“A House Made of Splinters”, është titulli i dokumentarit të ri të regjisorit të nominuar për “Oscar”, Simon Lereng Wilmont. Ai portretizon fëmijët që jetojnë në një shtëpi të përkohshme grupore të vendosur në Lysychansk. Por fati i tyre është vetëm një pjesë e një tregimi edhe më të gjatë për luftën, me fëmijët që përballen me neglizhencën si pasojë e humbjes së anëtarëve të familjes, ose alkoolizmit dhe sëmundjeve mendore të prindërve të tyre
Vetëm disa ditë para se Rusia të kryente përsëri një sulm raketor mbi Ukrainën më 10 tetor, regjisori danez i filmave dokumentarë, Simon Lereng Wilmont, ishte në Kiev për premierën ukrainase të filmit të tij të fundit, “A House Made of Splinters:.
Pa e ditur se shpërthimi do t’i kthente banorët e Kievit në strehimoret e tyre në stacionet e metrove, ai u ndje mirë që i takoi edhe një herë protagonistët e filmit të tij dhe që ndau këtë projekt me ta.
Dokumentari i xhiruar gjatë një viti më 2019-2020, zhvillohet në Lysychansk, një qytet me rëndësi strategjike në rajonin e Luhanskut në Ukrainën lindore. Ai është prekur nga konflikti që nga viti 2014, por është bërë edhe qendër betejash ushtarake në verën e vitit 2022.
Larg betejave ushtarake
Betejat ushtarake nuk janë pjesë e historisë së “A house made of splinters”. Në vend të kësaj, ai portretizon fëmijët që jetojnë në një shtëpi të përkohshme grupore të vendosur në Lysychansk. Por fati i tyre është vetëm një pjesë e një tregimi edhe më të gjatë për luftën, me fëmijët që përballen me neglizhencën si pasojë e humbjes së anëtarëve të familjes, ose alkoolizmit dhe sëmundjeve mendore të prindërve të tyre, si rezultat i stresit post-traumatik e cila lidhet me luftën.
Edhe
Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë
“Natyrisht që në këtë rajon kishte probleme sociale edhe para fillimit të luftës më 2014, por me luftën në kopshtin e tyre të pasmë, si të thuash, për kaq shumë vite, burimet dalëngadalë u shteruan”, ka thënë për DW regjisori Simon Lereng Wilmont. Ai shtoi se papunësia dhe mungesa e mbështetjes nga shteti kanë çuar në një spirale çështjesh sociale. “Dhe këto janë pasojat më të padukshme, por jo më të pakta të të pasurit e luftës kaq afër shoqërisë suaj civile”.
“A House Made of Splinters” portretizon fëmijët e këtyre familjeve të shkatërruara teksa zbarkojnë në qendrën Lysychansk në Ukrainën Lindore, një strehë ku ata kujdesen deri në nëntë muaj ndërsa presin vendimet e kujdestarisë së gjykatës.
Dokumentari ndjek fëmijë të ndryshëm teksa krijojnë miq në strehimore, presin që prindërit t’i vizitojnë – shpesh janë të zhgënjyer pasi prindërit nuk shfaqen. Të gjitha këto teksa presin që dikush tjetër t’i përcaktojë fatet e tyre.
Nëpërmjet lojërave me fëmijët e tjerë në qendër, në mënyrë indirekte zbulojnë se si, pavarësisht moshës së re, ata tashmë dinë shumë për abuzimin me substancat dhe dhunën në familje.
Gratë që drejtojnë qendrën gjithashtu po kërkojnë zgjidhje afatgjata për fëmijët. Për ata që janë me fat, ka mundësi që një i afërm të pranojë t’i marrë, ose mund të gjendet një familje kujdestare. Por për të tjerët, jetimorja e mbingarkuar shtetërore bëhet shtëpia e radhës.
Më 24 shkurt, kur nisi lufta midis Ukrainës dhe Rusisë, administrata civile reagoi shumë shpejt dhe arriti të nxjerrë jashtë zonës të gjithë fëmijët e strehës dhe jetimores shtetërore Lysychansk. Ata u sollën të sigurt në perëndim të vendit; disa prej tyre madje gjetën strehim më thellë në Evropë, raporton Wilmont.
Ndërkohë, zona është prekur keq nga bombardimet.
Wilmont takoi anëtarët e stafit të shtëpisë së fëmijëve në premierën e filmit në Kiev dhe ata i thanë se një raketë kaloi në çatinë e dhomës së ndenjes së strehës së tyre. Por nuk shpërtheu. “Pra, është njësoj si e mbërthyer në tavan”, thotë Wilmont. “Kjo ju jep një përshkrim vërtet piktoresk të situatës së tanishme”.
Filmi i mëparshëm i Wilmontit, “The Distant Barking of Dogs” (2017), tregon gjithashtu një histori nga këndvështrimi i një fëmije. Në një periudhë njëvjeçare, ai paraqet një djalë dhjetëvjeçar dhe gjyshen e tij të cilët jetojnë pranë vijës së frontit, gjatë luftës në Donbas.
Edhe
Sulmi në Moskë ua sjell rusëve luftën në shtëpi
Dokumentari u nominua për “Oscar” dhe ndër të tjera fitoi një çmim “Peabody”.
Tani teksa “A House Made of Splinters” po shfaqet në festivale të ndryshme në të gjithë Evropën, ai po mbledh edhe vlerësime. Ka fituar çmimin “Politiken: Dox” në Festivalin Ndërkombëtar të Dokumentarit në Kopenhagë dhe është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin e ardhshëm për dokumentarin më të mirë të “European Academy Awards”.
Por, pavarësisht përvojës në xhirimin e dokumentarëve rreth zonave të konfliktit të cilët janë vlerësuar me disa çmime, Wilmont heziton të kthehet për të krijuar ndonjë projekt tjetër që paraqet luftën, pasi mendon se kolegët e tij të aftë të filmave ukrainas mund të jenë më të mirë se ai për të treguar këtë kapitull të veçantë të historisë së tyre.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e realizimit të një filmi të tretë në Ukrainë, por tani për tani, veten e sheh si promovues të dokumentarëve të tij ekzistues, si “përpjekje që bota të vazhdojë të jetë e interesuar të dëgjojë për gjërat që po ndodhin në Ukrainë”.
Një shfaqje për Zelenskin
Në të vërtetë, “A House Made of Splinters” gjithashtu mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në politikat e vetë vendit.
Në premierën e Kievit, Avokatja e Popullit për të Drejtat e Fëmijëve dhe Çështjen e Fëmijëve në Ukrainë ka thënë se ishte shumë e prekur nga historia. Ajo i tha regjisorit se donte të organizonte një shfaqje të mbyllur mbi këtë temë për presidentin ukrainas dhe disa nga këshilltarët e tij. Për Wilmontin, kjo duket si një arritje shumë konkrete.
Filmi, sipas regjisorit, mbart një sërë pikash të rëndësishme që mund të merren në konsideratë kur ukrainasit ta rindërtojnë vendin e tyre, të tilla si krijimi i shtëpive më të vogla kujdestare për të zëvendësuar jetimoret e shtetit dhe ngritja e qendrave për trajtimin e të alkoolizuarve.
Edhe
Qindra fëmijë ukrainas u evakuuan në Itali. Tani Kievi po lufton për t’i rikthyer
Por, siç thekson edhe regjisori, kjo do të ndodhë vetëm “pasi t’i kenë dëbuar rusët”.
Marrë nga: DW. Përktheu: Mirjetë Sadiku