Shtojca për Kulturë

“Defy Them” shkundet me kapitullin e ri të heavy metalit

“Shlem” e “Solar flare” nga Kosova tok me “Septem” nga Italia dhe “Morgu” nga Shqipëria, janë “strehuar” për koncert në “Defy Them” e cila në strehimoren e dikurshme është bërë pikë referente e kulturës alternative
 

Në një kohë komercializmi kur jo pak zhanre të muzikës u venitën, “Defy Them” vjen me kontrapunkt. Qendra e cila edhe me anketë e dëshmoi se rocku – e bashkë me të edhe zhanret që dalin prej tij – po rilindin, e ka bërë këtë edhe me koncert. “VOID – The Global Metal Scene In Prishtina” ka bashkuar dy bende nga Kosova dhe nga një nga Italia e Shqipëria, të cilët kanë shkundur skenën, por kanë shpalosur edhe tendencat e reja të këtij zhanri

Ka qenë shkurti i sivjetmë kur “Defy Them” do të njoftonte se për dy vjet janë formuar hiç më pak se njëzet rock-grupe e anketa me rreth dy mijë respondentë, kryesisht të rinj, do të nxirrte se gati çereku i tyre kishin deklaruar se dëgjojnë rock. Është rocku baza e heavy metalit, e pikërisht ky zhanër ka qenë kryefjalë e së premtes mbrëma me “VOID – The Global Metal Scene In Prishtina”. Nuk ka qenë vetëm dëshmi e anketës, por edhe e përplasjes së tingujve dhe shkundjes së skenës nga katër grupe – dy prej të cilave ishin nga Kosova – “Shlem” e “Solar flare”, tok me “Septem” nga Italia dhe “Morgu” nga Shqipëria.

Qysh në shkallët që çojnë për te qendra e kulturës alternative “Defy Them”, e vendosur në strehimoren e dikurshme në “Breg të Diellit”, fryma e “heavy metalit” është aty. Nis nga veshja dhe dukja e njerëzve. Në përgjithësi në të zeza fanella rock bendeve të ndryshme apo thënie që lidhen me muzikën rock prej së cilës është shartuar muzika për të cilën janë mbledhur aty.