Shtojca për Kulturë

“Maestro” feston artin e Bernsteinit

Ajo që e bën filmin “Maestro” tërheqës për publikun nuk ka të bëjë me atë që sheh syri, por më shumë me atë që e dëgjon veshi. Kjo pasi është përdorur muzika e maestros Leonard Bernstein për të krijuar një atmosferë unike, gjersa i gjithë projekti feston artin e tij
 

Debutimi regjisorial i Bradley Cooperit me “A Star is Born” shërbeu si projekt komercial që i hapi rrugën dramës biografike “Maestro”, pasi të dy filmat trajtojnë temën e artit, si dhe dashurinë për një artist

Filmi i ri i aktorit të shndërruar në regjisor sjell historinë e bazuar në fakte të dirigjentit Leonard Bernstein, me performancat e shkëlqyeshme të Bradley Cooperit dhe Carey Mulliganit në rolet protagoniste. Ata e bartin barrën kryesore të një filmi, që nuk është gjithmonë lehtësisht i arritshëm, por sigurisht larg nga të qenët i cekët. Përpara se të krijoheshin përshtypjet e para për filmin, në media u shkaktuan polemika mbi hundën protetike që Cooperi vendosi në fytyrë, për t’i ngjarë më mirë personazhit të tij hebre. Pavarësisht faktit që aktorët kanë vepruar kështu me vite – si dhe përkrahjes nga familja e Bernsteinit për këtë veprim – për disa njerëz aspekti stereotipik i imazhit goditi nervin. Në fund të fundit ajo çka e bën filmin “Maestro” tërheqës për publikun nuk ka të bëjë me atë që sheh syri, por më shumë me atë që e dëgjon veshi. Kjo pasi është përdorur muzika e Bernsteinit për të krijuar një atmosferë unike, gjersa i gjithë projekti feston artin e tij.

Cooper ka dhënë shpirtin në këtë performancë për të shfaqur vlerësimin për atë që bën një dirigjent, duke kapur në kamerë mënyrën se si Bernstein hidhej me gjithë trupin dhe shpirtin e tij në punë dhe dëmin kolateral nga gjithë ai shpërthim krijues.