Profesor Valteri nuk besonte në mitet moderne, por besonte pakusht në fuqinë e muzikës si mit, prandaj ai ishte një Apostull i fundit që për mision kishte shpërndarjen e shpirtit dhe zërit të Zotit ndër njerëzit e gjithë botës! Ky ishte Maestro Deshpali! Sa do të kisha dashur të rinjoh edhe një herë ato kohë të perënduara
Maestro Valter Deshpali dukej si një engjëll i rënë nga Parajsa. Fluid, melankolik, mendjendritur e zemërhapur. E pata njohur aksidentalisht gjatë xhirimit të një dokumentari, të cilin e kisha obligim shkollor për Akademinë e Filmit në Zagreb, por shpejt krijuam një miqësi e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në personalitetin tim. Ai ma ka mësuar “notin” në thellësitë e errëta të shpirtit. Atje ku realitetet e njohura fshijnë kufijtë me botën e përtejme. Dhe vërtet ai shpeshherë ngatërronte “kohën” në të cilën jetonte.
Bredhte nëpër kohë me ndjeshmërinë e tij për religjionin e tij personal – muzikën. Bredhte me tingujt astralë që ishin privilegj i dhuntisë së tij hyjnore. Ai ishte zëri i Zotit në tokë. Me kujtohet si sot kur flisnim me orë te tëra për gjashtë suitat e Johann Sebastian Bachut të shkruara për violonçel. Me kujtohen shpjegimet e detajuara për Suitën V për të cilën maestro Deshpali më shpjegonte si krijohet zbritja nga teli më i lartë (A) për sekondën e famshme në mënyrë që ajo të tingëllojë sikur (G). Edhe pse njohuritë e mia muzikore ishin shumë modeste, ai bisedonte me mua si me një koleg të tij nga Juliardi.
E dinte se botëkuptimi im për muzikën ishte i natyrës krejt transcendentale, si një lloj përfytyrimi i dimensioneve të panjohura estetike. Atëherë, por edhe tani, konsideroja se muzika është i vetmi art i pastër dhe me mundësi të pakufishme. Ekstrakt i arteve. Prandaj bisedat tona të gjata bridhnin nëpër historinë e muzikës e letërsisë së përbotshme dhe nëpër refleksionet ku pik-piqej miti, jeta reale me imagjinatën e shfrenuar. Shpesh ia përkujtoja se “dehja muzikore” me tingullin magjik të violonçelit bënte pjesë në muzikën e përcaktuar matematikisht (si tingull apolonik sipas F. Nietzsche) dhe jo në “dehjen dionisike” (gjithnjë sipas Nietzsches), por ai s’donte t’ia ndiente për këtë teori! Ai ishte Apostull i tingullit hyjnor të çelos. Dëshironte të fliste gjatë për analogjinë e krijimit të gjashte suitave të J.S. Bachut me gjashtë ditët e krijimit të botës nga vetë Perëndia.
I ndante me ditë dhe me përmbajtje të qëllimeve hyjnore. Edhe strukturën e Suitës VI e shpjegonte me një lloj lodhjeje nga puna hyjnore, para ditës “përfundimtare” të pushimit. Me kujtohet zonjushë Sanja, studentja e tij dhe mikja ime, me të cilën unë xhiroja dokumentarin. Kur ishim bashkë, ajo vazhdimisht fliste për një vogëlushe, bijë të një aristokrati “zagrepçan”, të cilën ajo e ushtronte si kompensim për një dhomë banimi. Një vajzë pa interes për muzikën e cila sipas zonjushë Sajnës vazhdimisht “sharriste” dhunshëm çellon e saj delikate. Atëbotë profesor Deshpali brofte si nga një zjarrmi dhe emocionohej përtej logjikes së karakterit të tij: ‘”Si mund ta përdoresh atë fjalë, për atë Zot, zonjushë Sanja!” Dhe dokumentari ynë mori formë e përmbajtje, pikërisht kur vogëlushja aristokrate ndaloj të “sharriste” dhe befasisht hapi “Dyert e Parajsës” me ndjeshmëri të jashtëzakonshme. Ndodhi mrekullia! Ajo filloi të luante çello me virtuozitet e ndjeshmëri. Me kujtohen provat e mesnatës në Akademinë e Muzikës në rrugën “Gundulićeva”, kur bisedonim për babanë e Maestro Deshpalit, të cilin nuk pata arritur ta njoh asnjëherë. Bisedonim për lashtësinë e rrënjëve të tij arbëreshe. Për mallin e pashpjegueshëm që ai e bartte diku thellë në shpirt si peshën e kryqit ngado që shkonte.
2.
Më kujtohen netët e ftohta kur ngrohja e qytetit shuhej e ne vazhdonim në orët e vona, derisa Maestro Deshpali përgatitej me shumë pasion për “Ciklin e ligjëratave”, të cilat do t’i mbante në shkollën e vet të dikurshme, në “The Julliard” të New Yorkut. Unë ia bëja kafen dhe ia ruaja kthjelltësinë e mendjes që të mos e merrte gjumi. Nuk e kuptoja rëndësinë e ligjëratave të tij në New York, as nuk e njihja mitin e asaj shkolle asokohe, mitin e saj te përhapur në botë. Profesor Valteri nuk besonte në mitet moderne, por besonte pakusht në fuqinë e muzikës si mit, prandaj ai ishte një Apostull i fundit që për mision kishte shpërndarjen e shpirtit dhe zërit të Zotit ndër njerëzit e gjithë botës! Ky ishte Maestro Deshpali! Sa do të kisha dashur të rinjoh edhe një herë ato kohë të perënduara! Ndoshta do të takohemi sërish diku ndër yje! Kush e di! Lamtumirë maestro, miku i shtrenjtë arbëresh!