Kahun e ri që e ka marrë fenomeni i burrneshave gjatë vjetëve të fundit, Andamion Murataj e shtjellon në filmin në ardhje, “Burri i shtëpisë”. Për gati tri javë periferia e Tiranës është shndërruar në shtëpi të kastës së aktorëve dhe tërë ekipit realizues, të cilët vijnë nga shtatë vende të Evropës falë mbështetjes së gjerë që filmi ka marrë pas prezantimit ndërkombëtar
Fshati periferik i Tiranës, prej gjysmës së shkurtit, është kthyer në shesh xhirimi për filmin “Burri i shtëpisë”, në regji të Andamion Muratajt. Kasta e përbërë nga aktorë të njohur nga gati krejt trojet shqiptare zbarkoi në këtë lokacion për ta xhiruar skenën e radhës. Janë profesionistë nga vendet e ndryshme të Evropës. Kjo është rrjedhojë e mbështetjes së gjerë të cilën filmi e ka gjetur pas prezantimit ndërkombëtar.
Secili në detyrën e vet në ditën e 14-të të xhirimeve, brenda orarit të caktuar nis punën kur dëgjohet çaku dhe regjisori të thërrasë: “Aksion”.
Zana 9-vjeçare, një prej personazheve kryesore e luajtur nga Alesia Ruci si vajza e Adrianit (Astrit Aliajdaraj), mbesa e Franit (Drita Kaba-Karaga) dhe e Anton Vatës (Bislim Muçaj), luan me shokët e shoqet derisa babai dhe halla e shikojnë duke diskutuar tërë hall për shëndetin e saj. Pas gati tri orë xhirimesh të skenës në një hapësirë të braktisur të fshatit, Zall-Herr, ekipi realizues bashkë me aktorët ndërrojnë lokacion për të shkuar te shtëpia e Anton Vatës. Aty Adriani ka ardhur nga mërgimi pas një aksidenti të cilin e pëson vajza e tij, e cila rritet nga gjyshi dhe halla Frani.

Filmi fokusohet te Frani, rol ky të cilin e luan aktorja e njohur nga Maqedonia e Veriut, Drita Kaba-Karaga. Është një personazh kompleks. Jeton si beqare, në traditën e një virgjëreshe të betuar shqiptare. Për t’u bërë nënë e mbesës së saj të vogël, e cila ka mbetur jetime, Frani duhet ta bëjë zgjedhjen e vështirë: të vazhdojë ta mbajë statusin e një burrneshe, ose të heqë dorë nga të gjitha dhe të rilidhet me ndjenjat femërore të nënës, të cilat ajo i ka ndrydhur për një kohë të gjatë.
Regjisori Andamion Murataj tregon se skenari i këtij filmi erdhi pasi ai e kuptoi se në historinë shqiptare burrneshat nuk hasen vetëm në fshatra të largëta malore, por edhe fare pranë qyteteve. Për këtë edhe xhirimet e filmit realizohen në Zall-Herr, fshat me më pak se 10 mijë banore, nja 15 kilometra larg qendrës së Tiranës.
“Teksa po punoja për atë film më bëri shumë përshtypje që Shqipëria kishte dy arketipa historish që ishin njohur në botë. Historitë e gjakmarrjes në filmin të cilin po punonim atë kohë dhe arketipi tjetër ishin historitë me burrneshat. Mënyra se si të tjerët i kishin perceptuar burrneshat, ishin diku në male, në veri me ato traditat me pushkë në krah. Ndërkohë ajo që unë arrita ta zbuloj në atë kohë ishte se pjesa rurale urbane e Shqipërisë në këtë mijëvjeçarin e fundit është kaq e përzier dhe shumë pak mund të gjesh sot ndoshta burrnesha në Tropojë dhe shumë më tepër në zona më afër qyteteve”, ka thënë Murataj.

Fenomeni i burrneshave ka pësuar ndryshime me kalimin e viteve, tregon ai, por thotë se nuk është shuar. Një grua e shoqërisë moderne, e cila jeton sipas disa normave tradicionale, është vetë Frani në skenarin e tij.
“Ky ishte një zbulim interesant sepse flet për një faqe të re të Shqipërisë, ku fenomeni i urbanizimit e kishte reformuar të gjithë kulturën edhe tradicionale. Nuk ishte shuar fenomeni i burrneshave, por kishte marrë një veshje të re që mua m’u duk shumë interesante dhe bota ka nevojë ta mësojë. Nuk është një arketip arkaik, por është një koncept i një gruaje që sot në shoqërinë moderne mbijeton sipas disa normave tradicionale që adaptohen shkëlqyeshëm në këto ndryshimet gjinore të shekullit 21”, ka thënë ai.
Ai thotë se për filmin “Burri i shtëpisë” është siguruar bashkëpunimi më i gjerë ndërkombëtar deri më tash për një film shqiptar. Në ekipin realizues të filmit ka pjesëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Greqia, Austria e Italia. Filmi ka marrë edhe mbështetjen e “Eurimages”, derisa për pjesën teknike jep kontribut edhe kompania “Thumbs Up” e regjisorit Ismet Sijarina, i cili po ashtu në këtë projekt filmik është bashkëproducent me Muratajn.
Edhe kasta e aktorëve përfshin emra të njohur nga të gjitha trojet shqiptare. Për regjisorin ky është ndër faktet më të veçanta për filmin.
“Ajo që ndodhi më me interes pas kësaj ishte se nëpër prezantime të ndryshme ndërkombëtare filmi ka gjetur mbështetje shumë të gjerë. Jo vetëm mbështetja e gati 7, 8 vendeve, por kompanitë të cilat u përfshinë me filmin dhe u ngjalli interes disa prej kompanive më të mira në botë. Padyshim unë si krijues kam punuar gjithmonë afër me Kosovën edhe te filmi “Falja e gjakut” (nën regji të amerikanit Joshua Martson, i shfaqur e i shpërblyer në “Berlinale e më 2011 v.j.), ku trupa kryesore e aktorëve ka qenë kosovare. Edhe këtu një kontribut i shkëlqyer është i disa prej aktorëve kosovarë jo vetëm të Kosovës, por edhe atyre që punojnë në Evropë”, ka thënë Murataj.
Kaba-Karaga përvojën gjatë xhirimeve e përshkruan si të paharruar. Bashkëpunimi me kolegët, ekipin realizues e edhe lokacioni thotë se do të mbesin gjatë në kujtesën e saj. Ka thënë se është ende e mishëruar me Franin, personazhin të cilin ajo e luan. Ngjashmëria fizike me Zanën, Anton Vatën dhe Adrianin, të cilët e përbëjnë një familje në film, thotë se vjen falë Andamion Muratajt. Futja e saj në karakterin e Franit vjen krejt pavërejtshëm dhe shqetësimin që e ka për mbesën e shpërfaq edhe me gjuhën e trupit.

“Jam familjarizuar aq shumë sa kam hall si do të çfamiljarizohem. Po kaloj bukur, kam filluar të ndihem Zall-Herrse. Me një ekip të mrekullueshëm, vajza e djem si bletë punëtore. E kënaqur me babanë Bislim Muçajn, vëllanë Astrit dhe vajzën e vogël Alesian. Falë Andamionit që na ka gjetur shumë të ngjashëm, jemi bërë si një familje. Një ditë kam bërë një udhëtim me furgon dhe e kam ndier nga afër dashamirësinë, zemërgjerësinë dhe bujarinë e njerëzve tanë”, ka thënë Kaba-Karaga.
Për rolin e tij në filmin “Burri i shtëpisë”, aktori veteran Bislim Muçaj thotë se është i kënaqur dhe se skenari i pëlqen shumë. Po ashtu edhe i tërë stafi realizues që, sipas tij, i jep një energji pozitive tërë procesit të punës. Muçaj vjen si babai i një burrneshe, i cili në njëfarë mënyre është dëshmitar i të gjitha sfidave që jeta i vendos përpara fëmijëve të tij. E me dashuri të ashpër nganjëherë i duhet t’u japë këshilla kur sfidat bëhen vështirë të kalueshme.
“Roli më ka përlyer shumë, edhe moshën të cilën e kam më është përshtatur. Siç themi ne në Kosovë ‘po ia bëj hyzmetin’ dhe besoj se do të dalë diçka e mirë. Jam shumë i kënaqur me stafin se si më kanë pritur. Nuk mungojnë as nderimi e respekti”, ka thënë Muçaj.
Nga Austria në Shqipëri erdhi për t’iu bashkuar kastës së filmit edhe Astrit Alihajdaraj. Të qenët pjesë e një filmi me skenar shqip thotë se është diçka më personale për të, pasi që Alihajdaraj kaherë jeton dhe vepron jashtë. Aktrimi përkrah kolegëve të tij thotë se po i sjell kënaqësi. Orari i xhirimeve i është përshtatur edhe për udhëtimet që duhet t’i marrë herë pas here për në Vjenë.
“Është ndjenjë shumë e mirë sepse unë kryesisht prej ’99 kur kam filluar të luaj, edhe akademinë e kam përfunduar në Austri. Kryesisht punoj në gjermanisht dhe gjuhë të huaja. Aktrimi në shqip për mua është diçka më shumë personale. Me Bislimin është hera e dytë që po luaj, me Dritën është hera e parë dhe është kënaqësi shumë e madhe. Ajo çka po më pëlqen tjetër është se vjen si kombinim i të gjitha viseve dhe mund të vërehen edhe thuajse të gjitha dialektet e shqipes”, ka thënë ai.
Xhirimet për filmin “Burri i shtëpisë” realizohen çdo ditë që nga orët e hershme të mëngjesit deri në mbrëmje dhe priten të përfundojnë më 19 mars të këtij viti.