Shtojca për Kulturë

Plani franko-gjerman, trashëgimia kulturore dhe modelet evropiane

Detaj nga Kisha e Shën Premtes në Prizren (Foto: Driton Paçarada)
 

Kosova ndjek modelin më evropian që ekziston në Evropë. Por, në kontekstin e sotëm, një pjesë e nenit 7 në marrëveshjen apo planin e ashtuquajtur franko-gjerman, që u pranua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, mund të jetë pika më nevralgjike për funksionimin e ardhshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe vetë së ardhmes paqësore të Kosovës me Serbinë. Andaj, ka nevojë për ta hapur sadopak pamjen. Së pari formulimi “trashëgimi fetare e kulturore serbe” në këtë nen është krejtësisht politike, joetike dhe aspak në linjë me konventat, standardet, ligjet e parimet e klasifikimit, mbrojtjes, ruajtjes e promovimit të trashëgimisë kulturore në BE

Nga ajo që mbahet në mend në sferën politike publike, gjatë shekullit të kaluar, trashëgimia kulturore ka qenë më shumë objekt i ideologjisë së shkatërrimit sesa i paqes dhe harmonisë. Kur qe krijuar UNESCO-ja, më 1945, ideja e “paqes në mendjet e njerëzve” ishte ideja themeltare, sepse synohej pajtim nëpërmjet kulturës e edukimit për diversitetin kulturor. Si pasojë e shkatërrimeve të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, kërkohej një rehabilitim i mendjes e gjendjes shoqërore.

Pak a shumë, edhe BE-ja u krijua po mbi këtë premisë: “in varietete concordia” apo “të bashkuar përmes diversitetit”.