“Dhëndrit në këtë dasmë në Shqipëri sapo i ishte dhënë fisheku bashkë me pajën nga babai i nuses – për t’u përdorur në rast të tradhtisë apo pabesisë”, kujton fotografi Barry Lewis fotografinë e shkrepur në një dasmë në Shqipërinë e viteve ’90. E konsideron foton më të mirë që ka realizuar
Për gjeneratën time, Shqipëria e Republikës Socialiste Popullore ishte një vend misteresh hëm ekzotik hëm i rrezikshëm. Hera e parë që e vizitova ishte në vitin 1990. Kam shkuar me një grup gazetarësh dhe arkeologësh – ne shtireshim se vizita jonë ishte një “tur arkeologjik”. Nuk kishim përkthyes dhe dinim ndoshta katër fjalë shqip. Duhet ta them se shkrimtari me të cilin isha atje e kishte të vështirë të merrte intervista prej njerëzve, por unë si fotografi i grupit, përjetova një udhëtim fantastik.
Ishim atje për disa javë, vizituam komuna, ferma kooperative, si dhe një fabrikë traktorësh në të cilën nuk prodhoheshin traktorë. Shkuam deri në Shkodër buzë Bjeshkëve të Nemuna, por arritëm të bënim vetëm një vizitë të kufizuar në veri, në atë zonë që më intrigonte shumë.
Eksplorimi i atij regjioni malor u bë i mundur vetëm 18 muaj pas, me rënien e regjimit komunist.
Këtë herë shkova atje për “Sunday Times”, bashkë me shkrimtarin Ian Thomson. Unë kisha mbajtur disa kontakte me dikë në Tiranë, që më njoftoi kur u shkri bora, që të mund të vizitoja malet. Duke qenë se kisha kaluar pak kohë në Rumani menjëherë pas revolucionit të vitit 1989, e dija se kohët e ndryshimeve të tilla ishin mundësi e mirë për të vizituar vende të cilat ishin të izoluara – është një kaos i vërtetë, por rastësisht ka mundësi për të parë se çfarë po ndodh vërtet.
Enver Hoxha, diktatori i cili e sundoi Shqipërinë për më shumë se katër dekada, deri në vitin 1985, nuk kishte shumë kontroll në veriun e vendit dhe jeta në fshat i kishte rezistuar influencës së tij. Atje lart njerëzit ndiqnin Kanunin, e drejtë zakonore e bazuar në hakmarrje dhe nder, e cila daton që nga mesjeta. Edhe fshatrat shpesh ngjanin në fshatra mesjetare, me kuaj e karroca dhe veshje të mahnitshme.
Unë kisha shkrepur një foto bardhezi gjatë vizitës së parë dhe vendosa ta bëja një të tillë sërish. Kisha marrë me vete dhe film me ngjyrë, por detaji bardhezi u jepte imazheve një vlerë të pakohshme.
Kishim një shofere shumë të mirë, Lida Kita, e cila ishte dhe roja jonë krahas punës si përkthyese që bënte për ne. Ajo ishte shkaku që ne u ftuam në një dasmë në fshatin Bogë, nga e cila doli dhe kjo fotografi. Fshatrat në këto male ishin ose myslimane, ose katolike, nuk kishte prerje mes tyre, por as nuk martoheshin mes vete. Kujtoj se dasma në fjalë ishte një dasmë myslimane, një martesë me shkuesi, por pinin shumë në këtë dasmë. Festimet zgjasnin një javë, por ne ishim vetëm një ditë.
Fotografia është shumë piktoreske – ka një efekt dritëhijeje, me nusen e ndriçuar nga një dritare. Në të majtë njerëzit duket se pëshpëritin me njëri-tjetrin duke qeshur e duke bërë shaka, por ajo është e izoluar. Fotoja është shkrepur në shtëpinë e burrit të saj të ri, aty ku do të jetonte tashmë nën drejtimin e vjehrrës së saj. Dukej shumë e mërzitur dhe askush nuk i fliste.
Dhëndrit sa ia kishin dhuruar nga babai i nuses një kuti të vogël që kishte në të një fishek si pjesë e pajës së nuses. Ideja është që ai fishek të përdoret në rast të tradhtisë së gruas ndaj burrit. Është një simbolikë dhe dhuratë tradicionale, por duke parë se sa të shoqërueshëm që ishin ata njerëz, kjo më tronditi.
Ndërkohë dhëndri festonte fort. Kam edhe një foto tjetër kur arrin çifti, të dy shihen në siklet, por nuk pashë nusen të pinte një pikë alkooli ndërsa të tjerët pinin e vallëzonin. Atë ditë rastësisht ishte fotografi i dasmës dhe si i tillë duhej të ngrija dolli me raki me secilin burrë të pranishëm në dasmë. Kështu humba vetëdijen nga dehja. Isha i akomoduar në një hotel afër dhe pjesëtarë të dasmës duhet të më kishin çuar në hotel, sepse më kujtohet kur jam zgjuar në dhomën time të vogël bashkë me pajisjet e mia dhe shiritat filmikë të vendosur për bukuri në anën tjetër të krevatit. Në shiritat e pazhvilluar filmikë mund të vërehet se kompozicioni sa vjen e bëhet më i lirshëm, por me të parë këtë fotografi mendova: “Oh Zot!”
