Xhevdet Bajraj
Meksika. Vendlindja e realizmit magjik, padyshim ndër vendet më të bukura në botë. Ka shkretëtirë dhe xhungël, ndërsa plazhet dhe kuzhinën i kanë të veçanta, ashtu si e kanë të veçantë edhe një ndër festat më të mëdha dhe që festohet krejt në mënyrë origjinale, Ditën e të Vdekurve. Në këtë ditë në varrezat e stolisura enkas për këtë rast, këndohet, vallëzohet, hahet dhe pihet. Njerëzit janë të lumtur, ndërsa nëpër shtëpitë e tyre, shtrohet një tryezë e posaçme me pijet dhe ushqimin e preferuar të secilit të vdekur të tyre, e për ta gjetur rrugën deri te tryeza, shtrohet një rrugë me lulet që këtu i quajnë cempasúchil, ndërsa të gjallët vazhdojnë të festojnë me ushqimin e preferuar të tyre, pije, muzikë dhe valle. Sidoqoftë, mua kurrë s´më hiqet malli për Kosovën, edhe pse këtu jam shtatë orë më i ri se në Kosovë, aq është dallimi kohor me Kosovën.
Kosova. Në kohën e ish-Jugosllavisë, njerëzit kanë ëndërruar për liri, për një punë, për një shtëpi, për një grua (që të krijon familje) dhe për një makinë, të gjitha këto për t´i pasur aty, në Kosovë. Tashti njeriu ynë ëndërron për një grua “me letra” (jashtë Kosovës), për një Iphone 6 dhe gjithsesi, për dy–tri makiato a kafe expresso, në ditë. Të bashkëjetohet me urinë, do të thotë jo ta jetosh, por ta vuash jetën. Pa shpresë dhe pa ëndrra njeriu pushon së qeni njeri, shndërrohet në kopje të tij, në rastin më të mirë, në kopje njeriu me zemër e me tru “Made in China” dhe nuk mbetet tjetër gjë përveçse si miza kuajsh që përpiqen të bëjnë të pamundurën, për të jetuar nën bishtat e kuajve.
Njerëzit duken aq të pashpresë. Të dorëzuar para urisë, u duhet të luftojnë kundër zhbërjes së shtetit.
Liria. Erdhi liria dhe na bëri njerëz të mjerë. Kur sheh se ç´po ndodh, njeriut i mbetet përshtypja, shpresoj të jem gabim, se punohet ditë e natë për t´u vazhduar me këtë gjendje.
Dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, para dhe gjatë luftës, kosovari ka pasur shpresë, ka kërkuar dhe ka besuar në liri, e tash sikur jemi zgjuar dhe e kuptojmë që ajo ka qenë ëndërr, se flutura në të vërtetë nuk ekziston, se kurrë nuk ka ekzistuar, se ekziston sall krimbi dhe ëndrra e tij për t’u shndërruar në flutur.
As para Zotit e as para popullit, duart e përlyera nuk pastrohen as me para e as me pushtet, e as me të dyja së bashku. Disa nga pushtetarët tanë, me mish e me shpirt përpiqen të na bindin se me profesion janë hajna, e që sall gjatë kohës së lirë janë politikanë.
Rahoveci. Parajsa e vogël e harruar nga “Zoti” së cilës tregtia e lirë ua vodhi bodrumin e rakisë dhe të verës, fabrikën e plastikës, fabrikën e miellit dhe nja dy fabrika të tjera. Madje ua vodhi edhe kinemanë e qytetit. Qytetit që me fshatrat përreth e pagoi lirinë me aq jetë njerëzish.
Shkrimtari. Poetët, shkrimtarët e Kosovës janë të privilegjuar, sepse të preferuarit e letërsisë: kriminelët, të çmendurit, të pamoralshmit, një numër i madh i tyre, janë në skenë dhe as na lejojnë ta braktisim këtë teatër e as zbresin nga skena. Andaj kjo situatë duhet shfrytëzuar, jetojmë në demokraci, e në demokraci nuk vriten poetët, apo jo?
Bota. Tash, falë medieve të komunikimit, e ndiej më për së afërmi thënien e autorit që nuk më kujtohet emri, po e parafrazoj, kur ka ardhur njeriu i parë në këtë botë, e ka përdorur gjethin e hardhisë për ta mbuluar organin gjenital, jam i bindur se njeriu i fundit, duke e braktisur këtë botë, gjethin e hardhisë do ta përdorë për ta mbuluar fytyrën.
Poezia. Po e citoj filozofin e famshëm francez, Gilles Deleuze: Turpi i të qenit njeri, ani a ka ndonjë arsye më të mirë se kjo, për të shkruar?
Botuar në rubrikën “Shtatë shkronjat” të “E diela me KOHA Ditore”, më 16 nëntor, 2014