Shtojca për Kulturë

Dy dekada me projektor të ndezur

Mes ideve për një festival të muzikës, filmit artistik e kështu ngjashëm, triumfoi ajo për film dokumentar e të shkurtër. “Diçka që mund të ofronim dhe diçka pak më ndryshe nga ajo që shihnim në televizor e në mungesë të platformave siç janë tani”, ka thënë Eroll Shporta. Bashkë me Aliriza Arënliun, Veton Nurkollarin, Orhan Kerkezin, Arijan Bekqelin, Mahir Shehun, Burim Myftiun, Bahri Ukën e Jeton Jagxhiun, nuk ia kishin idenë se si organizohej një festival. Më 2001 i mësuan të gjitha nga fillimi. E pas dy dekadash, “Dokufesti” është ngjarja më e madhe kulturore në vend. Është pika kyçe jo vetëm e kulturës në Kosovë, por edhe si aset ekonomik i Prizrenit

Në murin me nam në hyrje të “Kino Lumbardhit”, përveç mbishkrimit të verdhë ku dallohen tri fjalët që përbëjnë temën e sivjetme të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Re:Set, “Re:Mix” dhe Re:Act”, ka zënë vend edhe një tjetër mbishkrim. Në një pjesë të murit të bardhë, me të zezë është shkruar “20 vjet me” dhe është lënë hapësirë për t’u plotësuar. E para fjalë që është shkruar është “Dashuri”. Pra, “20 vjet me dashuri”. Kjo fjali si përmbajtje edhe e deshifron festivalin. E mban gjallë atë bashkë me misionin që ka. Është dashuria për filmin, për vendin, në përgjithësi për festivalin dhe shpirtin e tij, që shtyn përpara çdo pjesëtar të stafit, por edhe të tjerët.

Ndezja e ekranit të “Lumbardhit”

Disa shokë që vizitonin “Kino Lumbardhin” në vitet ‘90 nuk bëheshin rehat. Në atë kohë, saktësisht më 1997, po të mos ishin dy veta e katër bileta në publik, ekrani i kinemasë nuk ndizej. Kështu, Erroll Shporta, një nga themeluesit e “DokuFestit”, kur ishte vetëm me një shok, blinin edhe dy bileta të tjera për t’i shikuar filmat që lëshoheshin në atë kohë nga shiriti 35-milimetërsh. Sa herë që kanë dalë nga “Kino Lumbardhi”, atëherë “Kino Bistrica”, kanë biseduar me shokët për “Kino Bahçen” dhe si ta riaktivizojnë atë. Mirëpo, më pas ndodhi lufta dhe të gjitha kinematë ranë përsëri në heshtje. Pas luftës, bisedat për riaktivizimin e “Kino Bahçes” – që gjatë festivalit njihet si “Kino Lumbardhi outdoor” – nisën përsëri, ani pse vetëm nëpër kafe e jo si veprime konkrete. Por, bluarja e ideve nisi të formësohej edhe më. Një veprim praktik u mor në vitin 2001.

Mes ideve për një festival të muzikës, filmit artistik e kështu ngjashëm, triumfoi ajo për film dokumentar e të shkurtër. “Diçka që mund të ofronim dhe diçka pak më ndryshe nga ajo që shihnim në televizor e në mungesë të platformave siç janë tani”, ka thënë Shporta.

Bashkë me Aliriza Arënliun, Veton Nurkollarin, Orhan Kerkezin, Arijan Bekqelin, Mahir Shehun, Burim Myftiun, Bahri Ukën e Jeton Jagxhiun, nuk ia kishin idenë se si organizohej një festival. I mësuan të gjitha nga fillimi. Një regjisor i huaj, mik i Myftiut që dinte më shumë për këtë punë, ua tregoi ato thelbësoret.

“Vetë i bënim të gjitha punët, me posterë, me renditje të karrigeve, me ftesa. Dhe vitin e parë ra një shi shumë i madh sa mbuloi rrugët dhe menduam që do të anulohej, mirëpo për çudinë tonë fjalët ishin shpërndarë dhe kishin ardhur disa entuziastë dhe të gjithë atë që kemi pasur ta bëjmë jashtë e kemi bërë brenda”, ka kujtuar Shporta.

Ruajtja e origjinalitetit

Ndihma nga komuniteti dhe puna e madhe ua dhanë një besim për të vazhduar dhe kësisoj çdo vit janë rritur më shumë. Madje, në fillim kishin menduar që çdo vit të ndërronin drejtorin e festivalit. Kështu, Shporta e mori atë në edicionin e dytë, derisa më vonë e panë se me rritjen e festivalit këtë detyrë duhej ta mbante një person – së paku për një kohë më të gjatë.

“Kur e kam parë që vitin e parë është bërë diçka, e dita që kjo do të vazhdojë. Këtij festivali i kam dhënë shumë dhe kam bërë gjithçka me shumë vullnet dhe entuziazëm”, ka thënë ai, duke treguar se shpesh i ishte dashur që pas të lërë edhe angazhime familjare e të ngjashme.

“Atë punë e kemi bërë me dashuri me entuziazëm dhe shpesh kemi dhënë para nga xhepi ynë. Të gjithë kemi pasur punë të tjera dhe nuk e kemi pasur ‘DokuFestin’ si punë, por ka qenë diçka nga dashuria dhe nga vullneti”, ka thënë Shporta.

Eroll Shporta ishte i pari person që u punësua në “DokuFest”. Tani festivali ka 17 veta që punojnë me orar të plotë. Festivali tani ka edhe zyrat e veta, por në vitet e para themelueset e tij merrnin zyrë me qira vetëm për disa muaj. Një kompjuter që e bartnin nga një vend në tjetrin akoma e kanë si kujtim të atyre ditëve. Njëlloj si bexhat e Shportës të radhitura rend në një qoshe të zyrës së tij, që ai i ruan me shumë fanatizëm. Edhe ata janë një pasqyrim i rrugëtimit të festivalit. Mirëpo, përgjatë gjithë këtyre viteve, Shporta ka thënë se festivali ka ruajtur gjënë më të çmueshme.

“Pjesa më interesante, ose ajo që ka mbetur, është shpirti i festivalit, ose çka më ka rënë me e vënë re edhe duke i përcjellë festivalet e tjera, këtu ka diçka origjinale, janë kinematë, është atmosfera, mikpritja, vullnetarët, njëfarë ritmi, një energji e festivalit, pra jo vetëm filmit, por gjithçka”, ka thënë ai. Ka theksuar se kjo ndoshta vjen edhe për shkak të dashurisë që e kanë njerëzit ndaj festivalit dhe ndoshta ka luajtur rol edhe fakti se shumica e stafit, nëse jo të gjithë, kanë filluar punën si vullnetarë të festivalit.

Ndikimi i “DokuFestit”

Përzgjedhësi i programit të filmave të shkurtër dhe atij kombëtar, regjisori Samir Karahoda, është po ashtu në mesin e atyre që u bënë pjesë e festivalit që në fillet e tij. Në edicionin e parë posa ishte kthyer nga studimet në Stamboll dhe ishte thirrur si anëtar jurie, bashkë me profesorin e aktorin me nam, Faruk Begolli.

“Shumicën prej organizatorëve i kam njohur dhe automatikisht e kam ndier nevojën t’u ndihmojë në organizim, se e kam kuptuar që janë duke bërë diçka të mirë për vendin, për Prizrenin, dhe kam filluar t’u ndihmoj në çdo aspekt, në çkado që kam pasur mundësi”, ka thënë ai. Por, rruga nuk ishte e lehtë. Siç ka kujtuar Karahoda, në atë kohë kinematë ishin të zbrazëta, pa pajisje, bile edhe pa energji elektrike.

Lidhja me botën

“Kjo ka qenë sfidë interesante, por edhe goxha e vështirë në atë kohë, pasi në treg nuk ka pasur pajisje për realizim të filmave. Është dashur të gjeje gjeneratorë dhe nuk e harroj kurrë ndihmën e qytetarëve me kabllo me tepihë, pasi të gjithë na kanë ndihmuar për ta realizuar festivalin, disi sikur kanë pritë që do të ketë diçka më shumë prej tij”, ka thënë ai. Gjersa ka shtuar se ajo që kanë arritur nuk paguhet.

“Mund të them se të gjitha këto sukseset e viteve të fundit janë të lidhura me iniciativën e ‘DokuFestit’, ku shumë regjisorë filmat e tyre të parë i kanë prezantuar në ‘DokuFest’ dhe e kanë kuptuar se çka është një festival i filmit”, ka thënë ai. Sipas tij, “DokuFesti” u ka dhënë një mundësi për t’u lidhur me botën.

“Na ka mundësuar që ta promovojmë vendin në formën më të mirë, me sendin më të mirë që e ka Kosova sa i përket aspektit kulturor. E për mua është një familje të dytë, të gjitha këto vite që i kemi kaluar janë rezultat i harmonisë që kemi pasur brenda”, ka thënë ai. Ka theksuar se nëse edhe politika do t’i ndiqte hapat e kulturës, “ndoshta më ndryshe do ta kishim edhe vendin”.

Kinemaja dhe festivali që nuk ndahen

Pra, “Kino Lumbardhi” ishte bërë sebep për realizimin e festivalit. 20 vjet pas, kinemaja dhe festivali janë rritur ndaras, por duke qëndruar njëkohësisht të pandarë, e duke frymuar njëlloj. Ai që e vëren më së shumti lidhshmërinë në mes tyre është Ares Shporta, drejtor i “Kino Lumbardhit” që nga viti 2005.

“Shiu” është ajo që kujton Shporta nga edicioni i parë. Ai e tregon këtë gjë duke qeshur, pasi shpeshherë hapjen e këtij festivali e ka karakterizuar nata me shi, ani pse mbahet në muajin gusht. Edicioni i parë ishte mbajtur në fillim të shtatorit. Njëjtë ndodhi edhe të premten, kur nisi edicioni i sivjetmë. Kishte ardhur me prindërit e tij, të cilët, siç e kujton ai, e mbanin për dore. Atëherë njëmbëdhjetëvjeçar, e kishin sjellë në “Kino Bahçe”.

Image

Do të niste si ide e një grupi miqsh, të cilët në Kosovën e pasluftës mendonin të ngjallnin diçka në qytetin e tyre. Dhe e ngjallën “Kino Lumbardhin” në vitin 2001. Por, 20 vjet më vonë, “DokuFesti” numëron 6 kinema që ndezin projektorët në çdo edicion. Është pika qendrore e ngjarjeve kulturore në vend. Pos që lidh botën e filmit me Kosovën, nëpërmjet këtij organizimi, vendi i vogël ballkanik u bë pjesë e hartës kulturore të globit (Foto: DokuFest)

“Më kujtohet entuziazmi se po ndodhte diçka që nuk e kisha parë më herët në jetë, një farë euforie me thanë. Po, dashuria për festivalin nuk është diçka që e kisha kufizuar në një edicion, pasi ka qenë duke u rritë. Ka qenë i vetmi moment që e kemi pritur gjatë gjithë vitit, edhe si student e kam prezantuar me krenari”, ka thënë ai. Sipas tij, “DokuFesti” ishte dritarja për ndodhitë në të gjithë botën para se të merrnin vrull mediat sociale të dominonte interneti.

“‘DokuFesti’ është demonstrim i mundësisë për ta transformuar një qytet, një vend, edhe për ta realizuar qoftë edhe idenë me të çmendur nëse beson në të. Për mua, ideja që disa njerëz e kanë bërë ‘DokuFestin’ ka qenë ajo që më ka shtyrë të kthehem në Prizren, pasi ata kanë arritur ta realizojnë ‘DokuFestin’. Unë kam besuar që munde të bësh gjithçka”, ka thënë Shporta.

Ka theksuar pikërisht se “DokuFesti” ishte ai që nisi një kapitull të ri për “Kino Lumbardhin” në shekullin XXI, pasi kinemaja kishte “vdekur” në shekullin XX.

“Gjithmonë do të ekzistojë ajo lidhja organike dhe emocionale në mes njërës dhe tjetrës, pavarësisht se si do të evoluojë ‘Lumbardhi’ si institucion dhe një ndër cilësitë e ‘Lumbardhit’ është që ndihet si pronë e të gjithë atyre që i zhvillojnë aktivitetet e tyre aty dhe që vijnë ta shfrytëzojnë hapësirën t’i përcjellin ngjarjet dhe si drejtues i tij dëshiroj që të mos e humb këtë ndjesi, por të gjej forma të reja që ta forcoj më tej”, ka thënë Shporta. Por, dashuria për “DokuFestin” sikur është mbjellë në një formë a tjetrën te të gjithë.

Ta kapësh shpirtin e “DokuFestit”

Fotografja Elmedina Arapi, njëherësh edhe koordinatore e fotografëve për këtë edicion, gjatë gjithë ditës është në këmbë. Rrallë i bie të ulur. Nga një vend në tjetrin mundohet të kap gjithçka që po ndodh në festival. Ajo është një ndër dokumentuesit më të mirë të asaj që ndodh përreth. Me fotoaparatin e saj vë në fokus njerëzit, thënë më saktë sytë e tyre. I beson thënies: “Sytë nuk të gënjejnë”. Ata i sheh si reflektuesit më të mirë të emocioneve të njerëzve në momente të caktuara. Në sytë e njerëzve vërehet reagimi ndaj çdo situate brenda festivalit dhe kërshëria për të mësuar, reflektuar e shijuar momente të caktuara.

Për herë të parë i ishte bashkuar festivalit në vitin 2010. Atëherë merrej me “DokuNight”, por e kishte marrë aparatin me vete.

“Kam dashur ta fotografoj, ani pse vullnetare, sadopak të arrij të kap diçka. I kam bërë fotografitë vetëm për vete, mirëpo u pata bërë pjesë e festivalit veç me pasë qasje në gjithçka dhe aty me fotografu”, ka thënë Arapi. Tash fotografitë e saj, bashkë me ato të të tjerëve fotografë e kameramanë, kapin më së miri frymën e festivalit, shpirtin e tij e dashurinë e njerëzve për të.

“Fotografia, pra, më ka shtyrë ta dua festivalin. Edhe ajo fryma e festivalit e sigurisht edhe filmat dokumentarë, mirëpo gjithmonë kam dashur të jem pjesë e tij dhe si e vogël kur kam parë atë energjinë e festivalit”, ka thënë prizrenasja 29-vjecare. Uron që gjithçka të shkojë mirë dhe ashtu siç e ka menduar.

“Po, dua të mos ketë probleme dhe të gjej kohë më shumë me shiku filma, pasi shumicën e kohës jam duke punuar. Edhe po du me pa njerëz më shumë, pasi gjatë pandemisë kemi parë pak njerëz dhe i kemi parë të stresuar, kështu që po du me pa fytyra tu qesh, tu vallëzu, tu mos u brengosë veç për pandeminë”, ka thënë ajo. Pas kësaj, i është kthyer punës në kërkim të asaj që e bën të veçantë “DokuFestin”, në kërkim të shpirtit të tij.