Shtojca për Kulturë

Libër për mbijetesën e arsimit shqip të kosovarëve

Pas shumë përgatitjeve disamujore nga viti 1998, pikërisht me 19 shkurt 1999, filloi të punojë në Ulqin, shkolla fillore kosovare “Zilja e thyer”, në Mal të Zi. Dhe kjo shkollë e zhvilloi mësimin në Rozhajë, Plavë, Malësi-Tuz dhe Ulqin. Personi përgjegjës dhe meritor për organizimin e kësaj veprimtarie humane, morale e patriotike është autori i këtij libri, Demë Mulliqi i cili në monografi sjell dëshmi për “Zilen e thyer”
 

Demë Mulliqi, “Shkolla fillore kosovare ZILJA E THYER në Mal të Zi 1998/99”, Botoi: “Drini Graf”, 2008

Viteve të fundit nga autorë të ndryshëm, kanë dalë në qarkullim botime në lidhje me dhunën, ekzodin dhe zhvendosjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998/99. Por, Demë Mulliqi dallohet nga të tjerët sepse duke qenë vetë dëshmitar okular na sjell librin “Shkolla fillore kosovare ZILJA E THYER në Mal të Zi 1998/99”, botuar në vitin 2008. Kemi të bëjmë pikërisht me një titull jo të zakonshëm, por aty ku ka angazhim dhe pasion e bashkëpunim mund të mbijetohet dhe të arrihen edhe rezultate. Është pikërisht angazhimi i autorit Mulliqi, si pedagog shumëvjeçar, i cili ia ka arritur që edhe “Zilja e thyer” të kryejë misionin e vet arsimor dhe kombëtar.

Opinioni i gjerë është i njohur se dhuna sistematike serbe në Kosovë pas eliminimit të autonomisë në vitin 1989, mori përmasa të gjera diskriminuese në shumë fusha të jetës duke përfshirë sidomos arsimin. Një veprim i tillë nuk ishte i rastit sepse pushteti serb rrezikun e shihte pikërisht te masa e gjerë e nxënësve dhe të studentët që ishin dhe mbeten shpresa e ardhmërisë në Kosovë. Duke rezistuar ndaj masave ndëshkuese serbe, përfaqësuesit e arsimit në Kosovë gjetën rrugë të tjera për të mos iu nënshtruar pushtuesit serb. Kështu ndonëse të larguar nga objektet shkollore, shqiptarët hapën shtëpitë e tyre si rrugë e vetme alternative për të mbijetuar. Por, prej vitit 1998, masat represive të dhunës arritën kulmin, sidomos në pjesën perëndimore të Kosovës, në Rrafshin e Dukagjinit. Duke mos pasur mundësi të përballimit të situatës, popullsia shqiptare e Kosovës ishte e detyruar të lëshojë vendlindjen. Ishte ky fillimi i një eksodi biblik, ku në vitin 1998-99 nga Kosova u larguan me dhunë rreth 1 milion shqiptarë.