Shtojca për Kulturë

“Engjëj dhe xixëllonja” me Filharmoninë për të mos harruar

Kur më 2006 kompozitori Kevin Malone vizitoi qytezën Shanksville në Pensilvani të SHBA-së për të parë vendin ku ishte rrëzuar aeroplani i katërt i rrëmbyer në sulmet e njëmbëdhjetë shtatorit të vitit 2001, ai ishte mahnitur kur kishte parë një “re” xixëllonjash duke fluturuar saktësisht mbi vendin e tragjedisë.

I nisur për të gjetur inspirim për të kompozuar, në ato momente, nuk e gjeti atë te tingujt e natyrës, siç do të mendonte dikush për një kompozitor, mirëpo te pamja e xixëllonjave mbi vendin ku aeroplani dhe të gjithë pasagjerët në të takuan fundin e tyre.

Fryt i kësaj vizite është kompozimi “Angels and fireflies” (“Engjëj dhe xixëllonja”), si dedikim për “komunitetet që nuk dorëzohen” e si thirrje “për të mos harruar”. Sipas Kevin Malones, kompozitorit të tetë veprave për sulmet e njëmbëdhjetë shtatorit, “ne duhet të kujtojmë të kaluarën në atë mënyrë që kërkohet e vërteta dhe shërimi”.

Nëpërmjet veprës së tij “Angels and fireflies”, Kevin Malone arrin të zhvendosë audiencën nga karriget e tyre, në fushën e braktisur ne Shanksville të Pensilvanisë. Sipas Malones, dëgjuesja është “flautistja solo, e ulur në një natë të qetë, duke shikuar perëndimin e diellit, e duke medituar për këtë moment, se si ka mundësi të ndryshojë gjithçka që ajo mendon dhe ndien”.

{gallery}

Në veprën “Angels and fireflies”, për flaut solo dhe orkestër harqesh veçohen lehtë tingujt e flautit. Për dëgjuesit duket sikur nëpërmjet instrumentit dëshiron të sjellë rend dhe qetësi në një botë kaotike, e mbase shpesh të frikshme e të dhunshme. Në ato pak momente qetësie që sjell flauti, vërehet qartë se ajo qetësi është në fakt mjaft e brishtë, e prishet lehtë teksa harqet prekin telat e violinave violonçelëve.

“Angels and fireflies” ka qenë një prej veprave kryesore në koncertin e Fiharmonisë së Kosovës, transmetuar premierë të premten mbrëma. Ishte xhiruar pikërisht në 20-vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit. Me të hapi sezonin 2021-2022. Nën dirigjim të Gregory Charette, orkestra harkore e Filharmonisë me flautisten Susanne Peters si soliste, solli mjeshtërisht “Angels and fireflies”, e “Serenada për harqe në C-dur, Op. 48”, e kompozitorit të famshëm rus të shekullit XIX, Pyotr I. Tchaikovsky, dëshmoi nivelin e Orkestrës.

Sipas violonistit Visar Kuçi, për koncertin e parë të Filharmonisë për këtë sezon, ka thënë se u bënë kompromise në raport me programin.

“Për shkak të rrethanave që u krijuan para koncertit dhe situatës me pandeminë në Kosovë dhe shtetet e tjera, programi u thjeshtësua e orkestra u zvogëlua, prej asaj simfonike në atë harkore, me vetëm një instrument me frymë - flauti”, ka thënë Kuçi.

Për të respektuar masat mbrojtëse ndaj pandemisë, koncerti u mbajt pa praninë e audiencës. Koncert-mjeshtri e ka cilësuar si “të plagosur” koncertin e zhvilluar pa audiencë. “Edhe pse në aspektin akustik, mungesa e audiencës sjell disa gjëra pozitive, në aspektin emocional vërehet një zbrazëti e madhe”, ka thënë Kuçi, të shtunën për KOHËN, një ditë pas transmetimit të koncertit.

Fundi i koncertit dhe duartrokitjet e pakta të “stafit esencial” të koncertit, Kuçi ka thënë t’i kenë dhënë një ndjenjë “të çuditshme”. Koncertet dhe ngjarjet tjera kulturore gjatë këtyre dy vjetëve ngjasojnë me njëra-tjetrën në këtë aspekt.

Koncerti i xhiruar nga Kohavisioni mund të shikohet pa pagesë online në faqen zyrtare të Filharmonisë në Facebook. Performanca e Filharmonisë u “duartrokit” online nga vetë kompozitori Malone, dirigjenti kosovar Bujar Llapaj, e shumë të tjerë.

Në këtë produksion, tingujt e koncertit shoqërohen me pamje nga lart të Prishtinës gjatë natës. Pikat e ndritshme që bien si kontrast mbi terrin e natës ngjasojnë me tufën e xixëllonjave mbi fushën në Shanksville. Ato drita që në shikim të parë duken të zbehta, strehojnë shumë jetë, të një populli që nuk u dorëzua e nuk harron. Prishtina shihet nga lart, njëjtë si do ta shihnin xixëllonjat, engjëjt, e pasagjerët e aeroplanëve duke fluturuar mbi qytet. Përmes muzikës dhe elementeve vizuale, të gjithë janë të barabartë.