë të ngrira në gaz” (1945-1990). Ky është një libër poetik bodlerian i variantit shqiptar, si alternativë moderne poetike e socrealizmit. Nuk u botua për të gjallë të autorit; doli për herë të parë në vitin 1994. Gjuha poetike shqipe e Zorbës kthehet në thelb të thelbit, për të shpaluar sferat më të larta të metafizikës letrare.
Këtu nuk pushon paradoksi kulturor shqiptar sa u takon dorëshkrimeve, shkrimeve dhe botimeve, që nga fillimet deri në shekullin XX.

Letërsia në gjuhë tjetër
Letërsia shqipe, që nga fillimet e deri më sot, është shkruar në shqip edhe në gjuhë të tjera.
“Formula e pagëzimit” është shkruar në shqip (Pal Engjëlli), “Meshari” është shkruar në shqip (Gjon Buzuku), në anën tjetër “Historia e Skënderbeut” (Marin Barleti) është shkruar në latinisht. Duke pasur parasysh këtë fenomen kulturor mund të mendohet një histori alternative e letërsisë shqipe. Autorë të njohur nga fillimet shkruajnë edhe në shqip edhe në gjuhë tjetër. Po veçojmë Budin, Bardhin, Bogdanin, De Radën, P. Vasën, N. Frashërin, S. Frashërin, F. Konicën, F. Nolin, Z. Skiroin, A. Pipën deri te autorët e fillimit të shekullit XXI, O. Vorpsi, G. Kapllani, S. Sherifi, P. Statovci, e të tjerë.
Një analizë e përgjithshme e fenomenit dëfton që shkrimtarët veprat e letërsisë imagjinative i shkruajnë kryesisht në idiomën shqipe, kurse shkrimet diskursive-historike kryesisht në gjuhë të tjera. Kjo lidhet edhe me formën dhe destinimin e tekstit, duke paragjykuar lexuesin e tij. Budi i shkruan shqip tekstet poetike, ndërsa latinisht tekstet dokumentare; Bardhi shkruan shqip fjalorë dhe literaturë gojore, ndërsa shkruan latinisht “Apologjinë e Skënderbeut”; Pjetër Bogdani e shkruan shqip dhe italisht kryeveprën e vet “Cuneus Prophetarum”, kurse shtesat poetike të doktrinës dhe përtej saj janë të shkruara në shqip, në latinisht e në italisht; De Rada lirikën e shkruan në arbërisht, ndërsa “Estetikën” dhe “Autobiografinë” në italisht (madje edhe dramën në italisht); Pashko Vasa e shkruan shqip poezinë vokative “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”, shkruan në italisht poezitë “Rose e spine”, po ashtu në italisht prozën dokumentare “Burgimet e mia” dhe në frëngjisht romanin “Bardha e Temalit” si dhe traktatin “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”; Naim Frashëri shkruan persisht “Ëndërrimet”, shkruan greqisht “Dashurinë”, shkruan shqip “Bukurija”, “Lulet e verësë” dhe poemat e famshme “Istori e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Fletore e Bektashinjet”; Sami Frashëri shkruan turqisht romane dhe drama, përkthen letërsi në turqisht, mirëpo shkruan një gramatikë shqipe dhe traktatin e famshëm nacional “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”; Faik Konica letërsinë në prozë e në poezi e shkruan në shqip, kurse traktatin “Ese mbi gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale” në frëngjisht, si dhe veprën “Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” në anglisht; Fan Noli shkruan shqip poezi dhe drama, ndërsa në anglisht “Autobiografinë”, “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” dhe “Skënderbeu”; Zef Skiroi shkroi në shqip letërsinë (Mili e Hajdhia, Te dheu i huaj, Mino), ndërsa studimet në italisht; Arshi Pipa poezinë e shkruan në shqip, ndërsa studimet në anglisht, përfshirë “Trilogia Albanica”.
Fenomen i ri, po aq sa edhe i vjetër, është krijimtaria letrare e shqiptarëve, sidomos nga fillimi i shekullit XXI, me autorët e shenjuar: Ornela Vorpsi që shkruan romane në italisht dhe në frëngjisht (“Vendi ku nuk vdiset kurrë”, “Vera e Oltës”); Gazmend Kapllani që shkruan romane në greqisht (“Ditar i shkurtër kufijsh”); Skënder Sherifi që shkruan poezi në frëngjisht (“Love”) dhe Pajtim Statovci, i cili shkruan romane në finlandisht (“Bolla”). Paradoksi është që të gjithë këta gjuhë të nënës e kanë shqipen dhe janë rritur në botën shqiptare, (akëcili pranon që kupton shqip, por nuk mund të shkruajë letërsi). Në anën tjetër të gjithë këta në tekstet e tyre fusin fraza dhe frazeologji në trajtën e relikeve shqipe. Në vështrimin e aktit krijues, kjo teori është vështirë e dëshmueshme, porse në mallin për komunikim të tekstit në gjuhë të njohura, synimi është i kuptueshëm. Tani s’mund të cilësohen fëmijë plangprishës të idiomës shqipe, ndonëse, ka që veprën e vet më të re e shpall të shkruar në shqip, siç është rasti i Gazmend Kapllanit me romanin “I keqi i vetes”, në udhë për t’u kthyer në shtëpi.
Kanoni
Malli e dashuria e pamasë e lexuesit dhe studiuesit të letërsisë shqipe është që kjo letërsi mbi pesëshekullore, pa marrë parasysh në cilën idiomë është shkruar, në vetvete nyjëton një letërsi integrale nacionale. Edhe me kushtin që edhe veprat e shkruara në idioma të tjera të përkthehen në shqip. Po ashtu, veprat e shkruara në idiomën shqipe të përkthehen në gjuhë të tjera, në mënyrë që të akceptohet albanizma e paevitueshme e kulturës shqipe. Si nevojë që kjo kulturë të bëhet e qarkullueshme në meridiane të tjera. Prandaj, vlerë të madhe në këtë kulturë, në krye të herës, kanë shkrimtarët përkthyes, sidomos klasikët e përkthimit shqip që na kanë dhënë kryevepra të letërsisë botërore e po ashtu edhe kryevepra të letërsisë shqipe të shkruara në gjuhë të mëdha. Sa i përket kësaj të dytës, kemi mirënjohje të nivelit të lartë sidomos për përkthyesit e famshëm nga latinishtja të veprave të Marin Barletit, Henrik Lacaj dhe Stefan Prifti. Me punën e tyre madhore e kanë kthyer në shqip shkrimtarin e madh të humanizmit shqiptar që ia dha heroin nacional botës dhe njëkohësisht krijoi amzën e letërsisë identitare të shqiptarëve. Status që në variacione të shkollave dhe të formacioneve letrare shqipe është trupëzuar që nga paraqitja deri në ditët e sotme. Të këtij formati janë edhe përkthimet e Nolit, Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Pashko Gjeçit, Mark Ndojës, të letërsisë antike, greke, latine, italiane, spanjolle e angleze; përkthimi i veprave nga gjuha shqipe në gjuhën frënge nga Jusuf Vrioni dhe në atë angleze nga Xhon Hoxhson (John Hodgson) etj.
Vetëdija që kultura e shkrimit shqip dhe shqiptar, pra i letërsisë, është mirazi më i madh i kulturës nacionale, shtron vetvetiu kërkesën që kjo krijimtari të trajtohet tërësisht, tashmë e verifikuar si vlerë kombëtare dhe humane, e domosdoshme për vetveten dhe përfaqësuese identitare përpara kulturave të tjera. Ky vlerësim është instrument i domosdoshëm që synon sistemimin e vlerave të trashëgueshme për kohët dhe brezat që vijnë. Secili komb e secila kulturë synon vlerat klasike që arrijnë nivelin e kanonit dhe të kanonizimit. Ky kanonizim mëpastaj zbërthehet në trajtë e në materie, në autorë klasikë dhe në kryevepra letrare. Kjo shoqëri e nivelit të lartë të kulturës dhe të identitetit përfaqësohet me autorë dhe vepra të veçanta, të cilat duke sublimuar kohën dhe sensibilitetin e kohës së vet janë në dialog të përhershëm me sensibilitetet e kohës së kaluar dhe të pritshme. Kur jemi në domenin e letërsisë, në nivelin e trajtave të materies dhe të derivimeve të tyre, vetvetiu krijojnë hartat e përjetësisë dhe të provës së kohëve kalimtare.
“Meshari” i Gjon Buzukut (1555)
Sivjet shënohet 470-vjetori i “Mesharit” të Gjon Buzukut, kryeveprës së parë të shqipes së shkruar e të botuar, nëpërmjet të cilës shfaqet odiseada e rrethanave të shkrimit të letërsisë shqipe, që kalon nëpër Shtratin e Prokrustit të historisë kulturore shqiptare së jashtmi e së mbredshmi. Libri i botuar më 1555 për gjithë këta shekuj është ruajtur në një kopje. Studiuesit albanologë të huaj e shqiptarë me kërkime përpiqen të dëshmojnë që vepra pati këtë fat se Vatikani nuk e la në qarkullim nga droja që shqiptarët do të frymëzoheshin për kryengritje kulturore autentike, për t’u trajtuar libër i ndaluar; pushtuesit osmanë, tashmë kishin shpallur të ndaluar librat në shqip në dheun e arbërit. Në anën tjetër, në dheun e arbërit rrethanat ekzistenciale krijuan Shtratin tjetër të Prokrustit, për të shfaqur odiseadën e ribotimit të librit deri në shekullin XX.
Në këtë mënyrë “Meshari” u bë “Metafora” e rezistencës së kulturës shqiptare në trajtën e letërsisë autentike. Rezistencë kulturore letrare që krijoi trashëgimi autentike me Budin, Bardhin, Bogdanin, Varibobën. Prandaj, amëza kulturore-letrare e Buzukut gjeti artikulimin e vërtetë, sidomos në shekullin XX, me pinjollët shqiptarë: Kazazin, Skiroin, Mjedjen, Rrotën, Ashtën, Resulin, Çabejn, Rizën, Camajn, Ajetin, Ismajlin; fuqishëm dhe me albanologët e huaj të mëdhenj: Majerin, Joklin, Rokun, Manin, Fidlerin, Elsin.
Të gjithë këta tok madhërojnë “Mesharin” si monument kulture, kur Gjon Buzuku shpalon doktrinën e krishterë shqiptare, në variantin kulturor e humanistik shqiptar. Sepse në këtë dialog shpirtëror ndërmjet mesharit dhe meshtarit, vepra zbulon veprën. Ky fenomen rimerret dendur në ata pak rreshta, që Gjon Buzuku shkroi në Pasthënien e “Mesharit”: “tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të endigluom en së Shkruomit Shenjtë, en së dashunit së botësë sanë, desha me u fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi te endiglonjënë”. “Kroji i gjallë” i Buzukut rrjedh edhe sot për stërnipërit shqiptarë për të dëftuar një histori kulture e letërsie shqipe, që të endë në retrospektivë dhe në prospektivë, për ta njohur dhe rinjohur autenticitetin dhe identitetin e saj.
Gjon Buzuku dëshmon që libri i tij “Meshari” u shkrua, apo u shtyp, nga 20 marsi 1554 deri më 5 kallnor 1555. Dhe kjo është fakt. Është histori. Edhe ne sot e këtu, që kemi “mallin e stampës” për libra në shqip, nuk mund të jemi tjetër pos stërnipër të tij. Ta përsërisim që të mos na marrë harrimi.
1. Pal Engjëlli – Formula e Pagëzimit
2. Marin Barleti: “Histori e Skënderbeut”
3. Gjon Buzuku: “Meshari”
4. Pjetër Budi: “Doktrina e Krishtenë”
5. Pjetër Bogdani: “Çeta e Profetëve”
6. Frang Bardhi: “Apologjia e Skënderbeut”
7. Jul Variboba: “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”
8. Nikollë Keta: “Krijimi i botës”
9. Jeronim de Rada: “Këngët e Milosaos”, “Sofonizba”
10. Gavril Dara i Riu: “Kënga e sprasme e Balës”
11. Anton Santori: “Sofia Kominiate”, “Emira”
12. Zef Serembe: “Vjersha”
13. Zef Skiroi: “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj”, “Mino”
14. Pashko Vasa: “Bardha e Temalit”
15. Konstandin Kristoforidhi: “Gjahu i malësorëvet”
16. Naim Frashëri: “Bagëti e Bujqësija”, “Lulet e verësë”, “Istori e Skënderbeut”
17. Sami Frashëri: “Dashuria e Talatit dhe Fitnetes”, “Besa”, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”
18. Mihal Grameno: “Oxhaku”, “E puthura”
19. Filip Shiroka: “Zâni i zemrës”
20. Ndre Mjedja: “Ândrra e jetës”, “Scodra”, “Lissus”
21. Andon Zako Çajupi: “Baba Tomorri”, “Baba Musa lakuriq”
22. Gjergj Fishta: “Lahuta e Malcís”, “Mrizi i zanave”, “Juda Makabé”
23. Aleksandër Drenova: “Rreze dielli”, “Psallme murgu”
24. Faik Konica: “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”
25. Fan S. Noli: “Israilitë e Filistinë”, “Albumi”
26. Ndoc Nikaj: “Marcia”, “Bukurusha”
27. Lazër Shantoja: “Për nji puthje të vetme”
28. Vinçenc Prenushi: “Gjeth e lule”
29. Kristo Floqi: “Vëllazëri e interesë”
30. Luigj Gurakuqi: “Vargënimi n'gjuhë shqype”
31. Lasgush Poradeci: “Vallja e Yjve”, “Ylli i Zemrës”
32. Ernest Koliqi: “Hija e maleve”, “Pasqyrat e Narçizit”, “Tregtar flamujsh”
33. Millosh Gjergj Nikolla: “Vargjet e lira”, “Novelat e qytetit të veriut”
34. Mitrush Kuteli: “Net shqiptare”, “E madhe është gjëma e mëkatit”
35. Sterjo Spasse: “Nga jeta në jetë, Pse?”
36. Haki Stërmilli: “Sikur t’isha djalë”
37. Ali Asllani: “Hanko Halla”
38. Ethem Haxhiademi: “Abeli”, “Skënderbeu”
39. Musine Kokalari: “Seç më thotë nënua plakë”
40. Arshi Pipa: “Libri i burgut”
41. Esad Mekuli: “Për ty”
42. Josip Rela: “Nita”
43. Hivzi Sulejmani: “Era dhe kolona”
44. Martin Camaj: “Dranja”, “Njeriu më vete e të tjerë”
45. Adem Demaçi: “Gjarpijt e gjakut”
46. Jakov Xoxa: “Lumi i vdekur”
47. Petro Marko: “Qyteti i fundit”
48. Ismail Kadare: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Pallati i ëndrrave”
49. Anton Pashku: “Kulla”, “Oh”, “Gof”
50. Nazmi Rrahmani: “Malsorja”
51. Dritëro Agolli: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”
52. Rexhep Qosja: “Vdekja më vjen prej syve të tillë”
53. Azem Shkreli: “Karvani i bardhë”, “Nga Bibla e heshtjes”
54. Fahredin Gunga: “Psalmet e gurta”
55. Ymer Shkreli: “Pikëpjekja”
56. Teki Dërvishi: “Herezia e Dërvish Mallutës”, “Bregu i pikëllimit”
57. Bilal Xhaferri: “Krastakraus”
58. Ali Podrimja: “Torzo”, “Lum Lumi”
59. Rrahman Dedaj: “Ku ishe ti Adam”
60. Frederik Rreshpja: “Erdhi ora të vdes përsëri”
61. Ibrahim Rugova: “Vepra e Bogdanit”
62. Sabri Hamiti: “Trungu ilir”, “Kukuta e Sokratit”
63. Zejnullah Rrahmani: “Zanoret e humbura”, “Romani për Kosovën”
64. Zef Zorba: “Buzë të ngrira në gaz”
65. Vath Koreshi: “Ulku e Uilli”
66. Mehmet Kraja: “Moti i madh”
67. Zija Çela: “Gjaku i dallëndyshes”
68. Beqir Musliu: “Bukuria e zezë”
69. Musa Ramadani: “Ligatina”
70. Fatos Kongoli: “I humburi”
71. Eqrem Basha: “Marshi i kërmillit”
72. Zef Pllumi: “Rrno vetëm për me tregue”
73. Agron Tufa: “Dueli”