Shtojca për Kulturë

Zëri që i tregoi botës për shpëtimin e hebrenjve në Kosovë

Xhangyle Ilijazi (21 dhjetor 1953 – 18 nëntor 2021) do të haste në rrëfime familjare shumë të veçanta, të cilat do të dëshmonin edhe një fakt tjetër të patjetërsueshëm, se ishin pikërisht shqiptarët e Kosovës ata të cilët e mundësuan kalimin e sigurt të hebrenjve, së pari nga viset e Evropës dhe më afër të vendeve të Ballkanit, nga ku përndiqeshin, për në Shqipëri
 

Rrëfimet për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve kishin hasur në vëmendjen e një znj. Xhangyle Ilijazi, qysh në fillim të viteve ‘70. Ajo kishte filluar interesimin pas qëndrimit njëvjeçar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ku kishte hasur në një libër ku thuhej se hebrenjtë ishin persekutuar në Kosovë. Ajo, e bindur se e vërteta është më ndryshe, me t’u kthyer në Kosovë, dhe me ndihmën e vëllait të saj, Tanerit, kishin filluar të gjurmojnë për familjet shpëtimtare të hebrenjve në Kosovë. Dhe nuk u ndal gjatë gjithë jetës. E, sot vepra e saj është udhërrëfyese

27 Janari është Dita Përkujtimore e Holokaustit, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, për ta nderuar kujtimin e viktimave të krimeve më të tmerrshme të shekullit XX. Ndërsa, në mbarë botën, përkujtohen viktimat e nazizmit, me moton kryesore “We Remember” (Ne përkujtojmë), e po ashtu edhe “Never Again” (Kurrë më).

Për kombin shqiptar, përveç solidaritetit me mbarë botën, kjo datë merr edhe kuptimin e një momenti historik i cili na bën krenarë. Kjo, për faktin që tashmë ka filluar të njihet edhe botërisht se hebrenjtë në Shqipëri, jo vetëm që nuk ishin persekutuar, por atyre madje u ishte siguruar strehimi i sigurt, e me këtë edhe shpëtimi e mbijetesa.