Shtojca për Kulturë

Neziraj: Demokracia s’mund të merret si e mirëqenë

Jeton Neziraj: Unë do të doja të isha qytetar i një bote ku jetojnë dhe krijojnë njerëz të guximshëm, të cilët e kuptojnë se demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Ne duhet ta mirëmbajmë atë së bashku, sepse armiqtë e paqes dhe të demokracisë janë duke i mprehur shpatat
 

Dramaturgu kosovar Jeton Neziraj ka kaluar nëpër represionet e regjimit të Milosheviqit dhe ferrin e luftës civile gjatë studimeve të tij për dramaturgji. Pas themelimit të Republikës së Kosovës, ai punoi si drejtor artistik i Teatrit Kombëtar atje. Deri më tani ka shkruar më shumë se njëzet e pesë drama, të cilat janë vënë në skenë në të gjithë Evropën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2018, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ia ndau çmimin “Evropiani i Vitit”. Ai është marrësi i Çmimit Europe Culture 2020 dhe i Çmimit Ndërkombëtar të Teatrit 2021 të shpallur nga kompania e New Yorkut, “Playwrights Realm”. Themeloi dhe menaxhon kompaninë e teatrit dhe produksionit “Qendra Multimedia”, me seli në Prishtinë, duke sjellë në “Palm Of Fest” bashkëprodhimin teatror “The Handke Project” të shpërblyer nga “Journèes de Lyopn des Auteurs de Theátre”. Drama e tij “Negotiating Peace” pati premierën çeke në Teatrin e Qytetit të Pragës.

Divadelni Noviny: Kush e dha idenë për “The Handke Project”?

Jeton Neziraj: Peter Handke u bë i dukshëm në mediat ballkanike dhe në sytë e publikut në vitet ‘90, kur filloi të shkruante tekste politike në mbështetje të Serbisë dhe Slobodan Milosheviqit. Vëmendja ndaj punës së tij dhe teksteve të diskutueshme u shtua pasi ai mori çmimin “Nobel” për letërsi. Unë personalisht u interesova për të në vitin 2019, kur “Qendra Multimedia” dhe unë u angazhuam të prodhonim një shfaqje për teatrin Volskbühne në Berlin. Unë shkrova “Kthimin e Karl Mayit”, një shfaqje e cila e përball audiencën me qëndrimin pothuajse demonizues të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes. Në një skenë, personazhi i Mayit, Kara Ben Nemsi, takohet me Peter Handken. Pasi mbarova dramën, kuptova se Handke meritonte më shumë vëmendje. Puna ime e radhës do të ishte një dramë në të cilën përpiqem të kuptoj se si, ne si artistë, mund të mbetemi të përkushtuar ndaj lirisë artistike duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi ndaj publikut tonë. Kështu, në “The Handke Project” ne nuk ishim aq të interesuar për Peter Handken (si individ), por më tepër për “fenomenin Peter Handke”, një shembull i gjallë i hipokrizisë evropiane, që është në gjendje të prezantojë fashizmin si shprehje e lirisë artistike, madje edhe ta vlerësojë.