Shtojca për Kulturë

Rikthimi i forcave serbe në Reçak për fshehje krimi e manipulim provash

Këshilli i Sigurimit, në takimin e 19 janarit 1999, mori në konsideratë shqetësimet e ngritura në raportin e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë për largimin e mijëra civilëve shqiptarë nga fshati Reçak menjëherë pas masakrës, duke tërhequr vërejtjen se mund të ndodhë sërish një krizë humanitare (Foto: Alban Bujari)

Këshilli i Evropës: Autoritetet serbe janë përgjegjëse për vrasjen masive të civilëve shqiptarë të Kosovës në Reçak

 

Në deklaratën për shtyp, të datës 19 janar 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke iu referuar raportimit zyrtar të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, dënonte ashpër masakrën ndaj shqiptarëve në fshatin Reçak të Kosovës jugore, për të cilën i bënte përgjegjëse autoritetet serbe dhe ato jugosllave. Këshilli i Sigurimit vuri në dukje se viktimat ishin civilë, duke përfshirë gra dhe të paktën një fëmijë. Në një deklaratë të lexuar nga Presidenti i saj, Celso L. N. Amorim (Brazil), Këshilli vuri në dukje se kundër këshillave të qarta nga Misioni Verifikues në Kosovë, forcat serbe ishin kthyer në Reçak më 17 janar 1999 dhe se luftimet kishin shpërthyer. Në të vërtetë, ky rikthim i forcave serbe, siç do të kuptohet më vonë, ndodhi me urdhër të institucioneve më të larta serbe në Beograd, me qëllim që të rrëmbeheshin kufomat dhe të manipuloheshin provat

Këshilli i Evropës: Autoritetet serbe janë përgjegjëse për vrasjen masive të civilëve shqiptarë të Kosovës në Reçak

Në deklaratën për shtyp të Byrosë së Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Evropës Këshillit të Evropës, i datës 18 janar, thuhej qartë: “Autoritetet serbe janë përgjegjëse për vrasjen masive të civilëve shqiptarë të Kosovës në Reçak, e cila përbën krim kundër njerëzimit”. Sipas raporteve të Misionit Verifikues të Kosovës, nuk kishte dyshim se viktimat, duke përfshirë gra dhe fëmijë, ishin ekzekutuar nga afërsia nga forcat serbe të sigurisë. Byroja rikujtonte qëndrimin e Asamblesë se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka një juridiksion në Kosovë, si dhe bëri thirrje për dërgimin e menjëhershëm të hetuesve të Tribunalit në vendin e masakrës, në mënyrë që të sigurohet se autorët dhe nxitësit e këtij krimi të tmerrshëm të sillen para drejtësisë. Përveç kësaj, Byroja nënvizoi se reagimi i qeverisë serbe ndaj vrasjeve në Reçak, duke fajësuar viktimat dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ishte i egër dhe krejtësisht i papranueshëm. Byroja, gjithashtu, vendosi t’i propozonte Asamblesë që situata e përkeqësuar në Kosovë të debatohej me procedurë urgjente në një seancë të ardhshme, që do të mbahej nga 25 deri më 29 janar 1999 në Strasburg.