Një kombinim i tillë rrallë shihet në skena muzika klasike, por Michal Knot në saksofon dhe Bogdan Laketiq në fizarmonikë kanë gjetur jo vetëm harmoninë, por edhe shtigje të novacionit në muzikë. Duoja “Aliada” ka sjellë një përjetim unik në “ReMusica”, e nëpërmjet veprave shpalosen rrëfime mbi fatet njerëzore dhe jo vetëm
Frymën harmonike e pasionin në interpretim, dyshja “Aliada” e ka përcjellë te publiku me plot energji. Jo shpesh saksofoni dhe fizarmonika bëhen bashkë në interpretim të veprave, aq më pak atyre të kompozuara për orkestër. Por dyshja ka eksploruar për mrekulli secilin tingull në dy instrumente, Michal Knot në saksofon dhe Bogdan Laketiq në fizarmonikë. E veçantë ka qenë “Coffin Ship”, e vetmja vepër origjinale e interpretuar. Me të publikun e kanë shëtitur nëpër ujërat të cilët kanë sjellë vdekjen e mijëra emigrantëve ndër vite.
Festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica” ka sjellë edhe njëherë tjetër në qendër rëndësinë e shëndetit mendor dhe para së gjithash kujdesin për veten. Edhe të premten mbrëma në qendër ka pasur frymën e rëndësinë për të e ka shpalosur edhe duke kthyer momentet e dekadave më parë me tingull. Publikun e ka futur në rrugëtimin ndër vite e kultura të ndryshme. Me fuqinë e tingullit, krejt ngjarjen e ka përmbledhur brenda mureve të veshura me të kaltra, në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.
Një pjesë e programit veçse është realizuar aty, edhe dekoret janë të njëjta me disa shenja të Festivalit, por atmosfera e shkëlqimi i skenës ka qenë ndryshe në secilën ngjarje. Mbrëmjen e së premtes tingujt e instrumenteve aty janë dëgjuar deri pak para nisjes së koncertit. Është hapur me ritme të shpejta e harmonike të veprës “Sechzehn Walzer, op. 39” të kompozitorit gjerman Johannes Brahms. Vepra e shkruar për piano për katër duar është interpretuar mrekullisht prej dyshes, pa ndryshuar ritmet e saj prej valsi. Melodia ka qenë përrallore. Paraqitja e instrumentistëve ka bërë të kuptohet se secilin tingull e kanë ndier thellësisht.
Në pjesën e parë të programit ku kanë interpretuar pjesë të kompozitorëve evropianë, kanë qenë edhe “Lyric pieces”, “Melody Op.47 No.3” dhe “Zug der zwerge Op.54 No.3” të norvegjezit Edvard Grieg. Tingujt paralelë në vepër e kanë bërë madhështor kombinimin e instrumenteve me lojë të austriakut Michal Knot në saksofon dhe të serbit Bogdan Laketiq në fizarmonikë. Veprat ndryshojnë nga njëra-tjetra për nga ritmet e tyre. E para ka qenë më e lehtë e me tinguj melankolikë, derisa dy të tjerat më dinamike. Në përmbyllje të interpretimit të veprave të Grieg, në një pikë kumbojnë në krejt hapësirën dhe përmbyllen.
“Rumanische Volkstanze” e hungarezit Bela Bartok ka qenë si valle popullore. Ka nisur me tinguj tejet emocionalë. Ajo çfarë është interpretuar prej saksofonit ka ardhur edhe në versionin e fizarmonikës e të dy instrumentet janë bërë bashkë paralelisht në tingull.
Saksofonisti Knot ka thënë se vepra është prej më të vjetrave, të cilat i kanë luajtur në koncert. Është mbi 700-vjeçare. Vepra sa shkon e zbret intonacionin dhe shpërthen në dinamizëm e harmoni. Derisa pjesa tradicionale skandinave “Dromte mig en drom” ka qenë më e lehtë, me “Polska from Dorotea” është shpërfaqur ritmi emocional.
“Coffin Ship” ka qenë rrëfim më vete nëpërmjet tingujve. Ishte shkruar veçanërisht për ta nga kompozitori polak Tomazs Skweres. Ka nisur me tingullin e fortë të saksofonit, i përcjellë nga ata atë fizarmonikës që i vijnë si hije nga pas. Sa shkon e ritmi komplikohet dhe fizarmonika e bën më dinamike. Projekton pamjet e një ngjarjeje të frikshme. Loja në fizarmonikë ka krijuar ndjesinë e projektimit të një perspektive me ulje-ngritjet e zërit.
Saksofonisti Michal Knot ka treguar se kompozitori e ka shkruar veprën si homazh për emigrantët dhe historinë e emigrimit nga Anglia në Amerikë.
“Këta emigrantë po transportoheshin në kushte jo të mira dhe po vdisnin në këto anije, prandaj vepra u quajt ‘Coffin Ship’. Me këtë vepër të kompozitorit kuptojmë se problemi i emigrimit nuk është vetëm tash, por ka qenë gjithmonë. Gjëja e vetme që i lidh emigrantët në kohë të ndryshme është arsyeja pse e kanë bërë. Secili emigrant largohet nga shtëpia dhe vendi për një jetë më të mirë, për jetë të dinjitetshme”, është shprehur saksofonisti austriak, derisa ka theksuar edhe vështirësitë në përshtatje të veprave në versionin e saksofonit dhe fizarmonikës. “Ne jemi mësuar me këtë proces, por në fillim ka qenë vështirë paksa. Te kombinimi i soprano-saksofonit dhe fizarmonikës duhet të kesh kujdes me ngjyrat e tingullit. Janë karaktere orkestrale për t’u luajtur, këtë e bëjnë shumë njerëz’, është shprehur Knot, i cili ka dhënë mbi treqind recitale dhe koncerte në skena botërore të muzikës klasike, si në “Berlin Konzerthaus”, “Musikverein Wien”, në Sallën Kombëtare të Koncerteve në Taipei e shumë të tjera.
Shumica e veprave rrallë dëgjohen në këtë formacion, e me instrumentet e tyre, dyshja ka ngjyrosur edhe veprën “Children’s Song” të amerikanit Armando Anthony. Ritme jazzi janë sjellë me të ku tingujt e fizarmonikës janë konstantë dhe vazhdimisht në lojë derisa të saksofonit shkëputen shpesh. Vështirësitë në interpretim kanë qenë të theksueshme sidomos në këtë vepër, sipas fizarmonistit serb Bogdan Laketiq.
“Ne mundohemi që në çdo pjesë të ndiejmë emocionet e saj. Disa vepra janë më të vështira, luhen në forma të ndryshme, sikurse ato që anojnë kah jazzi. Me këtë program deshëm të prezantojmë llojshmërinë e muzikës që mund të luhet. Pjesët ishin të ndryshme nga njëra-tjetra, gjë që na lejoi të shprehim vetveten ndryshe në secilën”, është shprehur Laketiq pas koncertit. Pritja e publikut ka qenë e mrekullueshme, sipas tij.

“Audienca na priti shumë mirë, disi jemi duke u mësuar me këtë kombinim në instrumente pasi është gjë e rrallë të shohësh dhe të dëgjosh saksofonin dhe fizarmonikën në këtë lloj të kombinimit klasik. Kemi qenë çdoherë kureshtarë të shohim se si publiku do të reagojë”, ka thënë ai.
Bogdan Laketiq performon edhe si muzikant solist i dhomës e me ansamble të ndryshme muzikore. Me duon “Aliada” ka dalë përtej kufijve të lojës me instrumentin e tij, duke transkriptuar vepra sfiduese të shkruara për piano e madje edhe për orkestër. Ka interpretuar në mbi dhjetëra shtete në festivale, si “Schleswig-Holstein Music Festival”, “Kissinger Sommer”, “Thüringer Bachëochen”, “Wien Modern”, “Impuls Graz” e të tjerë.
Programin para publikut kosovar e kanë vazhduar me “Three preludes” të amerikanit George Gershwein. E luajtur në “Allegro ben ritmato e deciso” ka qenë ritmike dhe ka ngjarë në tradicionale. Në “Andante con moto” ka nisur me tinguj të fuqishëm dhe dominues të saksofonit, ndërsa në “Agitato” është shoqëruar me ata të herëpashershëm të fizarmonikës, ku goditjet e instrumentit e kanë bërë të veçantë. Në përfundim ka sjellë frymën e serenatave latine me “Danzon No.2” të meksikanit Arturo Marquez. Fizarmonika i ka shkuar goxha për shtati veprës. Është karakterizuar me tinguj të gjatë dhe me lojë intensive të instrumentit bashkë me përcjellje të lehtë të saksofonit.
Koncerti i dyshes “Aliada” është mbështetur nga Ambasada e Austrisë në Kosovë. Interpretimin e ka ndjekur ambasadori austriak Christoph Weidinger.
“Kjo dyshe është një kombinim interesant sepse fizarmonika dhe saksofoni jo shpesh dëgjohen. Duo ‘Aliada’ ka qenë rreth botës në koncertet më të rëndësishme. Kështu që jam shumë i kënaqur që keni ardhur dhe për bashkëpunimin tonë me Festivalin”, ka thënë ai para të pranishmëve.
Saksofonisti Michal Knot dhe fizarmonisti Bogdan Laketiq themeluan “Aliadan” dhjetë vjet më parë në Vjenë. Mundësitë unike të tingullit dhe potenciali i jashtëzakonshëm shprehës i këtij kombinimi të pazakontë instrumentesh u kishte ngjallë kureshtjen dhe i kishte motivuar të formojnë dyshen. Profesionalizmi i tyre është konfirmuar në shumë festivale, ku janë shpërblyer me shumë çmime.
“Kërkimi i vazhdueshëm i ‘Aliadës’ për peizazhe të reja zanore u mundësoi atyre të sillnin teknikat e tyre të aranzhimit në përsosmëri, duke çuar në versione novatore të veprave klasike për instrumentet e tyre”, shkruhet në prezantimin e “ReMusicas” për dyshen.
“Aliada” ka realizuar dy albume: “East West” dhe “Ngjyra të reja të së shkuarës” me të cilin debutuan. Të dy albumet e dyshes janë transmetuar nga radio-stacionet kryesore evropiane, duke përfshirë BBC, SWR2, BR Klassik, ORF1 dhe Radio Klassik.