Shtojca për Kulturë

Ora 6:30

Ukshin Hoti dhe Edi Shukriu
Ukshin Hoti dhe Edi Shukriu
 

Ëndrra e parë në mëngjesin e hershëm dhe e përsëritur shpesh, megjithatë e ktheu prapa në kohë. Për të lexuar diç më serioze, nuk ishte në gjendje. As nga vetja nuk mund të ikte. Askund, as edhe në një cep të rruzullit tokësor. Veten e kishte gjithnjë me vete. Veten e kishte me vete edhe gjatë udhëtimeve të rrezikshme jashtë Kosovës, që i bënte për të treguar për ngjarjet në Kosovë dhe për gjenocidin që u kanosej shqiptarëve. Sërish vështroi përreth. Syri ia zuri ditarin. Si me inerci e mori dhe e hapi. Zuri faqen e dhjetorit të vitit 1981

Shikoi orën. Ishte 6:30. Nuk ishte kohë zgjimi, por më as e gjumit. As e ikjes nga e kaluara dhe as nga e përditshmja. Vetes ia miratoi vetëm një gjë, atë se mendimet duhej dëbuar, patjetër! Mendimet nisi t'i dëbonte që nga koha e demonstratave të studentëve shqiptarë të vitit 1981. Atëherë jeta e saj ndryshoi rrënjësisht. Pos gëzimit të lindjes së fëmijës së aqpritur, jeta e mori tatëpjetën. Megjithëkëtë, proceset në shoqëri dukeshin për të mbarë.

Mendimet duhen dëbuar!- ishte urdhri që ia bënte vetes çdo ditë. Në veçanti mendimet që vrujonin pa kurrfarë leje para gjumit të natës dhe ato të mëngjesit të hershëm. Kishte vërejtur se me kalimin e kohës ato bëheshin më intensive dhe ishte gjithnjë e më vështirë t'u ikte. Andaj, e kishte menduar zgjidhjen, ngritjen e menjëhershme.