Shtojca për Kulturë

Deklaratat e patriarkut serb në Tiranë

Descriptive Text

Është e qartë se patriarku Irinej nuk është i informuar saktësisht për realitetin e ri në Kosovë. Sa i përket mendimit të tij se “kur Kosova më 1912 ishte çliruar nga turqit, asnjë shqiptar nuk ishte dëbuar nga Kosova”, ç’është e vërteta, për shqiptarët u dëbuan pushtuesit osmanë, por u vendosën pushtuesit serbë

Opinioni publik veçanërisht kishte kundërshtuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për shkak të ftesës së tij dërguar edhe përfaqësuesit të Kishës Ortodokse Serbe më 2014 për të marrë pjesë në këtë ngjarje shumë të rëndësishme, duke e cilësuar atë "një rast pa precedentë ". Me atë rast, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, dha një intervistë ekskluzive për TV shqiptar “Top Channel”. Ai lansoi disa qëndrime të tij, të cilat shkaktuan reagime të ashpra gjithandej nëpër hapësirat shqiptare. Ai, pos të tjerash, deklaroi: “Kisha Ortodokse e Serbisë është e gatshme për një zgjidhje të drejtë në mënyrë që të dyja palët të jenë të kënaqura, sepse, siç tha ai, serbët shqiptarëve kurrë nuk u ishin armiq. Rezidenca e patriarkut serb gjendet në Pejë, dhe se tani rezulton se rezidenca e Patrikanës serbe gjendet në një vend tjetër, e jo në Serbi”.

Le t’ia përkujtojmë edhe ne hierarkut të parë të Kishës Ortodokse Serbe, duke ia prezantuar personalitetet shtetërore dhe akademike serbe dhe projektet e tyre të vazhdueshme për shfarosjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre mijëravjeçare dhe kolonizimin e trojeve të tyre me ardhacakë të programuar serbë e malazezë – duke u nisur nga Vladan Gjorgjeviqi (“Die Albanesen und die Großmächte”), me Vasa Çubriloviqin (“The Expulsion of the Arnauts“), pastaj me “The Yugoslav-Turkish Convention on the Deportation of Albanians“ (1938), me “Andric’s Project Report on Albania“ (1939), e deri te Slobodan Milosheviqi. Gjenocidin e fundit të këtij kasapi të Ballkanit, jo vetëm ndaj shqiptarëve, tashmë e njeh e tërë bota.

Image
Kisha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Pazarin e Ri (Novi-Pazar) në Serbi

T’ia rikujtojmë, me këtë rast, vetëm disa citate të nismëtarit të këtyre projekteve çmendurake. Vladan Gjorgjeviq (Vladan Djordjević, 1844-1930) ishte figurë politike, shkrimtar dhe mjek privat i mbretit Milan I Obrenoviq (sundoi: 1872-1882). Gjorgjeviq që ishte personalitet me karrierë të rëndësishme në diplomacinë serbe, kishte shkruar një pamflet në 172 faqe të titulluar “Die Albanesen und die Großmächte“ (Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha) dhe e kishte botuar në Leipzig më 1913. Po në këtë vit, e kishte botuar edhe në frëngjisht dhe serbisht, ndërsa më 1928 në Zagreb edhe në shqip. Teksti është i ngarkuar nga një nacionalizëm aq i skajshëm patologjik – apo siç do të thoshte populli thuajse “sorra ia kishte dallashitur ment“. Sepse si është e mundur që një njeri i tillë të pohonte, pos të tjerash, se “shqiptarët janë lëkurkuqët e Evropës (redskins of Europe) dhe se ata nuk kanë të drejtë për vetëvendosje dhe për shtetin e tyre të pavarur shqiptar. Pastaj, ai pohonte se “shqiptarët janë të vegjël dhe hollakë, më shumë si jevgji (Gypsies) apo fenikas (Phoenicians), por gjithashtu edhe si njeriu primitiv i cili flinte në drunj dhe e përdorte bishtin e tij për t’u varur në të“. Dhe më pas Vladani e arrin kurorën e marrëzirave të tij fantazmagorike: “Vetëm në mesin e shqiptarëve në shekullin XIX njeriu mund të shohë qartazi krijesa njerëzore me bisht“ (faqe 23).

Si reaksion ndaj këtyre aksioneve tejet fyese dhe poshtëruese serbe, edhe shqiptarët kanë seleksionuar një numër citatesh vendase dhe të huaja mbi serbët. Thuhet se mendja dhe sjelljet e sllavëve janë enigmë për popujt e tjerë. Gjatë sundimit turk në Serbi, një numër serbësh kishte marrë arratinë për t’iu shmangur persekutimeve dhe ishin pritur mirë dhe me miqësi nga hungarezët e mëshirshëm. Dy apo tre shekuj më vonë, si shpërblim për këtë mirësi, pasardhësit e këtyre refugjatëve që gëzuan mikpritjen, i dërguan një peticion Fuqive të Mëdha që Serbisë t’i jepej strehimorja mikpritëse e stërgjyshërve të tyre. Historiani britanik, Sir Edwin Pears (1835-1919), që kishte një përvojë afër gjysmë shekulli me shqiptarët, edhe pse përmend (Turkey and its People) pesë virtytet e tyre: kalorësinë, mirësjelljen, pavarësinë, tolerancën, besnikërinë – ai thekson edhe dobësinë e tyre që është tirania. Ai shton menjëherë se është vërejtur gjithnjë se sa herë që shqiptarët nuk e kanë pasur instinktin kalorësiak të kursimit të të nënshtruarit, ka dalë në shesh, pas analizës, se ka qenë shqiptar i përzier me sllavë. Ndërkaq, Miss Edith Durham e përshkruan vizitën e saj në Manastirin e Deviqit në Kosovë, kur ajo dhe shoqëruesi i saj shqiptar katolik, Marku, kishin takuar një familje ortodokse serbe në Gjakovë dhe e kishin pyetur njërin familjar nëse ai e kuptonte gjuhën shqipe. Ai kishte qeshur me gjithë zemër, dhe ishte përgjigjur: "Unë jam shqiptar." Pastaj kishte treguar se ai kishte lindur nga prindër shqiptarë dhe se kishte folur shqip vetëm si fëmijë. Por duke u bashkuar me Kishën Ortodokse, ai ishte tani serb, dhe se serbishtja ishte më e afërt për të se sa gjuha e tij amtare. Kështu, kur është fjala për logjikën e çuditshme serbe, konstatohet: “Hapja serbit derën e shtëpisë – ai të nesërmen kërkon gjysmën e shtëpisë dhe thotë se është e tij; të mbasnesërmen përpiqet të të hedhë nga dritarja jashtë”.

Sidoqoftë, është koha e fundit që shqiptarët dhe serbët tani në mijëvjeçarin e tretë të njerëzimit – të sillen njerëzishëm, duke i vlerësuar dhe respektuar më shumë përputhjet shembullmira mes tyre gjatë shekujve të kaluar dhe t’i braktisin njëherë e mirë të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfrontimet tragjike.

“Kosova e Metohia, për ne serbët është pjesa më e shenjtë e vendit, ku serbët dhe shqiptarët kanë jetuar me shekuj pa probleme të mëdha, dhe për këtë këto ndodhitë më të reja, para së gjithash shkëputja e asaj krahine jugore serbe, na bie shumë rëndë. Ne nuk mund as të lejojmë e as të kuptojmë. Jemi të gatshëm për të gjetur një zgjidhje të drejtë që të dy palët të jenë të kënaqura. Nëse me vite kemi jetuar së bashku, përse nuk mund të jetonim së bashku përsëri. Një problem tjetër është se rreth 200-250.000 serbë kanë qenë të detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre dhe të ikin nga Kosova dhe Metohija”, do të thoshte Irinej.

Kryepeshkopi Irinej konstaton se serbët dhe shqiptarët kanë jetuar me shekuj pa probleme të mëdha. Përkundrazi. Pos disa periudhave normale, problemet e mëdha, pos atyre mesjetare, filluan sidomos pas përfundimit të luftërave ballkanike, kur Kosova iu shkëput me dhunë trungut të lashtë dhe të shenjtë shqiptar. Kjo ishte njëra nga tragjeditë më të mëdha në historinë e këtij populli. Atëbotë, serbët nuk menduan se sa rëndë u binte shqiptarëve ky rrëmbim i dhunshëm e as për të gjitha ato vuajtje që pasuan për afër 100 vjet. Në rregull është që peshkopi Irinej shqetësohet për serbët e shpërngulur pas vitit 1999 nga Kosova dhe që kujdeset për kthimin e tyre. Por, a kanë menduar ndonjëherë fqinjët serbë për të gjitha ato shpërngulje të shqiptarëve nga trojet e veta nga Kosova, të shkaktuara nga terrori shtetëror dhe soldateska e saj në vazhdimësi të pandërprerë? Vetëm në Turqi, sipas shifrave zyrtare, sot jetojnë mbi tre milionë banorë me prejardhje shqiptare të shpërngulur nga Kosova.

“Ata (serbët) kanë mbijetuar çaste të vështira, shtëpitë e tyre janë djegur, pasuritë e tyre i kanë përvetësuar shqiptarët dhe nuk lejojnë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre. Tani kemi mësuar se shumë nga varrezat tona janë zhbërë ose dëmtuar. Me përjashtim të disa pjesëve të cilat i ka ruajtur KFOR-i, pjesët tjera janë çrrënjosur dhe djegur. Në vitin 1912, kur Kosova u çlirua nga turqit, asnjë shqiptar nuk u dëbua nga Kosova dhe Metohia”, ka deklaruar kryepeshkopi.

Është e qartë se patriarku Irinej nuk është i informuar saktësisht për realitetin e ri në Kosovë. Më në fund, edhe në këtë vend aq të përvuajtur po krijohet një shoqëri e re, e lirë dhe demokratike, ku të gjithë, pa dallime kombësie apo feje, i gëzojnë të drejtat legjitime për një jetë dinjitoze njerëzore. Sa i përket mendimit të tij se “kur Kosova më 1912 ishte çliruar nga turqit, asnjë shqiptar nuk ishte dëbuar nga Kosova”, ç’është e vërteta, për shqiptarët u dëbuan pushtuesit osmanë, por u vendosën pushtuesit serbë. Le të theksojmë se para vitit 1912 Serbia dëboi me dhunë ushtarake nga veriu i Kosovës (Toplica), mijëra e mijëra shqiptarë nga trojet e veta. Se si është “çliruar” Kosova nga Serbia, le të shohim se çka është gravuar në të dy anët e medaljes zyrtare serbe me të cilën u dekoruan ushtarët serbë dhe malazezë që morën pjesë, siç thuhet, në ahmarrjen e soldateskës serbe – kur në të vërtetë u pushtuan trojet shqiptare. Dëshmitë janë të pamëshirshme. Në anën e parë të kësaj medaljeje shkruan: ‘1912: OSVEĆENO KOSOVO’ (1912: U AHMOR KOSOVA), ndërsa në anën tjetër shënohen qytetet e ahmarruna, në serbisht dhe me shkronja versale cirilike: “PRIZREN, MRDARE, SHTIP, N. PAZAR, DEBAR, VELES, JEDRENE, PRILIP, SKOPLJE, KUMANOVO, BITOLJ, SKADAR, OHRID, SJENICA, DOJRAN, LJESH, TETOVO, ELBASAN, DRAĈ, PRIŠTINA”. Nga 20 qytetet e përmendura (tri janë në Kosovë, pesë në Shqipëri, nëntë në Maqedoni, një në Turqi); janë vetëm dy nga qytetet e përmendura që sot gjenden në Serbi, ku serbët janë me përqindje të vogël: Novi-Pazari dhe Sjenica. Të shohim shkurtimisht historikun e këtyre dy qyteteve: Novi-Pazar (në turqisht: Yeni Pazar, në shqip: "Tregu i Ri", që rrjedh nga persishtja: Bazar). Deri te luftërat ballkanike, Yeni Pazari ishte në kuadër të Vilajetit të Kosovës (1881-1912). Sipas shënimeve të viteve 1905-1906 në këtë sanxhak jetonin 37.775 banorë, me përkatësi fetare 27.980 banorë myslimanë (shqiptarë) dhe 19.795 të krishterë (ortodoksë të racës/kombësisë shqiptare dhe serbe). Gjatë Luftës së Dytë Botërore Pazari i Ri ishte nën mbrojtjen e forcave vullnetare të rajonit. Më 4 nëntor 1941 forcat e armatosura çetnike i sulmojnë vendasit të cilëve u vijnë në ndihmë rreth 6.000 vullnetarë nga rrafshi i Kosovës, Drenica dhe Rrafshi i Dukagjinit. Është një vend tipik me përbërje shumetnike: me shqiptarë, serbë dhe sllavo-folës myslimanë (boshnjakë). Udhëpërshkruesi osman, Evlija Çelebi, vuri në dukje se ky ishte një nga qytetet më të populluara të Ballkanit në shekullin XVII. Historianët serbë pohojnë se serbët, që jetonin në qytet deri në Luftën e Dytë Botërore, e tërë popullata serbe e Yeni Pazarit – 521 individë, janë burgosur dhe dërguar në kampin e përqendrimit “Staro Sajmište”, ku janë vrarë gjatë sundimit të Ballit Kombëtar. Në këtë zonë multikulturore të myslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë, ka shumë monumente të dy komuniteteve, nga të cilat dallohen: Kisha paleokristiane e Shën-Apostujve Pjetër e Pal dhe Xhamia Altun-Alem. (Xhamia është ndërtuar më 1528 nga arkitekti Abdyl Gani. Ndërkaq, regjistrimi i vitit 2011 konstatoi se qyteti kishte një popullsi të përzier etnikisht prej 66.527 banorësh, pa konstatuar përqindjen e shqiptarëve.

Ndërkaq, Sjenica përmendet për herë të parë në vitin 1253 të e. s., ku shumë tregtarë pushonin dhe paguanin taksat, gjatë rrugës për në (Ragusa) Dubrovnik. Gjatë luftimeve osmane-shqiptare të vitit 1901 qyteti është djegur pjesërisht. Ndërkaq, në Parlamentin Osman të viteve 1908-1912, përfaqësues i zgjedhur i Sjenicës ishte Hasan Bej Muhedini, një shqiptar i shquar vendor. Por, sipas regjistrimit të fundit zyrtar të vitit 2011, Komuna e Sjenicës ka një popullsi prej 26.392 banorë – në mesin e tyre janë vetëm 29 shqiptarë.

Patriarku serb Irinej (Miroslav Gavriloviq) u lind më 1930 në fshatin Vidova pranë qytetit Çaçak në Serbi. Aty e ka kryer gjimnazin dhe pastaj në Prizren e kryen shkollën fetare Bogoslovija. Ndërkohë diplomon në Fakultetin e Bogoslovisë në Beograd. Në prag të ceremonisë së inaugurimit të patriarkut serb, Irenej, në Patrikanën e Pejës, në rrugët e Pejës që çojnë drejt manastirit ishin ngjitur posterë me imazhin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe dhe të mesazheve në anglisht "kriminel lufte" dhe “shko në ferr”.

Të konstatojmë se të gjitha faltoret anembanë botës u dedikohen besimtarëve të devotshëm. Edhe në Kosovë ato janë ndërtuar për të njëjtin qëllim – pavarësisht se në truall të kujt gjenden, se kush i ka ndërtuar apo rindërtuar, mirëmbajtur apo mbrojtur – ato u përkasin besimtarëve dhe të gjithë dashamirësve dhe adhuruesve të vlerave kulturore: religjioze, historike, arkitektonike, freskografike e ikonike.

Seria e teksteve “Kujt i përkasin, në të vërtetë, tempujt fetarë në Kosovë?” të Shyqri Nimanit (6 maj 1941 – 22 qershor 2023), u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë, prej korrikut deri në gusht të vitit 2014.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës