Libri “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” – botoi “Wes Print”, Tiranë, 2012 – paraqet homazh për këtë mjedis të hapësirës etnogjeografike shqiptare e cila padrejtësisht iu shkëput Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një krahinë e cila – ndonëse e banuar me shumicë absolute shqiptare – në sajë të vendimeve të Konferencës së Londrës (1913) iu dhurua Greqisë
Në lidhje me këtë çështje, kontribut të rëndësishëm ka dhënë pedagogu dhe studiuesi Selman Sheme (1946-2025), i cili opinionit i është prezantuar me botime të veçanta nga fusha e gjeografisë, ku krahina e Çamërisë ishte preokupim i veçantë profesional.
Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse ai ishte me origjinë nga kjo krahinë, andaj çdo botim i tij paraqet homazh për këtë mjedis të hapësirës etnogjeografike shqiptare e cila padrejtësisht iu shkëput Shqipërisë. Me këtë rast po do të të trajtojmë botimin “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, “West Print”, Tiranë, 2012. Në këtë botim autori trajton trojet shqiptare dhe regjionalizimin etnogjeografik, ndërsa më pas ofron të dhëna për ndarjen rajonale etnografike të Shqipërisë në shekullin XIX-XX, duke vazhduar me veçoritë e përgjithshme fiziko-gjeografike në përgjithësi e ato gjeografiko-etnologjikë të Çamërisë. Në veçanti janë trajtuar rajonet gjeografike të Çamërisë si ai i Filatit, Gumenicës, Paramithisë, Margëlliëit, Pargës, Prevezës, Artës dhe i Janinës.
Çamëria – preokupim profesional
Nga përmbajtja e prezantuar del se autori si preokupim profesional ka krahinën e Çamërisë, e cila gjendet në pjesën jugore të hapësirës etnogjeografike shqiptare, që shtrihet nga liqeni i Butrintit dhe lumi i Pavllës në veri e deri në gjirin e Artës në jug. Kemi të bëjmë me një krahinë e cila – ndonëse e banuar me shumicë absolute shqiptare – në sajë të vendimeve të Konferencës së Londrës (1913) iu dhurua Greqisë. Nga ajo kohë e më pas shqiptarët e kësaj krahine vazhdimisht kanë qenë të rrezikuar nga pushteti grek, duke përjetuar dhunë, vrasje e shpërngulje me qellim të politikës së tyre të spastrimit etnik nga popullsia shqiptare. Kemi të bëjmë me politikën greke të asimilimit dhe helenizimit të popullsisë shqiptare sipas “Megali ides”, proces i cili ka vazhduar vite më radhë, duke arritur kulmin në vitin 1944-45. Kemi të bëjmë me projektin qeveritar grek të spastrimit etnik të Çamërisë nga shqiptarët e atë kryesisht ata të fesë islame, ndërsa ata të fesë ortodokse llogariteshin si grekë!

Politika greke e spastrimit etnik në Çamëri
Për të arritur këtë qëllim ata përdorën të gjitha mënyrat: si grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, burgosjet, torturimet e popullsisë, dëbimet me dhunë e deri të masakrat e përgjakshme. Po ashtu pushteti grek veproi me kapacitet të plotë për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë nëpërmjet kolonizimit të krahinës duke vendosur kryesisht kolonë grek por edhe vlleh të ardhur nga pjesët e ndryshme të Greqisë, por edhe nga Azia e vogël, në sajë të marrëveshjes së Lozanës (1923) për shkëmbim të popullsisë në mes Turqisë e Greqisë. Ishte kjo marrëveshje e cila ka goditur shqiptarët e fesë islame, rreth 55.000, sepse politika greke i konsideronte si turq, andaj i ka dëbuar për në Turqi. Në këtë drejtim spastrimi etnik ka qenë i pranishëm edhe jashtë Çamërisë, në vendbanimet shqiptare në Kostur e Follorinë ku u shpërngulen rreth 35.000 shqiptarë, duke i detyruar të vendosën në Turqi. Por, me gjithë këto shpërngulje të dhunshme deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, Çamëria vazhdonte të ishte një krahinë etnike homogjene ku mbi 82 për qind të popullsisë e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave greke të vitit 1937, Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë nga të cilët 20.200 banorë ishin grekofonë dhe 92.419 ishin shqiptarë. Popullsia shqiptare përbëhej nga 59.419 banorë të fesë ortodokse dhe 33.000 banorë të fesë islame.
Procesi i shpërnguljes së popullsisë çame nga trojet e veta u fut në një fazë të re gjatë luftës italo-greke (1940-1941) dhe arriti pikën më kulmore me ngjarjet e vitit 1944-45. Goditja fatale e popullsisë shqiptare, ka ndodhur me 27 qershor 1944, ku forcat e EDES-it grek, nën udhëheqjen e gjeneralit Napoleon Zerva, kryen një nga masakrat më të rënda ndaj shqiptarëve të Çamërisë në qytetin e Paramithisë. Rreth 600 burra, gra dhe fëmijë u vranë barbarisht. Në muajt që pasuan, mbi 2.700 shqiptarë të tjerë u masakruan, u dogjën 68 fshatra dhe 5800 shtëpi. Si pasojë e këtij gjenocidi ishin të detyruar të shpërngulën nga vatrat e tyre në Çamëri rreth 35.000 shqiptarë myslimanë të cilët u vendosën në Shqipëri, ndërsa një pjesë në Turqi. Dhe nga këto masakra nuk mbeti asnjë shqiptar i përkatësisë islame, nga del se spastrimi etnik kishte edhe karakter fetar.
Shqiptarët ortodoks drejt asimilimit
Pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia shqiptare ortodokse në Çamëri e gjetiu në Greqi është përballur me politikë diskriminuese, raciste e asimiluese, sepse pushteti grek ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe e me këtë edhe mësimin e saj në shkollë. Nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i shqiptarëve në Greqi, por sipas të dhënave për vitin 2006, në strukturën e grupeve etnike shqiptarë janë 1.5 për qind. Ndërsa sipas llogaritjeve të thjeshta në Greqi nga 11 milion banorë të Greqisë, grupi etnik shqiptar në tregues absolut arrin në rreth 165.000 banorë. Pjesa ma e madhe e kësaj popullsie shqiptare ortodokse jeton në Çamëri, si dhe në rrethet e Prevezës, Artës e Janinës. Ndonëse procesi i asimilimit e ka bërë të vetën, gjuha shqipe flitet në familje dhe e rezervuar në mjedise publike. Përfundimisht popullsia shqiptare në Çamëri e ndodhur nën trysninë e helenizimit nëpërmjet diskriminimit e persekutimit nuk e deklaron publikisht identitetin e vet kombëtar.
27 qershor 1944 – Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Në kohën e diktaturës në Shqipëri deri në vitin 1991 ndaj masakrave të grekëve kundër çamëve nuk i është kushtuar vëmendja e duhur. Vetëm në pluralizëm kjo çështje mori peshën e duhur, duke njoftuar opinionin e gjerë me pozitën e popullsisë çame. Në nderim martirizimit të popullsisë çame, Kuvendi i Shqipërisë, më 30 qershor 1994, shpalli 27 qershorin si “Ditën e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”, duke e përfshirë në kalendarin kombëtar përkujtimor.
Zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare
Me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri nga viti 1991, ndonëse janë bërë përpjekje për të zgjidhur çështjen çame, por asnjë Qeveri e Shqipërisë nuk ia ka arritur që me Greqinë të gjejë gjuhë të përbashkët, duke mbetur çështje e pazgjidhur. Sepse çështja çame nuk është vetëm e drejtave e lirive të individit, apo të pronës, por është më shumë sepse është çështje politike e cila kërkon zgjidhje sipas standardëve demokratike ndërkombëtare.
Sipas të dhënave në Shqipëri numri i përgjithshëm i popullsisë çame është rreth 250.000 të cilët në Çamëri kanë pronat e tyre duke qenë trashëgimtar legal por qeveritarët grek refuzojnë të trajtohet kjo çështje, madje nuk lejojnë që çamët të shkojnë as si vizitor në trojet e tyre stërgjyshore. Pavarësisht raporteve politike në mes dy vendeve, çështja e Çamërisë kërkon zgjidhje sipas standardëve ndërkombëtare, ku Shqipëria si shteti amë duhet të luajë rolin që i takon në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar.
Literaturë e obliguar jo vetëm për nxënësit
Duke marrë parasysh vlerën shumëdimensionale të këtij botimi, mendoj se ai duhet të jetë si literaturë e obliguar jo vetëm për nxënësit në shkollat fillore e të mesme, për t’u njoftuar me të kaluarën dhe të tashmen e kësaj krahine të martirizuar shqiptare. Krahas paraqitjes tekstuale botimi është i pasur me shumë fotografi të natyrës së Çamërisë dhe monumenteve të kulturës në këtë mjedis. Ndërsa vlerë e veçantë e këtij botimi paraqet përkthimi i tekstit në gjuhën angleze që do iu shërbejë edhe lexuesve të huaj për të kuptuar të kaluarën dhe të tashmen e kësaj krahine etnogjeografike shqiptare.