Shtojca për Kulturë

“Escort” me peshën e momentit që transformon jetë

“Escort” është një film plot adrenalinë, skenat janë kontraste botësh, pikërisht siç mund të transformohet jeta brenda një nate
 

Bashkëprodhimi midis Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ka ardhur me një rrëfim trileri në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të filmit, “PriFest”. Të premten mbrëma, në “Kino Armatë”, filmi me regji të Lukas Nola publikun e ka futur në botën e errët të nëntokës, si një paralajmërim të pasojave të zhytjes në të

Është një triler dinamik, me shumë ngjarje, por në thelb i jep peshë momentit a një veprimi që ka fuqinë t’i japë jetës një kthesë të fuqishme. Në rastin e “Escort”, kahu jetësor kapërdihet për të keq. Personazhit kryesor i tjetërsohet jeta tek i shndërrohet në përpjekje të vazhdueshme për ta rikthyer në binarë.

Bashkëprodhimi midis tri shteteve të Ballkanit – Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës – ka ardhur me një rrëfim si ky edhe në Prishtinë, në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të filmit, “PriFest”. Të premten mbrëma, në “Kino Armatë”, publikun e ka futur në botën e errët të nëntokës, si një paralajmërim të pasojave të zhytjes në të. Shfaqjes i ka paraprirë një paralajmërim prej bashkëproducentit e aktorit nga Kosova, Fatmir Spahiu, se filmi është për audiencë +18. Premiera kosovare vjen pas asaj të korrikut të sivjetmë në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë, që sivjet shënoi edicionin e 70-të.