Shtojca për Kulturë

Filharmonia dhe virtuoziteti në violonçel në fantazinë e muzikës

Për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës zor të ketë sfida në repertor – të tilla mbesin kushtet – e kur asaj i bashkohen muzikantë të kalibrit si violonçelistja virtuoze, Aurélienne Brauner, e mjeshtri në dirigjim, Aurélien Azan Zielinski, publiku “zhvendoset” symbyllur në skena botërore. Veçmas te “Fantazi për violonçel dhe orkestër” të Jules Massenetit. Ashtu ka tingëlluar edhe koncerti i fundit i veshur me tis romantik e traditë franceze

Imagjinata dhe ndjenjat janë shkrirë nëpër meloditë që ka sjellë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me një tis romantizmi prej fillimit deri në fund. Ritmet harmonike e dramatike kanë qenë thelbi e kontrasti i përjetimit muzikor nëpër muzikën e kësaj epoke, në koncertin e së premtes mbrëma me dirigjentin Aurélien Azan Zielinski dhe violonçelisten Aurélienne Brauner. Dyshja franceze i është bashkuar Filharmonisë në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë, që sivjet vjen me edicionin e 24-të.

Magjia e muzikës botërore klasike vjen çdoherë në koncertet e Filharmonisë së Kosovës, ndonëse kushtet, siç është bërë refren tashmë, janë përballë rezultateve mahnitëse në interpretim. Ulëset janë krejtësisht të zëna rreth dhjetë minuta para koncertit. Shtohen të reja duke qenë se interesimi i publikut është më i madh sesa kapacitetet e sallës së Ateliesë së Pallatit të Rinisë në kryeqytet.

Një pjesë e mirë e publikut ka ngjitur shkallët e katit sipër, aty ku korridoret rrethojnë hapësirën ku ka interpretuar Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Detajet nga broshura e vendosur në secilën karrige, për secilin pjesëmarrës, ka qenë njohja e parë e publikut me programin e interpretuesit.

Instrumentistët kanë nisur të zënë vendet e tyre. Tingujt e frymorëve janë të parët që akordohen me një melodi të zgjatur. Të njëjtën e luan edhe koncert-mjeshtri Festim Fanaj, që pasohet nga harkorët. Një duartrokitje e fortë nga publiku bën me dije se formacioni po kompletohet me dirigjentin.

Heshtja kaplon sallën dhe shpejt ndërpritet kur nisin tingujt e veprës “Prelud simfonik” të kompozitorit italian Giacomo Puccini. Meloditë e ndjeshme dhe të hidhura janë brenda veprës. Është madhështore që në nisje ku ngadalë, çdoherë në rritje, arrin kulmin. Ajo zhvillohet si një vals që përsërit serinë e tingujve. Në pjesën e fundit nëpër meloditë harmonike dhe të zgjatura duket se muzika devijon në mënyrë paqësore. Vepra e Puccinit është interpretuar me rastin e 100-vjetorit të kompozitorit të përmasave botërore.

“Fantazi për violonçel dhe orkestër”, e kompozitorit francez Jules Massenet ka sjellë në rolin e solistes violonçelisten franceze, Aureliénee Brauner. Tingujt e shkurtër e të shpeshtë të harqeve janë pjesa kryesore e veprës. Tejet harmonike e melodike ka qenë pjesa solo e Braunerit.

Violonçelistja Brauner ka thënë se vepra është pak e njohur për publikun, por mjaft e përshtatshme për ngjarjen që ka shënuar Javën e Frankofonisë në Kosovë.

“Është një pjesë franceze dhe ishte e përshtatshme ta interpretoj, pasi ishte Java Franceze. Nuk është vepër e famshme, madje as në Francë, prandaj mendova se do të ishte interesante ta interpretoja. Mendoj se publiku e pëlqeu. Është vepër e shekullit të 19-të, muzikë franceze romantike, por Massenet është më i njohur për operat e tij dhe jo për këtë vepër të shkruar për çello dhe orkestër. Mendoj se është gjithçka rreth muzikës franceze dhe mënyrës së strukturës se si është shkruar”, ka thënë violonçelistja Brauner.

Image
Dirigjenti francez Aurélien Azan Zielinski ka debutuar me Filharmoninë e Kosovës, por ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit (Foto: Arben Llapashtica)

Për të ka qenë interpretimi i parë me Filharmoninë e Kosovës e në skenën vendore në përgjithësi. E ka vlerësuar si përvojë të mrekullueshme.

“Ishte eksperiencë e mrekullueshme si herë e parë të interpretoj në Kosovë. Për herë të parë e kam interpretuar edhe këtë vepër. Isha shumë e lumtur të takoja Orkestrën me të cilën bashkëpunuam ngushtë. Vërtet u kënaqa duke interpretuar sonte këtu dhe të njoh njerëz të rinj”, ka thënë Brauner, e emëruar super-soliste e Orkestrës Kombëtare të Francës në vitin 2021.

Ajo ka performuar në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Azi me shumë institucione dhe në ngjarje të mëdha të muzikës klasike. Është laureate e çmimit “Classical Revelation of the Adami” në vitin 2007 e dy vjet më vonë edhe me çmimin e fondacionit “Del Duca” nga Akademia e Arteve të Bukura në Paris për të nderuar fillimin e karrierës së saj muzikore. Në vitin 2016, regjistrimi i saj dedikuar veprave të kompozitorit norvegjez David Monrad Johansen u nominua për çmimin “Spellemanprisen”, ndryshe i njohur si “Grammy” norvegjez. Si soliste ka performuar me Orkestrën Kombëtare të Lilles, Orkestrën Filharmonike të Badenit, atë Kombëtare “Bordeaux Aquitaine” e të tjera. Regjistrimi i saj i fundit “Au bord du reve” me pianisten Lorène de Ratuld është nderuar me çmimin prestigjioz për muzikantë klasikë “5 Diapasons” dhe është përzgjedhur si albumi më i mirë sipas gazetës franceze “Le Monde”.

“Simfonia nr.4” e kompozitorit gjerman Robert Schumann nis me një tingull të gjatë të instrumenteve. Meloditë rrjedhin ndërmjet harmonisë dhe tensioneve të shpejta në “Andante con moto – alegro di molto”. Melodia melankolike është në “Romanza: andante”. Pas një pauze të shkurtër melodia konstante vjen në kohën “Scherzo: presto”, por gradualisht shpërbëhet, ndërsa në “Largo – Finale: allegro vivace” vjen si një pjesë madhështore solemne. Ngjan se aty është tema heroike.

Në përgjithësi, veprat e interpretuara në koncert kanë qenë një lloj gërshetimi ndërmjet magjisë dhe emocioneve që vijnë nëpërmjet tingujve.

Dirigjenti francez Aurélien Azan Zielinski e ka vlerësuar kryevepër të muzikës klasike “Simfoninë nr.4” të Schumannit. Në përgjithësi ka thënë se veprat e interpretuara janë të veçanta në mënyrën e tyre.

“Veprën ‘Fantazi për violonçel dhe orkestër’ e ka propozuar solistja. Nuk është shumë e famshme, por është shumë e bukur. Dua të flas edhe për veprën e Puccinit, të cilën e kam për zemër qëkur isha i ri kur e dëgjoja shpesh. Gjithashtu vepra e Schumann është një kryevepër, pjesë shumë interesante”, ka thënë dirigjenti Zielinski, i cili ka udhëhequr orkestra nga mbarë bota. Ka drejtuar Orkestrën Kombëtare të Francës, Orkestrën Kamertale të Lozanës, orkestrën kombëtare të “BBC Wales”,”Royal Philarmonic Orchestra” e të tjera. Opera ka një vend të veçantë në jetën e Zielinskit që nga ditët e hershme si ndihmës-dirigjent i mjeshtrit Emmanuel Krivine në Operën e Lionit me operën “Fausti” dhe në Operën e Metz me produksionet “Flauti Magjik”, “Francescca da Rimini” e të tjera.

Image
Ulëset janë krejtësisht të zëna rreth dhjetë minuta para koncertit. Shtohen të reja duke qenë se interesimi i publikut është më i madh sesa kapacitetet e sallës së Ateliesë së Pallatit të Rinisë në kryeqytet. Në po të njëjtin vend, të dielën, Orkestra Harkore dhe Kori sjellin koncert në 25-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë (Foto: Arben Llapashtica)

Produksionet e tij në Operën e Metzit, duke përfshirë “Ditari i Ana Frankut" të Grigori Frid dhe në Lozanë me “The Turn of the Screw” të Benjamin Britten ose produksioni i “Tri përrallave” i dyshes Gérard Pesson dhe David Lescot në Operën e Rennes janë dalluar në mënyrë të veçantë. Siç shkruhet në jetëshkrimin e tij, me një përkushtim të madh ndaj artit të tij, Zielinski çdo përvojë të re e trajton si pasurim artistik, siç ndodh me rastin kur është prej dirigjentëve të rrallë që ka udhëhequr muzikën e “Harry Potter” në formatin e koncertit në kinema në mbarë botën.

Aurélien Azan Zielinski iu dedikua muzikës që në moshë të re, duke arritur sukses në shume fusha: piano, violonçel, harmonikë, orkestrim dhe dirigjim orkestral.

I afërt e bashkëpunues me Orkestrën ka qenë edhe në koncert dirigjenti francez.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se anëtarët e Orkestrës janë shumë të kënaqur me bashkëpunimin dhe se për këtë arsye kanë në plan ta ftojnë atë në koncertet e radhës.

“Natyrisht se dirigjentët kanë qasje të ndryshme në punë, interpretim, organizim, metodë. Bashkëpunimi me këtë dirigjent ka qenë vërtet një prej koncerteve më të mira të kohëve të fundit që ka realizuar Filharmonia e Kosovës. Ky nuk është vetëm mendim i imi, është edhe i orkestruesve, por u vërejt edhe nga reagimi i publikut. Kështu që mendoj se sigurisht ky dirigjent do të jetë në listën e atyre që do të ftohen për të punuar me Filharmoninë e Kosovës”, ka thënë Jashari.

Sa i përket programit me të cilin Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncert, udhëheqësi i institucionit pikërisht për këtë pjesë e ka vlerësuar koncertin të veçantë.

“Është një koncert i veçantë për shkak të programit dhe veçanërisht për shkak të protagonistëve kryesorë: violonçelistes Aurelienne Brauner dhe dirigjentit francez Aurelien Zielinksi. Ky i fundit ka përvojë në rajon, ka dirigjuar në Shqipëri. Kjo ka qenë natyrisht pjesë e filluar në vitin e kaluar në bashkëpunimin me RTSh-në, kur ka qenë i planifikuar që ky projekt të zhvillohej në të dy anët e kufirit, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk ka ndodhur për shkak të rrethanave të ndryshme”, ka thënë më tej drejtori Jashari derisa ka theksuar edhe prezencën në numër të madh të publikut, por edhe mungesën e kapaciteteve për akomodimin e tyre.

Filharmonia e Kosovës e mban të lidhur publikun me muzikën klasike duke sjellë kryeveprat e repertorit botëror. Të dielën vjen me tjetër rrugëtim muzikor. Me koncert do të shënojë 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ku do të interpretojnë Orkestra Harkore dhe Kori nën drejtimin e maestros Edon Ramadani. Me solistët Zana Abazi-Ramadani (soprano), tenorin Ismet Vejseli e baritonin Denik Prizreni do të interpretohen veprat: “Palladio” e Karl Jenkinsit, “Laudate Dominum” të Mozartit e “Meshën nr. 2” të Schubertit. Vendi: Atelieja në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. E, Kori po ashtu të dielën nis triptikun e koncerteve në Itali, dy në Romë e një në Teramo.

© KOHA Ditore

Lexo: