Shtojca për Kulturë

Tri personazhe dhe një dialog i pafundmë i jazzit

“7 Arte” në Mitrovicë ka ofruar sfondin e përsosur një takim muzikor, duke krijuar një ambient që i lejoi audiencës të zhytej plotësisht në përvojë. Dialogu muzikor i “Bibera Trio” – me Ilir Bajrin në sint, Arian Randobravën në saksofon dhe Enes Bajramliqin në bateri – u shtri përtej skenës, pasi interpretuesit e publiku u angazhuan në një shkëmbim reciprok energjie
 

Kur nis muzika e “Bibera Trio”, nuk dihet se ku përfundon. Ka shumë faktorë që e determinojnë kahun e saj dhe kjo është fryma që i bashkon Ilir Bajrin në sint, Arian Randobravën në saksofon dhe Enes Bajramliqin në bateri. Ky është dialogu i tyre, e aty e përfshijnë edhe publikun. Kësaj radhe, Mitrovica ka qenë destinacioni i tyre. I pafundmë është ai i muzikës që sjellin

Në një shkrirje të talentit dhe nostalgjisë, “Bibera Trio” shembi muret e qendrës “7 Arte” me tingujt e pafundmë të jazzit, duke rikthyer magjinë e sinergjisë muzikore. Arian Randobrava në saksofon, Enes Bajramliqi në bateri dhe Ilir Bajri në sint u ngjitën në skenë për një natë improvizimi dhe standarde klasike të këtij zhanri muzikor në ngjarje të titulluar me vend “Tue pa tue ba”, e cila edhe e ka përcaktuar tempin e koncertit, por njëkohshëm zbërthen filozofinë e jazzit.

Rikthmi i treshes pas një pauze së cilës as vetë anëtarët e “Bibera Trio” nuk mund t’ia vënë një datë të caktuar, nuk ishte asgjë më pak se mbresëlënës. Energjia mes anëtarëve kishte mbetur e palëkundur. Lidhja e pandërprerë dhe respekti i ndërsjellë në nivelin muzikor ishin të dukshme, duke krijuar një atmosferë krijimtarie të përbashkët. Mbrëmja nisi me “Little Sunflower” duke përgatitur terrenin për një natë përplot me mjeshtëri muzikore. Treshja përshkoi repertorin e muzikës jazz me tingujt e këngëve si “Softly” e “Maiden Voyage”.