Shtojca për Kulturë

Bojkotimi i “Oscarit” nga Kina rrit vëmendjen për “Do Not Split”

“Do Not Split”, me të cilin Anders Hammer sjell rrëfimin për protestat në Hong-Kong, është në qendër të diskutimeve. Gjysmë ore pasi që filmi u nominua për “Oscar”, është raportuar se Pekini u ka thënë mediave kryesore që ta bojkotojnë ose minimizojnë ceremoninë e ndarjes së çmimeve. E kjo ka rritur vëmendjen për dokumentarin e regjisorit e gazetarit norvegjez

Në ceremoninë e sivjetme të “Academy Awards”, që do të mbahet të dielën e 25 prillit, i nominuari për “Oscar”, Anders Hammer, s’do të jetë “Dolby Theatre” në Hollywood. Kufizimet në lidhje me koronavirusin nënkuptojnë që regjisori norvegjez – dokumentari i të cilit për protestat pro demokracisë në Hong-Kong, “Do Not Split” është nominuar për dokumentarin e shkurtër me temë më të mirë – do ta shikojë ceremoninë në televizor nga shtëpia e tij në Oslo.

“E kam dërguar kostumin për pastrim, do të vishem e rregullohem”, ka thënë ai për DW-në. “Njerëzit më kanë pyetur nëse jam i trishtuar se nuk mund të marr pjesë personalisht. Unë jam thjesht mirënjohës për të gjithë vëmendjen që ka marrë dokumentari ynë dhe për debatin që është ngjallur në lidhje me atë që po ndodh në Hong-Kong”.

Një vështrim intim i demonstruesve

Është më shumë sesa që Hammer mund të ketë shpresuar, kur në vitin 2019 shkoi në Hong-Kong për të dokumentuar protestat popullore që kishin nisur në rrugë, fillimisht për të kundërshtuar një ligj të ri ekstradimi që mund të kishte dërguar të pandehurit në Hong-Kong, në Kinën kontinentale për gjykim.

Dokumentari gjysmorësh i Hammerit përcjell një numër të njerëzve gjersa protestojnë në rrugë. Merret një vështrim intim i demonstruesve në vijën e frontit dhe shihen taktikat gjithnjë e më brutale nga policia e Hong-Kongut.

“Atëherë kishte shumë përcjellje të demonstratave, në të gjitha mediat; ne menduam se do të ishim një plotësues i gjithë asaj”, ka shpjeguar Hammer.

“Do Not Split” (Mos u ndaj) – titulli i filmit është marrë nga një parullë e protestuesve që synonte t’i inkurajonte protestuesit që të ishin të unifikuar – është në qendër të diskutimeve. Gjysmë ore pasi që filmi u nominua për “Oscar”, është raportuar se Pekini u ka thënë mediave kryesore që të bojkotojnë ose minimizojnë ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Atëherë rrjeti televiziv TVB me bazë në Hong-Kong, i cili ka transmetuar “Academy Awards” për më shumë se 50 vjet, tha se këtë vit nuk do ta transmetojë.

Një vendim “thjesht komercial”

TVB-ja e konsideroi vendimin si diçka “thjesht komerciale”. Kritikët mendojnë se censurimi i qeverisë ka gisht në këtë gjë. Përveç dokumentarit të Hammerit, Pekini mendohet të kundërshtojë vëmendjen që po i kushtohet regjisores së lindur në Kinë, Chloe Zhao, drama amerikane e së cilës “Nomadland” është favorite për filmin më të mirë. Zhao është sulmuar në mediat sociale në Kinë për komentet që ajo bëri në një intervistë në vitin 2013, në të cilën ajo tha se fëmijëria e saj në territorin e Kinës ishte e mbushur me “gënjeshtra kudo” – diçka që është interpretuar si kritikë ndaj qeverisë.

Hammeri ka thënë se “Do Not Split” zyrtarisht nuk është ndaluar.

“Ne nuk kemi dëgjuar asgjë nga ndonjë zyrtar qeveritar në Kinë ose në Hong- Kong”, ka thënë ai, por ka theksuar se nëse Pekini shpresonte që censurimi i ceremonisë “Oscar” do ta ndalte diskutimin, “ajo ka pasur efekt të kundërt”. Filmi ynë ka marrë më shumë vëmendje sesa ne do të kishim menduar ndonjëherë dhe ka ngjallur edhe më shumë debate rreth protestuesve dhe shtypjes së të drejtave në Hong-Kong”.

Kur pandemia goditi Hong-Kongun në fund të vitit 2019, ajo pati një ndikim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në protesta. Demonstratat, që mblidhnin mijëra veta, ishin të jashtëligjshme nën kufizimet e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Papritmas mund të kishte vetëm katër persona në një demonstratë”, ka thënë Hammer. “Qeveria përdori pandeminë për të shuar protestën”.

Shpresa e Hammerit, përtej marrjes së çmimit “Oscar” të dielën, është që shikuesit ndërkombëtarë të filmit “Do Not Split” të bëjnë presion te qeveritë e tyre lokale për t’i penguar veprimet e Kinës.

“Gjërat nuk duken shpresëdhënëse për momentin dhe qeveritë kanë frikë se nëse e sanksionojnë Kinën, ata mund të humbin ndikimin politik dhe bizneset e vendit të tyre mund të humbin para duke u bllokuar nga tregu kinez”, ka thënë Hammer. “Por, nëse kam mësuar diçka nga protestuesit në Hong-Kong është se nuk duhet të dorëzohesh”.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Alberina Haxhijaj