Shtojca për Kulturë

Këshillat kombëtare, dekor të qeverive

Shqiptarët, por edhe pjesëtarët e popujve të tjerë në Mal të Zi, kanë nevojë për Këshill, si subjekt dinjitoz në përfaqësim të tyre e jo të jetë formal, pa asnjë ingerencë, por vetëm të shprehë mendimin e vet, i cili nuk obligon askënd si në pushtetin lokal e atë qendror (Foto: Driton Paçarada)
 

Këshillat kombëtare siç janë duke funksionuar – pa ingerenca dhe pa mbështetje financiare programore – janë dekor i qeverisë e jo në favor të avancimit të vlerave autentike të popujve përkatës. Nga ana tjetër, kemi edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, siç është rasti me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) me mosmbajtjen e zgjedhjeve për elektorë të rinj, sepse i ka kaluar mandati tash 15 muaj (qershor 2022), që është veprim i papërgjegjshëm, ku ndonëse është formuar komisioni përkatës, ai nuk e ka kryer detyrën e vet, që nuk mund të arsyetohet me asgjë, nga del se një subjekt i tillë është privatizuar dhe nuk është në shërbim të shqiptarëve

Në saje të përbërjes heterogjene të popullsisë Mali i Zi është shtet i veçantë në Evropën Juglindore, andaj edhe themelimi i këshillave kombëtare (2008) si subjekte të veçanta ishte risi në skenën politike në këtë mjedis. Me një veprim të tillë pushteti ka dashur të dëshmojë kapacitetin demokratik para faktorit ndërkombëtar kur janë në pyetje popujt pakicë. Por themelimi, organizimi, përmbajtja e financimi nga formimi i tyre dëshmuan se ata më shumë janë dekor të pushtetit, sesa në favor të avancimit të çështjeve nacionale e qytetarëve të pjesëtarëve të popujve përkatës.

Një dukuri e tillë ka të bëjë në veçanti për ne shqiptarët, si i vetmi popull me përkatësi etnike josllave.