Shtojca për Kulturë

Dy libra, një temë – “Uncle Tom’s Cabin” dhe “Pudd’nhead Wilson”

Harriet Beecher Stowe dhe Mark Twain, dy autorë të mëdhenj shkruajnë për skllavërinë dhe tmerret e saj. Recensim dhe krahasim i librave “Uncle Tom’s Cabin” nga Harriet Beecher Stowe botuar nga “Barnes and Nobles” në New York (2003) dhe “Pudd’nhead Wilson” nga Mark Twain botuar nga “Signet Classics” në New York (1964)

“Uncle Tom’s Cabin” fillimisht është shkruar në formë artikujsh në revista të kohës e, pas suksesit të madh, është bërë libër për herë të parë më 1852. Në të dyja format ka shkaktuar reagim të madh, por sidomos me libër. Libri ka shënuar reagime të tilla në shoqërinë amerikane, saqë thuhet, edhe pse disa e mohojnë vërtetësinë e kësaj, se Lincoln kur e ka takuar për herë të parë autoren, ka thënë “pra kjo qenka gruaja e vogël që ka shkaktuar luftën e madhe” duke iu referuar Luftës Civile Amerikane.

“Uncle Tom” ka shënuar ribotime që nga momenti i parë i publikimit kur është bërë bestseller e deri më sot. Në fillim si përshkrim i gjallë mbi mizoritë e skllavërisë dhe nxitës i debatit për heqjen e saj e sot si një dëshmi e një periudhe të historisë amerikane. Është vështirë të flitet për literaturën amerikane mbi skllavërinë e të mos përmendet ky libër.

Hiç më pak ndikim se libri ka pasur edhe autorja. Duke qenë grua dhe duke shkruar për një temë gati-gati tabu, Stowe ka qenë në cak të shpifjeve, akuzave e fyerjeve për shkak të këtyre bindjeve të saj. Por kjo si duket vetëm se i ka shërbyer më shumë kauzës. Duke qenë grua, e guximshme dhe duke prekur sedrën e amerikanëve, Stowe shtrëngoi thuajse të gjithë amerikanët, ose të jenë kundër ose në anën e saj. E në të dyja rastet kjo vetëm se i shtoi famë autores, e bëri librin romanin e parë amerikan të shitur në më shumë se një milion kopje e i dha një shtytje debatit mbi shuarjen e skllavërisë.

“Uncle Tom” jo vetëm që u bë libër i pakalueshëm i kohës, por u bë frymëzim edhe për shumë libra të tjerë, shfaqje, këngë madje edhe filma. Libri me autoren e vet u hapi rrugë e i trimëroi të tjerët, që janë ndier njësoj, por nuk kanë guxuar të flasin, që të bëjnë një gjë të tillë. Libri filloi edhe të përkthehej në shumë gjuhë e të depërtojë në shumë vende. Kjo nxiti kundër-reagime. Mbrojtësit e skllavërisë filluan të botojnë pamfletet e tyre por ato mbetën e u harruan e Stowe eci tutje. Tutje deri në ditët e tona si një lexim i gjallë i skenave, vendeve e personave që kanë jetuar e të cilat tani na prekin më shumë se kurrë.

Uncle Tom (ose Xha Tomi) është heroi kryesor i tregimit. Ai është një afrikano-amerikan i urtë, i matur, besimtar i patundur dhe integritet të rrallëshoq. Pronari i tij i lë në dorë shumë përgjegjësi financiare të fermës. Por, pas një kohe, i ngushtuar nga borxhet, pronari i tij është i shtrënguar ta shesë xha Tomin te debitori, ashtu që të shpëtojë fermën. Por këtë ai e bën me një dozë qyqarllëku. As nuk i tregon fare për këtë veprim e as nuk qëndron në shtëpi ditën kur tregtari i skllevërve vjen ta marrë. Edhe pse i tradhtuar, sepse pronari i kishte premtuar lirinë, xha Tomi e merr këtë me një stoicizëm të rrallë. Dhe si i krishterë i mirëfilltë e arsyeton pronarin dhe nuk ndjen mllef ndaj tij. Rrugës për te tregu, derisa ishin në anije, kur një vajzë e vogël, e padiktuar nga të tjerët, bie në lumë, xha Tomi e shpëton atë nga vdekja e sigurt. Babai i vajzës i prekur nga ky akt, e blen xha Tomin.

Në shtëpinë e re xha Tomi afrohet shumë me vajzën që e kishte shpëtuar nga mbytja – Evën e vogël. Përveç tjerash, me të i kanë të përbashkëta edhe dhimbjen ndaj të tjerëve. Edhe babai i Evës, Augustini, është njeri zemërmirë. Ai e urren skllavërinë, por është indiferent pasi ndihet i pafuqishëm të bëjë diçka kundër saj. Ai nuk merret shumë më këtë temë. Ndoshta si shumë amerikanë të tjerë, bën aq sa mundet për skllevërit, është gjithmonë sarkastik kur flet për epërsinë e të bardhëve, për vet shoqërinë, por i zhgënjyer nga sistemi, nuk është shumë i angazhuar në ndryshime, ashtu sikurse është kushërira e tij, Ofelia. Prandaj, ashtu i dorëzuar, ai nuk e vret shumë mendjen dhe më shumë rri anash. Ai shpejt kultivon një empati ndaj xha Tomit dhe shpejt i beson atij. Edhe ai, si pronari i mëparshëm, i lë xha Tomit shumë përgjegjësi në dorë.

E Eva e vogël ka një shëndet fragjil e mendje shumë të hapur. Ajo flet me xha Tomin dhe të tjerët mbi tema shumë përtej moshës së saj. Ajo ushqen idenë e një ditë kur të gjithë do të jenë të lirë dhe në harmoni të plotë. Me lejen e babait të saj planifikon edhe lirimin e skllevërve të familjes. Eva, duke përfaqësuar këtu si duket autoren, flet edhe për tema më filozofike, si barazinë mes njerëzve, zhdukjen e shtypjes, ardhjen e një shoqërie më të drejtë, e të tjera.

Por shëndeti dalëngadalë e lë Evën. Me shumë pak kohë të mbetur, në shtratin e vdekjes, Eva i lë amanet babait të saj, Augustinit, lirimin e xha Tomit. Pas vdekjes së Evës, i ati i saj, i cili edhe ashtu për nga natyra ishte bërë i ngrysur dhe pesimist, tani me zemër të thyer pas vdekjes së vajzës, nis proceset e lirimit të xha Tomit. Por një fatkeqësi, kur disa të dehur e therin me thikë, e lë Augustinin e vdekur dhe xha Tomin në mëshirën e gruas së Augustinit, e cila në kontrast me burrin e saj, është tekanjoze, qaramane dhe e pashpirt. Ajo vendos ta shesë xha Tomin në treg.

Edhe njëherë në treg, edhe njëherë në shitje. Por prapë me optimizëm dhe stoik. E, kësaj radhe fati nuk i ecën. Pronari i ri është një egërshan, i pacipë dhe pa familje të veten. I panjohur me cilësitë e mëshirës, ngrohtësisë familjare, shumë shpejt pronari fillon torturat nga të cilat më në fund edhe gjen vdekjen xha Tomi.

Por si jeta ashtu edhe vdekja e xha Tomit janë dëshmi. E para kundër mitit të epërsisë së të bardhëve. Xha Tomi, si me ngjyrë, në të gjitha përballjet e veta tregohet më fisnik se të bardhët, duke filluar nga pronari i parë i cili nga ana e vet bëhet burracak e nuk i tregon që e ka shitur derisa xha Tomi e falë në vetvete dhe nuk ia harron mirësitë e mëparshme. E dyta, ai tregon edhe hipokrizinë e politikanëve dhe klerikëve. Të parët me gojën plot me të drejtat e njeriut dhe barazinë, e të dytët, me gojën plot mëshirë dhe drejtësi hyjnore, derisa sa munden e arsyetojnë dhe promovojnë pronësinë e njeriut nga njeriu. Të parët e arsyetojnë si mjet i domosdoshëm për sistemin politik, të dytët si mjet që të arrihet përdëllimi në botën tjetër.

Pastaj edhe vdekja e Xha Tomit i ndan njerëzit në mospërfillës dhe empatikë, egërshanë dhe të butë, brutalë dhe të ndjeshëm. Në libër ai na shfaqet si një i krishterë. Më shumë se të gjithë ai kishte ushtruar faljen dhe mëshirën ndaj të tjerëve, edhe kur këta të tjerë janë shtypës. Edhe shpresën në Zot në momente më të zymta. Prandaj edhe vetë akti i vdekjes është një deklaratë, se edhe si i shtypur, karakteri i tij është larg mbi klerikët, politikanët ashtu edhe pronarët.

Gjithashtu edhe Eva e vogël, në kontrast me vajzën me ngjyrë Topsy, paraqet dy kontraste të shoqërisë. Vuajtjet e Topsyt dhe shumë vajzave të tjera më ngjyrë që ndahen brutalisht nga prindërit nuk kanë të njëjtën jehonë si vuajtjet dhe ndarja, vdekja e Evës, nga prindërit e saj. Eva vajtohet nga të gjithë, ndërsa vuajtjet e mijëra vajzave me ngjyrë, të moshës së saj, shiten, torturohen, ndahen nga prindërit, e pa vrarë kush mendjen për to.

Ndryshe nga xha Tomi, “Pudd’nhead Wilson” përqendrohet vetëm mbi një familje. Kjo është një satirë mbi sistemin e skllavërisë. Protagonisti i librit është një i sapodiplomuar në drejtësi, David Wilson, i cili vjen në një fshat në kërkim të një pune. Si jurist dhe shumë i dhënë pas zbulimit më të ri, atë të marrjes së shenjave të gishtërinjve, Wilson ngado që shkonte e këdo që takonte u merrte shenjat e gishtërinjve. Me veglat dhe mënyrat, që në sytë e fshatarëve dukeshin sa të reja aq edhe bizare, Wilson shpejt merr nofkën Kokëkrisuri Wilson (Pudd’nhead Wilson).

Në të njëjtin fshat, një skllave por me një nuancë shumë të lehtë ngjyre të lëkurës, duke u frikësuar që djali i saj i porsalindur do të shitet nga pronari, e këmben qysh në djep me të birin e pronarit i cili është në të njëjtën moshë dhe me ngjyrë gati të njëjtë të lëkurës. Kjo nuk vihet re fare dhe kështu rriten të dy. Skllavja e rrit të birin e pronarit sikur të vetin, e djali i saj i vërtetë rritet në familjen e pronarit sikur të ishte aristokrat.

Dhe kështu pinjolli aristokrat i cili rritet në familje skllevërish i ka të njëjtat tipare si skllevërit, është analfabet, nuk ka pritje të mëdha nga jeta, është i mësuar me nënçmim. E surrogati i tij rritet arrogant, vetëpëlqyes dhe me ndjenjë që të tjerët duhet t’i nënshtrohen.

Kjo vazhdon kështu deri sa ndodh një vrasje në fshat. Kërkimet për vrasësin sjellin nevojën për arkivat e Kokëkrisurit Wilson. Hobit të tij të mbledhjes së shenjave të gishtërinjve tani i erdhi koha ta vërë në punë. Duke i krahasuar shenjat e gishtërinjve në kufomë me ato të banorëve në fshat, gjendet vrasësi.

Por bashkë me vrasësin del në dritë edhe një e vërtetë tjetër. Shenjat e të birit të aristokratit në lindje dhe tani që ishte bërë burrë nuk përputheshin. Njëjtë edhe me të birin e skllaves. Jo vetëm kaq, por shenjat përputheshin në mënyrë kryqëzorë. Ato të të birit të skllaves në vegjëli ishin identike me ato të të birit të aristokratit të rritur dhe anasjelltas. Meqë duart nuk ndërrohen dhe secili person i ka shenjat unike është veç një mundësi: disi bebet ishin këmbyer. Skllavja e pranon veprën e vet dhe gjithçka merret vesh.

“Pudd'nhead Wilson”, njëherë si satirë, pastaj si triler e dikur si vepër krimi, e përçon një porosi: ne të gjithë jemi produkt i rrethit. Nuk ka epërsi të lindur i bardhi ndaj të ziut as anasjelltas. Epërsia racore është thjesht një mit. Aristokrat i lindur, por i rritur në rreth skllevërish djali i pronarit rritet si gjithë të tjerët, modest, analfabet i bindur. Skllav i lindur, por i rritur në bollëk, si i përkëdhelur dhe papërgjegjësi mbi vete, djali i skllaves sillet si pronar. Nuk ka rol social që bartet në gjene. Ato na e mëson shoqëria, për të mirë apo për të keq.

Stowe dhe Twain, dy autorë të mëdhenj, e trajtojnë skllavërinë nga kënde të ndryshme. Njëri e trajton ndikimin në shoqëri, tjetri ndikimin e skllavërisë në individ. Njëri e rrënon mitin e epërsisë racore me shembuj ku të bardhët mund të jenë qyqarë e ata me ngjyrë fisnik, tjetri duke treguar se bëhemi ata që jemi nga ndikimi shoqëror e jo nga ngjyra e lëkurës.

Por si njëri ashtu edhe tjetri, me mjetet e tyre, përveç që janë deklaruar kundër skllavërisë, edhe kanë vepruar kundër saj. E kjo në atë kohë ka qenë guxim më vete. Prandaj me të drejtë këtyre shkrimtarëve sot ua heqim kapelën.