Shtojca për Kulturë

Lamtumira me duartrokitje për mjeshtrin e humorit

Në teatrin “Migjeni” në Shkodër – të shumtë kanë qenë miqtë, kolegët e adhuruesit e tij që bënë homazhe në nderim të mjeshtrit të humorit shqiptar, Zef Deda
 

Ishte ai që publikun e bënte të harronte botën jashtë sallës ku interpretonte. Harronte edhe veten. Lamtumira e fundit iu dha ashtu siç i takon një artisti të madh si Zef Deda – me duartrokitje

Siç ngjante në fund të shfaqjeve të tij, ashtu iu dha edhe lamtumira e fundit – me duartrokitje. Aty ku Zef Deda jetësoi personazhet e tij – në teatrin “Migjeni” në Shkodër – të shumtë kanë qenë miqtë, kolegët e adhuruesit e tij që bënë homazhe në nderim të mjeshtrit të humorit shqiptar, të shtunën, një ditë pas vdekjes në moshën 73-vjeçare. Ishte ai që publikun e bënte të harronte botën jashtë sallës ku interpretonte. Harronte edhe veten. Në një prej intervistave të fundit të tij ishte përlotur nga emocionet kur ishte pyetur për publikun.

“Fati më i mirë është që kam qëlluar në Shqipëri, për arsye se është një popull që… Unë jam aktor komedian, por kam mbresat e mia për popullin tim, është popull i dashtun, është kaq artdashës, kaq i kulturum sa të kupton dhe nuk të largon kurrë, veç të afron”, do të thoshte i emocionuar Deda.