Shtojca për Kulturë

Tridhjetë imazhe bardhezi – nostalgji e thirrje për lexim

“Përmes lentës së leximit – Një përrallë e dy qyteteve”, e hapur të shtunën në mesditë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pas Tiranës ka ardhur në formatin e vet edhe në Prishtinë (Foto: BKK)
“Përmes lentës së leximit – Një përrallë e dy qyteteve”, e hapur të shtunën në mesditë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pas Tiranës ka ardhur në formatin e vet edhe në Prishtinë (Foto: BKK)
 

Të rinj që lexojnë në tren, në rrugë, në shkallët e bibliotekës, në kafene, pranë statujave, në sheshet e Prishtinës e shumë vende të tjera, janë pamje që mund të shihet në ekspozitën “Përmes lentës së leximit – Një përrallë e dy qyteteve”, e hapur të shtunën në mesditë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Janë gjithsej tridhjetë fotografi që u janë bërë të rinjve nga Kosova e Shqipëria. Që të gjitha janë në bardhezi dhe qëllimi i tyre është që të kthejë dëshirën dhe nostalgjinë për lexim.

U ishte dukur se dashuria për leximin kishte nisur të zbehët. Këtë e kishin vërejtur si në rrjetet sociale, ashtu edhe në media e në shoqërinë përreth. Kjo arsyeja që Klea Ismaili dhe Mondi Dauti ishin bërë bashkë në atë që më vonë do të merrte emrin “Përmes lentës së leximit”. Ideja ishte që të bënin diçka interesante dhe kreative që do të ngjallte nostalgjinë për leximin dhe librin në përgjithësi. Pas një bisede kishin vendosur që këtë ta bënin duke hapur një ekspozitë me fotografi. Kështu, kishin ftuar disa nga miqtë dhe të njohurit e tyre dhe kishin nisur të shkrepnin fotografi të të rinjve duke lexuar. Por vendi ku lexonin këta të rinj nuk ishte biblioteka apo ndonjë vend i zakonshëm leximi.