Shtojca për Kulturë

Vrasës, cuba e ikanakë në Kishën e Bajës më 1500, 1689, 1806 e 1830

Fotografi e fillimshekullit të njëzetë me Kishën e Bajës dhe luginën me po të njëjtin emër
 

Mbamendja e banorëve të Bajës në messhekullin e nëntëmbëdhjetë nuk shkonte kushedi sa larg. Nuk i bënte kujt përshtypje as kisha mesjetare e as legjendat për njëfarë kavalieri me emrin Strahinja Banoviq që fliste arnautçe. “Ata vetëm thanë që e morën këtë qytet prej vllehëve në kohërat e moçme”, shkruante konsulli rus, Aleksander Hilferding kur e vizitoi luginën e pasur me ujëra termale. Kisha e Bajës në vitet 1500, 1689, 1806 e vitet 1830 u përdor shpeshherë si strehë ikanakësh, cubash e vrasësish

Tri orë prej Mitrovice, si lihej pas Boletini e Bugariqi me ngastra duhani, në gjirin e një lugine gjysmërrethore, lartohej katundi i Bajës. Në këtë bokërimë me 50 shtëpi që dukeshin si të përfjetura për udhëtarin jabanxhi, nga krahu lindor ende binin në sy rrënojat e një kishe të gjerë e elegante. “Čuvena je to bila crkva” (Dikur ishte kishë me nam), tha me një zë midis psherëtimës e dhimbjes një banor i atyshëm. Duke bërë kallauzin, ky ortodoks me emrin Risto Perunoviq po shpjegonte historinë trepjesëshe të rrënojave: “Prvo je bila crkva, potom džamija, a sada je — batal (Së pari herë ishte kishë me nam, pastaj xhami, e tash është batall!). Një bashkëvendës mysliman gati i hidhet në qafë: “Kako batal! Nije to batal, nego džamija. U njoj se klanjamo petkom i u Bajramu” (Ç’batall? Nuk është batall, por xhami. Ne lutemi aty të premteve dhe për Bajram).
Me këtë kuvendim hidh-e-prit prej fshatarësh ortodoksë e myslimanë, konsulli dhe sllavisti rus, Aleksander Hilferding e përshkruante Bajën e vjetit 1857. Si shumë udhëpërshkrues para dhe pas tij, ai jep një tablo të hirnosur të këtij vendbanimi me burime uji termal, me rrënoja që për dikë ishin të kishës e për dikë të xhamisë e me legjenda për Strahinja Banoviqin.

Njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më vonë, ato që ishin mbijetoja muresh me tulla e gurë të mermertë përbëjnë ngrehinën e manastirit të restauruar të Bajës bashkë me konakët shoqërues. Në fundshtatorin e sivjetmë, edificet e kishës nuk ishin batall po të ripërdoren fjalët e Hilferdingut. Mbi tridhjetë terroristë të armatosur, të cilët mbanin distinktivë të Serbisë, nga aty kishin vendosur të sulmonin gjithçka identifikohej me shtetin e Kosovës. Me pelegrinë të zënë rob, ngrehat e kishës asodite u kthyen në llogore me armatime frikëndjellëse: armë automatike, thasë me municione, predha gjithfarëshe, mina e dronë. Megjithëse u dënua nga Perëndimi si akt i rëndë terrorist në kurriz të sovranitetit të Kosovës, me kumtesa të njëpasnjëshme kundërthënëse, Dioqeza Rashkë-Prizren mohoi fillimisht se ka njerëz të armatosur brenda manastirit e më pas mohoi se janë gjetur armë. E thënmia e Prosper Merimes se “dy mohime janë baraz me një pohim” këtu mori një miratim plot nënqeshje. Së paku prej fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë, historia e Bajës dhe e disa manastireve të tjera ortodokse nuk i ka sefte çetat, katilët, armët, plumbat e shestimet për serbizmën.