Shtojca për Kulturë

Vrasja e Kadri Zekës, konspiracionet dhe harta e “Shqipërisë së madhe”

Revista e njohur “Der Spiegel” e datës 24 janar 1982 në artikullin “Das ganze sieht nach Hinrichtung aus”, prapa ngjarjes në Heilbronn, të vrasjes së Kadri Zekës së bashku me vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla e shihte në shërbimin sekret jugosllav, duke shtuar se për autoritetet e Republikës Federale të Gjermanisë ekzekutimi u bë nga vrasës të panjohur
 

Mes historianëve dhe personaliteteve të ndryshme ka një debat nëse kjo vrasje pati të bënte me rivalitetin e brendshëm të protagonistëve të ndryshëm në emigracionin shqiptar apo ishte një skenar i shërbimit sekret serb në përpjekjet e tij për të nxitur përçarje brenda shoqërisë shqiptare. Ivan Babnovki, i cili gjatë kohës është marrë me çështjen e emigracionit politik nëpër botë, shkruan se organizata “Fronti i kuq” me instruksione të Tiranës zyrtare kishte shpërndarë hartën e njohur të “Shqipërisë së madhe”, e cila gjoja kishte shqetësuar edhe disa nga fqinjët në rajon

Meqë Ambasada Shqiptare në Vjenë, prej kohësh ishte bërë edhe qendër e takimeve të delegacioneve qeveritare shqiptare dhe gjermane, ishte krejt e natyrshme që hyrjet dhe daljet e tilla, si ato të veprimtarit të njohur kosovar Kadri Zeka të ndiqeshin nga shërbimi sekret jugosllav. Në këto rrethana, Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla u ekzekutuan në Heilbronn të Gjermanisë më 17 janar 1982.

Megjithatë, kjo vrasje vetëm sa thelloi armiqësinë e gastarbajterëve shqiptarë ndaj përfaqësuesve të shtetit jugosllav. Si reaksion, punëtorët shqiptarë në Gjermani dhe në vendet tjera braktisën organizatat “jugosllaviste” të emigrantëve dhe formuan klubet e shoqatat e tyre kombëtare, të cilat këtë veprimtari e intensifikuan edhe më tej gjatë viteve ‘90 për organizimin, mirëmbajtjen e sistemit të pavarur shëndetësor dhe arsimor të Kosovës dhe luftën e armatosur të UÇK-së kundër sundimit serb mbi Kosovën.