Shtojca për Kulturë

Kur Aleksandër Moisiu mbajti fjalim përkujtimor në parlamentin gjerman

Aleksandër Moisiu më 13 nëntor 1919 në parlamentin gjerman, në Reichstag të Berlinit, duke mbajtur fjalim përkujtimor për t’i dhënë lamtumirën politikanit socialdemokrat, Hugo Haase (Foto: Ullstein)
Aleksandër Moisiu më 13 nëntor 1919 në parlamentin gjerman, në Reichstag të Berlinit, duke mbajtur fjalim përkujtimor për t’i dhënë lamtumirën politikanit socialdemokrat, Hugo Haase (Foto: Ullstein)
 
Ky tekst është Premium por sot mund ta lexoni pa pagesë!

Më 13 nëntor 1919 aktori Aleksandër Moisiu foli para 1200 personaliteteve gjermane të cilat ishin tubuar në sallën e parlamentit në Berlin për të kujtuar politikanin socialdemokrat Hugo Haase, të vrarë nga një person me të meta mendore. Atëbotë Aleksandër Moisiu ishte – socialist. Për këtë arsye, autoritetet çekosllovake ia kishin ndalur hyrjen, por presidenti ia kishte lejuar. Më 1 maj 1919 Moisiu mbajti madje fjalim para punëtorëve të Zürichut

Shoqëritë e organizuara i ruajnë kujtimet për të kaluarën në mënyrë të organizuar. Kanë arkiva, biblioteka, institute që punojnë në mënyrë sistematike. Në arkivin e landit të Baden-Württembergut në Gjermaninë jugore gjendet një kartë, një letër që shpjegon një histori interesante nga biografia e bujshme e aktorit shqiptar Aleksandër Moisiu. Letra është arkivuar me këtë shënim: “Einlasskarte für die Trauerfeier für Hugo Haase, 13.11.1919”, domethënë: fletëhyrje për ceremoninë e përmortshme për Hugo Hasse. Karta i përkiste një politikani socialdemokrat gjerman.

Më 13 nëntor 1919 në parlamentin gjerman, në Reichstag të Berlinit, u tubuan 1200 personalitete politike e shoqërore gjermane për t’i dhënë lamtumirën politikanit socialdemokrat, Hugo Haase, i cili pak ditë më parë ishte plagosur nga një person me të meta mendore dhe si pasojë e lëndimeve kishte vdekur. Fletëhyrja për ceremoninë e përmortshme përmban këto shënime: ceremonia do të mbahet në sallën e madhe të Reichstagut, do të fillojë me një kuartet harqesh dhe me një kor burrash, pastaj “Fjalë për prijësin e vdekur, të thëna nga Aleksandër Moisiu”. Ceremonia kishte vazhduar me fjalime të tjera, me një marsh funebër në kujtim të viktimave të revolucionit dhe, në orën 12:00, me varrimin e të vdekurit në varrezat Friedrichsfelde.