Turqve të rinj u shkoi për dore të tërhiqnin në anën e tyre prijësit shqiptarë të Kuvendit të Ferizajt. Megjithatë, xhonturqit nuk do të kishin bërë për vete shqiptarët në Ferizaj po të mos qenë zotuar që të plotësonin kërkesat e tyre. Ata u premtuan shqiptarëve se do të respektonin privilegjet e vjetra për sa u përkiste taksave, u dhanë sigurinë që shqiptarët do të lejoheshin të mbanin armët e tyre, u premtuan se do t’u lejoheshin shkollat në gjuhën shqipe; dhe ata e pranuan paprekshmërinë e Sulltanit. Duke pasur parasysh besnikërinë e kosovarëve ndaj Sulltanit, xhonturqit deklaruan gjithashtu se Kushtetuta nuk ishte në kundërshtim me Kuranin dhe se Islami e quante të shenjtë të drejtën e Parlamentit për të kufizuar fuqinë e Sulltanit. Me pranimin e kushteve shqiptare, mbledhja e Ferizajt u kthye në një manifestim në favor të Turqve të Rinj
Kuvendi i Ferizajt, ku fjalën kryesore sipas konsullit Zambur, e kishin Hoxhë K. Efendi i Kallkandeleni i Tetovës dhe Sherif Efendiu i Prizrenit, si dhe liderët e Shkupit, pastaj Isa Beu i Mitrovicës, e më pak bejlerët shqiptarë nga Jeni Pazari, si dhe Hasan Hyseni i Budakovës dhe Sulejman agë Batusha i Gjakovës, si rezultat i agjitatorëve xhonturq dhe serbë mori karakter thjesht antiaustro-hungarez, pasi në këtë kuvend shqiptarët nuk biseduan për asgjë tjetër, pos për invazionin që i kërcënohet Arnautllukut (Shqipërisë) prej 40 batalioneve austro-hungareze, të cilat gjoja duhet të dërgohen me tren përmes Shkupit në Fushë-Kosovë”.
Këtë gjë e pohon edhe studiuesja shqiptare Fatmire Musaj, në librin e saj për Isa Boletinin, por ajo reagimin e liderëve shqiptarë kundër Austro-Hungarisë e cilëson me tone pozitive. “...deklaratat e janarit 1908 të ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Aehrenthal për ndërtimin e hekurudhës në zonën e Mitrovicë, çuan në acarimin e mëtejshëm të gjendjes politike në Shqipëri. Fillimi i ndërtimit të hekurudhës në zonën e Mitrovicës, që do të lehtësonte depërtimin austriak në Vilajetin e Kosovës e të Manastirit, u prit nga Isa Boletini, Bajram Curri dhe populli i Kosovës me shqetësim të madh”, konstaton ajo. Ky përfundim nuk shkon përtej vlerësimeve tradicionale të historiografisë shqiptare, e cila duke u mbështetur në interpretimet e historiografisë zyrtare të kohës së monizmit socialist i ka bërë një vlerësim linear dhe etnokombëtar të kësaj ngjarjeje politike, e cila ndodhi në Vilajetin e Kosovës në një periudhë të zhvillimeve dinamike rajonale dhe ndërkombëtare.
Derisa mendimet e historianëve turq Kyjce e Bajur përfaqësojnë pikëpamjen se në Kuvendin e Ferizajt, njëri nga udhëheqësit më të njohur shqiptar nga Vilajeti i Kosovës, Isa Boletini u kërkonte shqiptarëve t´i shërbenin sulltanit, historiania shqiptare Fatmira Musaraj e konteston një mendim të tillë, por nuk sjell ndonjë fakt të qëndrueshëm për këtë. Për më tepër, ajo pohon se Austro-Hungaria u përpoq të drejtonte Kuvendin e Ferizajt sipas interesave të saj si dhe tentoi të shkaktonte konflikte midis shqiptarëve dhe serbëve. Natyrisht, gjë që për mua nuk është fare e argumentuar, pasi ishin serbët në rend të parë ata që synonin të nxitnin shqiptarët kundër hungarezëve, pasi ata prezencën e monarkisë habsburgiane e shihnin si pengesë për ekspansion territorial në Ballkanin jugor, pra edhe në drejtim të Kosovës.
“E gjithë Shqipëria e Veriut ishte në një dehje nga gëzimi”
Sidoqoftë, Kuvendi i Ferizajt, megjithëse ishte një ngjarje me karakter të kufizuar kombëtar, pasi siç thuhet edhe në Nenin 7 të Rregullores për Aleancë (Itifakname), i vetmi qëllim i kësaj aleance paraqitur kështu ishte vendosja e Kushtetutës dhe zbatimi i saj i lirë dhe se nuk synoheshin qëllime të tjera, u shfrytëzua më shumë nga osmanët dhe serbët për t´i zhvendosur shqiptarët në një konflikt me austro-hungarezët, derisa autoritetet osmane synonin ta çimentonin sundimin e tyre, ndërsa ato serbe të përgatisnin terrenin për ndërhyrje në momentin e duhur.
Për më tepër, shikuar me kujdes të 8 nenet e Dokumentit të Kuvendit te Ferizajt, i quajtur Itifakname, që u miratua më 20 korrik 1908 dhe u dërgua telegrafikisht në Stamboll, nuk përmbante kërkesa të definuara qartë kombëtare. Vetëm Neni 5, ku thuhet se “Kuvendi si i tillë, si dhe çdo individ, në marrëveshje me ushtrinë, do të kujdeset me ndihmuar depërtimin e ideve liridashëse. Në anën tjetër, sipas konsullit Zambur, popullata nuk ishte e informuar drejtë me rrjedhën dhe vendimet e Kuvendit të Ferizajt, kështu që ajo rivendosjen e Kushtetutës e konsideronte si plotësim i të gjitha kërkesave dhe dëshirave të shqiptarëve. Duket se prej saj prisnin shumë.
“E gjithë Shqipëria e Veriut (Kosova, shënim i S.U.) ishte në një dehje nga gëzimi. Muhamedanët dhe të krishterët ishin të bashkuar. Njerëzit besonin se Evropa kishte ndërmjetësuar dhe se Turqia këtej e tutje nuk do të qeveriste më. Malësorët derdheshin poshtë me kostumet e tyre më të bukura, qenë pritur si për festë nga qytetet”, shkruan Edith Durham.
Mirëpo, shumë shpejt kjo eufori do të kthehet në pakënaqësi të popullatës vendore kundër administratës së re ushtarake. Sidoqoftë, ky dokument ndikoi në rivendosjen e Kushtetutës së vitit 1876 dhe u bë bazë e të gjitha vendimeve të Qeverisë së Përkohshme, si dhe ligjet ekzistuese do të mbesnin në fuqi deri sa të mblidhej parlamenti.
Mbledhja e Ferizajt – manifestim në favor të Turqve të Rinj
Po kështu, forma dhe përmbajtja e konkluzioneve bazohen shumë në memorandumin, të cilin Xhonturqit ua kishin dorëzuar konsullatave në Manastir, gjë që dëshmon se Turqve të rinj u shkoi për dore të tërhiqnin në anën e tyre prijësit shqiptarë të Kuvendit të Ferizajt. Megjithatë, xhonturqit nuk do të kishin bërë për vete shqiptarët në Ferizaj po të mos qenë zotuar që të plotësonin kërkesat e tyre. Ata u premtuan shqiptarëve se do të respektonin privilegjet e vjetra për sa u përkiste taksave, u dhanë sigurinë që shqiptarët do të lejoheshin të mbanin armët e tyre, u premtuan se do t’u lejoheshin shkollat në gjuhën shqipe; dhe ata e pranuan paprekshmërinë e Sulltanit. Duke pasur parasysh besnikërinë e kosovarëve ndaj Sulltanit, xhonturqit deklaruan gjithashtu se Kushtetuta nuk ishte në kundërshtim me Kuranin dhe se Islami e quante të shenjtë të drejtën e Parlamentit për të kufizuar fuqinë e Sulltanit.
Ngjarjet në Prizren, kokat e derrave në oborret e xhamive
Me pranimin e kushteve shqiptare, mbledhja e Ferizajt u kthye në një manifestim në favor të Turqve të Rinj.
Nga ana tjetër, Kuvendi i Ferizajt anashkaloi ngjarjet e mars-korrik 1908, kur në Prizren kishte shpërthyer një konflikt në mes komunitetit katolik dhe mysliman, për shkak hedhjes së kokave të derrave në oborret e xhamive. Pas kësaj ngjarjeje, shqiptarët e besimit mysliman bojkotuan dyqanet dhe mallrat e katolikëve, bile këta të fundit u detyruan të ndërpresin edhe punimin e tokave. Ishte angazhimi i konsullatës austro-hungareze në Prizren, e cila edhe ashtu kishte të drejtën e mbrojtjes të të drejtave të komunitetit fetar katolik, që kontribuoi në tejkalimin e kësaj situata konfliktuoze midis komuniteteve fetare, derisa autoritetet osmane nuk ndërmorën masa serioze për tejkalimin e situatës. Sidoqoftë, në kuvendin e liderëve shqiptarë myslimanë që u mbajt në shtëpinë e Sherif efendiut më 13 korrik 1908, u vendos që prej asaj dite të ndërpritet bojkoti ndaj shqiptarëve katolikë.
Në të njëjtën kohë, edhe pas Kuvendit të Ferizajt nuk ndryshuan raportet misi qendrës dhe periferisë. Shumë shpejt u zbeh entuziazmi i shqiptarëve për regjimin e ri. Megjithëse zunë to botoheshin një sërë gazetash dhe revistash shqipe, në shumë qytete shqiptare u themeluan klube dhe u hapën shkolla, ndërsa në Manastir u mbajt Kongresi gjithëshqiptar për alfabetin latin të gjuhës shqipe, klerikët myslimanë në Kosovë, të cilët kërkonin përdorimin e alfabetit arab, gëzonin përkrahjen e Komitetit të Xhonturk në Selanik, i cili insistonte për ta ruajtur alfabetin arab, si një faktor bashkimi të mbarë Perandorisë Osmane. Veç kësaj, regjimi i ri në Stamboll shkaktoi pakënaqësi te shqiptarët edhe për shkak nuk e abrogoi rekrutimin ushtarak.
Mosbesimi ndaj turqve në tërë Vilajetin e Kosovës
Edith Durhami, e cila më 1909 udhëtoi nëpër Kosovë, konstatoi pak entuziazëm për Kushtetutën dhe një mosbesim të madh ndaj turqve në tërë Vilajetin e Kosovës. “Që në shtator, unë gjeta një mosbesim të madh shqiptarëve ndaj turqve në tërë Vilajetin e Kosovës. Myslimanët, të cilët ishin mbledhur në Ferizaj dhe kishin kërkuar Kushtetutën e Abdyl Hamitit, shpejt e kuptuan se ishin mashtruar”, shkruan ajo dhe nga kjo duket qartë edhe mënyra se si xhonturqit mbështesnin zhvillimin e një shqiptarizmi të lidhur ngushtë, në mos me osmanizmin dhe me islamin, me pan-turqizmin. Në këtë kuadër, përmes mobilizimit të një grupi ulemash në kryeqytet, xhonturqit promovuan përdorimin e alfabetit arab për gjuhën shqipe, si dhe fillimi i një gazete osmane (Dogru söz) me një faqe në shqip në alfabetin arab. Natyrisht, qëndrimi i tyre ishte identik me pan-turqizmit. Këto synime turqizmin e ndeshën në Shqipëri me një qëndresë më fuqishme se sa që ishte pritur. Nga ky moment mes shqiptarëve, të cilët kishin kërkuar shkolla kombëtare, rrugë, hekurudha, dhe xhonturqve filloi konflikti, i cili u shpërfaq si diskurs politik dhe në shkrimet publicistike.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Një version më i shkurtër i këtij studimi ishte botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” edhe në gusht-shtator të vitit 2018