Në shansin e dytë të Kosovës, “Rrugës” i ka shpëtuar nga duart “Palma e Artë”, por tashmë i janë hapur shtigje të reja për një udhëtim të gjatë në festivale botërore. “Kinematografia jonë tanimë ka marrë vëmendjen ndërkombëtare dhe shpresoj se e gjithë industria jonë e filmit do të vazhdojë ta ketë vendin aty ku e meriton”, ka thënë regjisori Samir Karahodas pas ceremonisë. Në kategorinë e filmave të shkurtër “Palma...” ka shkuar në Kroaci për filmin “Njeriu që s’mund të qëndronte i heshtur” të Nebojsha Slijepçeviq, e fituesi absolut është filmi amerikan “Anora” i Sean Bakerit
Romanca midis një punëtoreje seksi në Brooklyn dhe të birit të një oligarku rus që shkon deri në martesë, ka bërë për vete Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes duke i dhënë “Palmën e Artë”. Historia që shpaloset në filmin “Anora” nën regji e skenar të Sean Baker, ka edhe një tjetër episod: atë të insistimit të prindërve për ta ndarë të birin nga gruaja e tij.
Si fitues i çmimit kryesor në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Anora” ka bërë që një produksion amerikan të triumfojë në Cannes pas suksesit të Terrence Malick më 2011 me filmin “The Tree of Life”.
Spektakël më vete qe e shtuna mbrëma në rivierën franceze ku u ndanë çmimet e edicionit të 77 të festivalit të festivaleve.
Ikoniku Gerorge Lucas u nderua me “Palmën e Artë” të nderit kurse “Grand Prix” iu dha “All We Imagine as Light” nën regji të Payal Kapadia. Për regjinë më të mirë është shpërblyer Miguel Gomes, “Grand Tour”, aktori më i mirë është shpallur Jesse Plemons për rolin në filmin “Kinds of Kindness”, aktorët e filmit “Emilia Pérez” kanë ndarë çmimin për “Aktoren më të mirë”, përderisa ky film nën regji të Jacques Audiard ka marrë edhe “Çmimin e Jurisë”. Për skenarin më të mirë është shpërblyer Coralie Fargeat për filmin, “The Substance”.
“Palma e Artë” për filma të shkurtër i është dhënë filmit ““The Man Who Could Not Remain Silent” nën regjinë e kroatit Nebojsha Slijepçeviq, kurse Mirënjohje Speciale në këtë kategori ka marrë “Bad for a Moment”, nën regji të Daniel Soares. Pikërisht në këtë kategori në garë ka qenë edhe “Rrugës” nën regji të Samir Karahodës. “Palma...” i iku nga duart dhe ky ishte shansi i dytë i Kosovës për çmimin e madh.
“Palma e Artë” anashkalon “Rrugës” për një rrëfim tjetër ballkanik
Juria e filmave të shkurtër nuk ka zgjedhur që rrëfimi i Kosovës të jetë fitues i “Palmës së Artë”, por është ndalur te një tjetër histori ballkanike. “Njeriu që s’mund të qëndronte i heshtur” i Nebojsha Slijepçeviq është një histori e 27 shkurtit të vitit 1993 në Strpci të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas sinopsisit, një tren pasagjerësh nga Beogradi në Tivar të Malit të Zi ndalohet nga forcat paraushtarake në një operacion të spastrimi etnik.
“Derisa largojnë civilë të pafajshëm, vetëm njëri nga 500 pasagjerë guxon t'u rezistojë atyre. Kjo është historia e vërtetë e një njeriu që nuk mund të heshtte”, shkruhet në aty. Regjisori kroat, Nebojsha Slijepçeviq, është i njohur për filmat e tij të shkurtër dhe ata dokumentarë. Slijepçeviq (51) më 2019 ishte garues edhe në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren. Qe i nominuar për Çmimin për të drejta të njeriut me dokumentarin “Srbenka” e më 2016 kishte marrë Mirënjohje Speciale për dokumentarin “Something about life” në kategorinë kryesore, atë për dokumentar ballkanik.
Në konferencën e mbajtur pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve ai ka thënë se nuk mund të japë përgjigje me film.
“Krejt çfarë mund të bëj është të bëj pyetje. Në film kemi rrëfimin e një njeriu shumë trim që po të isha unë në vendin e tij nuk do të bëja ashtu pasi do të kisha frikë”, ka thënë Slijepçeviq, i cili i ka dërguar Kroacisë për herë të parë “Palmën e Artë”.
“Është një arritje e madhe për një kinematografi të vogël. Aktualisht më bën të lumtur fakti që filmi im pas këtij çmimi do të jepet gjithandej dhe shumë njerëz do ta shohin atë”, ka thënë ai. Ka treguar se në Kroaci krijohet përshtypja se kinemaja po vdes, përderisa në Cannes mund të shihet ana tjetër: lulëzimi.
Pos këtij filmi, “Rrugës” ishte në garë edhe me “Volcelest” të francezit Éric Briche, “Ootid” të lituanit Razumaitė Eglė, “Sanki Yoxsan” të regjisorit azerbajxhanas, Azer Guliev, “Les Belles Cicatrites” të francezit Raphaël Jouzeau, “Across the Waters” të kinezit Viv Li, “Perfectly a Strangeness” të kanadezit Alison McAlpine, “Tea” të amerikanit Blake Rice, “Yellow” të brazilianit André Hayato Saito dhe “Bad For a Moment” të portugezit Daniel Soares. Juria e kategorisë së filmave të shkurtër sivjet ishte në përbërje të kryetares Lubna Azabal, aktore belge dhe anëtarëve, regjisores franceze Marie-Castille Mention-Schaar, programerit italian, Paolo Moretti, regjisores franceze Claudine Nougaret dhe regjisorit serb Vladimir Perishiq.
Rikthimi i Karahodës, një rekord historik për Festivalin
Teatri “Lumière” në Pallatin e Festivalit në Cannes të shtunën mbrëma ka mbledhur kinematografët më të zotë sipas Festivalit. E në këtë ceremoni është kthyer edhe Samir Karahoda me bashkëpunëtorët e tij. Një ditë pas premierës së “Rrugës”, ekipi ka qenë përballë skenës ku janë ndarë çmimet. Paraprakisht në teatrin “Debusy” bashkë me mbi njëmijë veta kanë parë premierën e filmit të Kosovës. Filmi thur telashet vendore e ato ballkanike.
Regjisori Samir Karahoda pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, të shtunën vonë, ka thënë për KOHËN se prezenca e tyre për së dyti në Cannes është edhe një histori për vetë Festivalin, pasi që në kategorinë e filmave të shkurtër kjo është hera e dytë që diçka e tillë ka ndodhur gjatë 77 vjetëve. Në kategorinë e filmave të shkurtër Karahoda është regjisori i dytë që për herë të dytë është konkurrent për “Palmën e Artë”.
“Andaj edhe pse ne nuk u shpërblyem, shpërblimi më i madh ishte se filmi jonë mori kritika jashtëzakonisht të mira që do të thotë se ne u prezantuam në mënyrë të dinjitetshme”, ka thënë ai.
Karahoda: “Besoj që projekti i radhës do të jetë shumë më i madh”
Karahoda ka treguar se tashmë “Rrugës” është ftuar në disa festivale të rëndësishme botërore dhe si duket edhe ky projekt do të ketë një rrugëtim të gjatë e interesant.
“Sa i përket pjesës tjetër, vlen të përmend që vazhdojnë të më vijnë oferta për bashkëpunim nga produksione të mëdha si nga SHBA-ja e po ashtu edhe nga Franca”, ka thënë ai. Ka zbuluar se tash synimet i ka të tjera.
“Jam duke i shqyrtuar me kujdes pasi që projekti im i radhës është film i gjatë dhe shumë ambicioz, prandaj jam duke i vlerësuar ftesat dhe besoj që projekti i radhës do të jetë shumë më i madh”, ka thënë ai. Gjatë qëndrimit në rivierën franceze ku bota e filmit ka qenë këto ditë, Karahoda ka thënë se kanë krijuar kontakte të shumta.
“Kinematografia jonë tanimë ka marrë vëmendjen ndërkombëtare dhe shpresoj se e gjithë industria jonë e filmit do të vazhdojë ta ketë vendin aty ku e meriton”, ka thënë ai. Karahoda edhe para “Rrugës” qe emër i njohur në Cannes. Me “Pa vend” ai bëri histori, duke qenë i pari produksion vendor që garoi për “Palmën e Artë”, në këtë festival në korrikun e vitit 2021, ku filmi u dha premierë botërore. U bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Ishte në garë edhe për çmimet e Akademisë Amerikane. S’u ndal as më 2022, kur në “Sundance Film Festival” mori çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër.
Bilibani: “Më nuk na shohin si shtet që nuk sjell ndonjë vlerë”
Karahoda këto ditë në Cannes ka qëndruar bashkë me bashkëproducentin Eroll Bilibani dhe anëtarë të ekipit si aktorët Miron Karahoda e Ylber Mehmeti. I pranishëm ishte edhe montazheri Enis Saraçi.
Bashkëproducenti Eroll Bilibani pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ka thënë se shkuarja në Cannes është ëndërr e secilit regjisor dhe e secilit person që punon në industrinë e filmit. Sipas tij, prania në festival për herë të dytë duke qenë pjesë e garës zyrtare e bën shkuarjen atje edhe më të veçantë.
“E kemi ndarë filmin tonë me audiencën e Cannes dhe ka qenë eksperiencë e jashtëzakonshme. Kemi krijuar kontakte të reja dhe besoj se kjo do të ndikojë shumë. Bashkë me Samirin jemi pjesë e ‘DokuFest’ dhe besoj që do të na vijnë profesionistë të ndryshëm në Kosovë”, ka thënë ai. Sipas Bilibanit, Kosova tash ka një vend meritor dhe është shtet i respektuar kur vjen puna te filmi.
“Është shtet që ka prezencë të vazhdueshme në festivale të rëndësishme. Më nuk na shohin si shtet që nuk sjell ndonjë vlerë. Por përkundrazi, si shtet që ka një kualitet të veçantë të filmit, ka valë të re autorësh që bëjnë filma të mirë e të respektuar kudo në botë”, ka thënë ai. Në vlerësimin e tij, kinematografia e Kosovës është në rrugën e duhur dhe kualiteti i regjisorëve e kineastëve është shumë i mirë.
“Jam optimist i një të ardhme të ndritur. Qëllimi është që të promovojmë vendin tonë të vogël me ëndrra të mëdha. Filmi jonë tash do ta vazhdojë rrugëtimin dhe besojmë se do ta kalojë suksesin e ‘Pa vend’”, ka thënë ai.
Historia që shpaloset në “Rrugës” duket se do të shpaloset gjithandej festivaleve me renome. Do të shohin rrëfimin që sipas sinopsisit të publikuar nga festivali, gjatë një udhëtimi 15-minutësh me makinë një fëmijë e babai i tij bëjnë muhabet kompleks duke ofruar qartë realitetin me të cilin përballet shoqëria e sotme kosovare. Bëhet fjalë për babë e bir që janë rrugës për në aeroport për të marrë një dhuratë që vjen nga kumbari i djalit.
“Midis pengesash burokratike me pak a hiç shpresë për ndryshime politike e sociale në vend, ata gjejnë rehati dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen”, shkruhet në përshkrimin që ia ka bërë festivali filmit. Biseda që zhvillohet në makinë, nxjerr në pah telashet e tanishme që pandashmërisht janë të lidhura me të kaluarën. “Aroma” e luftës është edhe brenda mjetit transportues. Sipas asaj që shihet në “trailer”, djali që luhet nga Miron Karahoda pyet të atin, aktorin (Ylber Mehmeti) për mundësinë që të ketë prapë luftë. E përgjigjja shpjegon shumëçka.
“Edhe ndonjë ditë s’ka me mbet kush me luftu.......edhe ata (serbët v.j. janë duke ikur). Bëhet fjalë për dialog që zbërthen shumë. Përfshin vitet ’90, gjendjen e tanishme e më pas në aeroport preket edhe një shembull praktik i ngecjes. Maltretohen nëpër procedura për të tërhequr një dhuratë.
Edicioni i filmave që zbërthejnë qëllimin e kinematografisë
Në maratonën filmike të Cannes prej 14 deri më 25 maj bota e filmit ka parë rrëfime të ndryshme. Festivali sivjet është mbajtur në një botë rrallëherë më të polarizuar. Qe nën hijen e luftës Rusi-Ukrainë e atë të konfliktit midis Izraelit e Hamasit. Në anën tjetër, tendencat për autoritarizëm janë në rritje gjithandej. Regjisori iranian Mohammad Rasoulof, filmi i të cilit “The Seed of the Sacred Fig” u dha premierë është dënuar me 8 vjet burg nga Gjykata Revolucionare Islamike. Ka qenë në Cannes si i arratisur. Filmi i tij flet për të bëmat e egra të vendit të tij në raport me liritë njerëzore e sidomos ndaj grave.
Juria krijoi një çmim special për regjisorin iranian Mohammad Rasoulof duke përkrahur kreativitetin dhe guximin krijues.
Greta Gerwig kryetare e jurisë për filma të gjatë artistikë ka thënë se këto ditë kanë parë filma që tregojnë për qëllimin e kinematografisë.
“Eksperienca e të qenit këtu ishte madhështore në krejt këto ditë që kemi shikuar filma. Janë shfaqur filma që nxjerrin në pah qëllimet e kinemasë”, ka thënë ajo në konferencë për media menjëherë pas ndarjes së çmimeve.
Juria vendosi që “Anora” të jetë filmi triumfues. Është filmi i tretë i regjisorit Baker në Cannes, pas “The Florida Project” dhe “Red Rocket”. Ai e pranoi çmimin nga dy herë fituesi i “Palmës së Artë”, Francis Ford Coppola, “Megalopolisi” i të cilit u kthye prapa duarbosh. Coppola (85) gjithashtu ia dha “Palmën e Artë të Nderit” mikut të tij George Lucas, të cilin ai e quajti “vëllai i tij i vogël”.
“E ardhmja e kinemasë është në kinema”
Sean Baker ua kushtoi çmimin të gjitha punonjësve të seksit të së kaluarës, të tashmes e të ardhmes. Ka thënë se ka shumë rëndësi që të bëhen filma “të destinuar për shfaqje në kinema”.
“Botës duhet t'i kujtohet se shikimi i një filmi në shtëpi, duke lëvizur nëpër telefonin tuaj, duke kontrolluar e-mailet dhe duke i kushtuar gjysmë vëmendje nuk është mënyra e duhur, megjithëse disa kompani teknologjike do të donin që ne të mendonim bash kështu. Shikimi i një filmi me të tjerët në një kinema është një nga përvojat e shkëlqyera të përbashkëta. Ne ndajmë të qeshurën, pikëllimin, zemërimin, frikën dhe shpresojmë të kemi një katarsis me miqtë dhe të huajt përreth. Kështu që unë them se e ardhmja e kinemasë është aty ku filloi: në kinema”, ka thënë ai.
Katarsis në këtë edicion të Cannes ka përjetuar edhe Kosova. Vendi që me zor mundohet të regjistrojë më shumë se 1.5 milionë banorë, i ka dërguar botës se ka potencial të madh krijues: aso që festivalin e festivaleve tashmë e kanë stacion të shpeshtë. Dy herë nga i njëjti regjisor tashmë është fakt historik edhe për Cannes, me apo pa “Palmën e Artë”.