Shtojca për Kulturë

Dyshja në kontraste veprash me fuqinë e zërit dhe virtuozitet në piano

Sopranoja Zoya Petrova është emër i shquar në botën operistike, e mjeshtërinë e interpretimit të saj e ka dëshmuar edhe në recitalin e saj me të cilin ka debutuar në Prishtinë. Ka gjetur harmoninë tok me pianistin Andi Duraku, i cili ka pasur kapitullin e tij të lojës virtuoze. Një tjetër veçanti e koncertit në kuadër të “PrivocalFest” ka qenë edhe shpalosja e rrëfimit të saj me “Vocalise” kompozuar prej saj e moment kulmor ka qenë edhe interpretimi premierë i veprës “Gri” të Hajrullah Sylës

Sopranoja sllovake, Zoya Petrova, ka sjellë magjishëm pjesë të operave të shquara të cilat i ka interpretuar anekënd në teatrot botërore. Ndonëse jo në skenë aq madhështore, me këndim e paraqitje skenike ka qenë mahnitëse. Me tingujt e pianos, luajtur nga Andi Duraku, i ka dhënë shpirt çdo vargu të arieve dhe jo vetëm. Ka ndarë edhe një copëz të historisë së saj me veprën “Vocalise”. Koncertit i ka dhënë peshë edhe me muzikë shqipe. Të premten mbrëma e ka interpretuar edhe veprën premierë “Gri” të Hajrullah Sylës ku janë krijuar edhe kontraste stilesh në interpretim të veprave bashkëkohore.

Festivali ndërkombëtar i muzikës vokale “Pri Vocal Fest”, në koncertin e radhës për adresë pati Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Veç posteri i Festivalit prapa interpretuesve ka qenë shenja e ngjarjes. Publiku është vendosur shkallëve në hollin e Bibliotekës, në formë harkore. Ndonëse hapësira është improvizim dhe jo e denjë për interpretimin e sopranos Petrova, mrekullia qe akustika e hapësirës që ka përcjellë çdo tipar të vokalit.

“E strano! – Sempre libera” nga “La Traviata” e famshme e italianit Giuseppe Verdi qe e para me të cilën sopranoja nisi rrugëtimin operistik. Ca tinguj dinamikë në piano i kanë paraprirë interpretimit në vokal. Kur sopranoja nis këndimin, pjesa tekstuale dhe ajo muzikore nuk takohen. Ajo fillimisht vjen si një lloj zemërimi që buron papritmas në një sekuencë të aries. E përçon edhe më fuqishëm me paraqitjen e saj. Sa duket se pjesa përfundon, nisin të ngritën zhvillime më dramatike që vijnë befas. Zëri i sopranos sllovake është tejet magjepsës kur brenda vargjesh përzihen ndjenja.

Image
“Tarantella” e hungarezit Franz Listz ka qenë pika muzikore në të cilën është shprehur pianisti Andi Duraku

Interpretim edhe më i fuqishëm i saj vjen me arien “Je marche sur tous les chemins” nga opera “Manon” e kompozitorit francez, Jules Massenet. Kulmimi i pjesës së parë si dinamizëm maksimal sjell një tjetër temë, atë harmonik dhe tejet atraktiv. Vepra temperamente ka edhe një pjesë tjetër ku sa ndërpriten tingujt e vokali për një çast, nis interpretimi trishtues. Prapë e gjen fuqinë me të cilën nis, por kësaj here publiku njoftohet me një dimension më ndryshe.

“Tarantella” e hungarezit Franz Listz ka qenë pika muzikore në të cilën është shprehur pianisti Andi Duraku. Ka sjellë tingujt e shpejtë dhe dominues tek kombinohen herë-herë me ata të butë. Vështirësitë teknike të veprës janë të dukshme. Kur prek notat e fundit të një serie tingujsh, pjesa tjetër është përrallore. Tingujt e shpeshtë të kombinuar me ata të lehtë dhe më dominues njëkohësisht krijojnë një ngjarje sa të këndshme, njëkohësisht aq dramatike, më pas kulmuese dhe përfundimisht harmonike.

Pjesa është prej të preferuarave të pianistit Duraku.

“Është një pjesë shumë virtuoze që ka kërkesa të larta teknike dhe muzikale, por është një pjesë që e kam shumë për zemër dhe të cilën është gjithmonë kënaqësi sa herë e interpretoj në skenë”, ka thënë ai.

Në skenë është rikthyer sopranoja Zoya Petrova për të interpretuar “Je veux vivre” të francezit Charles Gounod. Kanë përcjellë te publiku vijat tejet melodike dhe ritmike të pjesës, për ta përfunduar me një dinamizëm që shpejt shkrihet në pikën fillestare.

Veçanti ka qenë vepra “Gri” e kompozuar nga Hajrullah Syla e shkruar veçanërisht për t’u interpretuar nga sopranoja sllovake. Tingujt e dinamika tejet dominuese, i paraprijnë interpretimit të lehtë e minimalist të saj të pjesës tekstuale me vargjet e poezisë “Gri” të poetit Dritëro Agolli.

Nis me vargjet “Shumë ujë gri, shumë qiej gri / Gri në dritare, grin e vetmi / Ikin lejlekët larg në arrati / Shumë ujë gri, shumë qiej gri / Pikojnë strehët melankoli/”, shpërthen në tingujt vijues dhe duket se fillon një tjetër kapitull në interpretim. Përcjell ngjarje të zymtë që kumbon me ngritjen e zërit në vargjet e fundit.

Sopranoja Petrova ka thënë se vepra ka qenë tejet e përshtatshme për zërin e saj. “Syla e bëri këtë pjesë veçanërisht për Festivalin dhe që herën e parë kur nisa ta këndoj, po mendoja sa mirë e ka bërë, pikërisht për zërin tim. Ishte shumë e përshtatshme në këndim, sepse kompozitorët modernë shpesh nuk mendojnë për këngëtarët shumë dhe është e vështirë të interpretosh dhe barra bie mbi ne. Ky kompozim ishte i përshtatshëm për mua, sikur e njeh zërin tim”, ka thënë Petrova, për të cilën ka qenë hera e parë që ka interpretuar në Prishtinë.

Veten e prezantoi te publiku nëpërmjet muzikës së saj. “Vocalise” e kompozuar prej saj i ka dhënë fillimisht kahe tradicionale pjesës me ngjyrat e zërit. Ngjan se uljet dhe ngritjet e papritura të zërit janë simbol i gjendjes shpirtërore, i mërzisë dhe lumturisë, çmendurisë nga lumturia dhe atij nga hidhërimi. Por edhe si një lloj përkufizimi i lëkundjeve që sjell jeta. Vepra minimaliste tekstualisht theksin e ka te fuqia e vokalit që flet pa fjalë.

Sipas sopranos, qëllimi ka qenë të përcjellë te publiku edhe një pjesë të jetës së saj nëpërmjet muzikës.

“Kjo pjesë është kompozuar dy vjet më parë dhe ka fituar çmimin e parë në Sllovaki për kompozitorë të rinj dhe gjithashtu e kam interpretuar edhe në Poloni. Desha t’u tregoj njerëzve këtë histori të vogël timen”, është shprehur ajo. Koncertin si tërësi e ka vlerësuar të veçantë për të.

“Jam e lumtur të jem këtu në Prishtinë, ishte një rrugëtim i gjatë, patëm parapërgatitje dhe jam shumë e lumtur që publiku ishte shumë i afërt. Ky koncert recital ishte i veçantë, më solli energjinë t’u sjell njerëzve stile dhe muzikë të ndryshme nga Verdi, pastaj muzikë moderne. Ishte nder për mua”, ka thënë më tej sopranoja dhe kompozitorja Petrova, soliste e Teatrit Shtetëror në Sllovaki dhe e Operës së Bratisllavës. Ka interpretuar në skena prestigjioze ndërkombëtare duke marrë përsipër edhe role të rëndësishme të kryeveprave të skenës operistike. Vitin e kaluar ajo ka interpretuar rolin e Papagenas në operën “Flauti Magjik” në Zvicër, atë të Frasquitas në operën “Carmen” në Bratisllavë, rolin e nënës së Lucias nga opera “Peter and Lucia” të sllovakut Miro Bázlik. Këtë vit është shfaqur në rolin e Mbretëreshës së Natës në Teatrin Shtetëror Košice në Sllovaki derisa do të interpretojë edhe rolin e Brigitte nga opera “Iolanta” e rusit Pyotr Tchaikovsky me Filarmoninë e Bratislavës.

Veprat e kompozuara nga ajo janë interpretuar nga Orkestra Kamertale e Zagrebit dhe Orkestra Filharmonike Sllovene.

Image
Jam e lumtur të jem këtu në Prishtinë, ishte një rrugëtim i gjatë, patëm parapërgatitje dhe jam shumë e lumtur që publiku ishte shumë i afërt. Ky koncert recital ishte i veçantë, më solli energjinë t’u sjell njerëzve stile dhe muzikë të ndryshme nga Verdi, pastaj muzikë moderne. Ishte nder për mua”, ka thënë Zoya Petrova

Drejtori i festivalit “PriVocalFest”, Hajrullah Syla, ka thënë se vepra e tij “Gri”, siç i është premtuar, do të jetë pjesë e këtyre skenave nëpërmjet interpretimit të sopranos Petrova.

“Veprat është e shkruar pikërisht për këtë koncert. Është e kompozuar për piano dhe soprano solo. Teksti është marrë nga Dritëro Agolli, ‘Gri’, një tekst shqip, kam pasur dëshirë të kemi solisten Petrova të interpretonte diçka shqip, kjo ka qenë ideja dhe natyrisht që kjo vepër u prit shumë mirë së pari nga solistja që e ka kënduar sonte. Shpresoj që, siç ajo e ka thënë, kjo pjesë do të jetë pjesë e skenave botërore ku ajo do të interpretojë”, ka thënë Syla derisa ka treguar se fillimisht kishte analizuar vokalin e sopranos për ta përshtatur me të në procesin e krijimit.

“How fair this spot” e Sergei Rachmaninoff ka qenë vepër thellësisht e ndjeshme derisa “The rose and the nightingale” e Nikolay Rimsky-Korsakov, po ashtu rus, tejet estetike në vokal.

Për pianistin Andi Duraku shumica e programit ka qenë me vepra të reja. Ai ka thënë se ka qenë tejet kënaqësi interpretimi me sopranon Petrova.

“Kësaj radhe ishte kënaqësi e madhe duke shoqëruar një soprano aq të talentuar. Programi, shumica ishte i ri për mua, hera e parë që e interpretoj në skenë, në të njëjtën kohë u paraqita me një pikë solo dhe interpretuam disa nga ariet më të famshme operistike duke filluar me ‘Traviatën’ më pas vazhduam me një repertor që prekte të gjitha epokat dhe stilet muzikore”, ka thënë Duraku, fitues i shumë çmimeve, mes tyre, “Grand Prix” në garën “Pianisti i Ri” në vitin 2012, çmimin absolut dhe “Grand Prix” në garën “Ars Kosova” më 2017, çmimin special në festivalin “Chopin Piano Fest”, ku fitoi mundësinë të performojë një recital në Bon të Gjermanisë.

Duraku ka performuar në Gjermani, Zvicër, Francë, Turqi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Hungari dhe Itali. Aktualisht është mësimdhënës në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë derisa vazhdimisht bashkëpunon me Korin e Filharmonisë së Kosovës.

Profesoresha e muzikës, Lejla Pula, në klasën e së cilës Duraku kishte ndjekur mësimet, e ka vlerësuar si performancë të jashtëzakonshme interpretimin e dyshes. “Së bashku me sopranon vërtet kanë sjellë imazh të shkëlqyer të veprave që ne kemi pasur disa nga ato raste t’i dëgjojmë. Mes tyre ishte edhe një vepër e Hajrullah Sylës dhe një vepër autoriale nga sopranoja, ku ajo ishte edhe kompozitore edhe këngëtare. Kështu që ishte vërtet mrekulli”, ka thënë Pula e cila e ka konsideruar koncertin të nivelit shumë të lartë artistik.

Besa Luzha, po ashtu profesoreshë e muzikës, e ka vlerësuar Festivalin në përgjithësi për shtim të vlerave me sjelljen e artistëve të huaj.

“Kësaj radhe isha e kënaqur të vij të shoh këtë soliste të Teatrit të Operës të Sllovakisë, ishte jashtëzakonisht e mirë, na dhuroj emocione kaq të bukura. Ishte e përsosur në çdo aspekt, në teknikë, në lëvizje skenike dhe gjithçka çfarë dhuroi në interpretimin e saj. Ndoshta edhe akustika këtu e bëri të veten dhe bashkëpunimi me Andin sigurisht ishte bashkëpunim shumë i mirë”, ka thënë Luzha.

Koncerti i dyshes Petrova dhe Duraku ka qenë i parafundit i edicionit të gjashtë të “Prishtina International Vocal Festival”. Festivali ka përmbyllur programin e sivjetmë të shtunën mbrëma me koncertin “Zëri i rrënjës” me këngëtarin belg Ceylan Taci dhe kitaristin Astrit Stafai.