Shtojca për Kulturë

Katër dekada kujdes institucional për shqipen standarde

Botimeve të bibliografive të botuara nga Instituti Albanologjik, të autorëve dhe punonjësve shumëvjeçarë të Instituti Albanologjik, sikurse janë Emine Fetahu-Abdixhiku[1] dhe Daut Bislimi, po u shtohet edhe një bibliografi me interes e studiuesit Abdurrahim Maxhuni “Bibliografia e revistës “‘Gjuha shqipe’ 1982 - 2022”
 

Abdurrahim Maxhuni, Bibliografia e revistës “Gjuha shqipe” 1982-2022, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2022, f. 556

Drejtuesit e Institutit Albanologjik, që më 1953, kanë shfaqur gatishmëri për themelimin e revistave shkencore, që do të dilnin në kuadër të këtij institucioni. Mirëpo, fatkeqësisht ky institucion mbyllet me urdhër të organeve të atëhershme të Kosovës më 1955. Me krijimin e rrethanave më të favorshme politike në ish-Jugosllavi, pas Plenumit të njohur të Brioneve të vitit 1966, Instituti Albanologjik rihapet më 1967. Rrjedhimisht, pas rihapjes së këtij institucioni, drejtuesit fillojnë me organizimin e veprimtarive shkencore dhe me botimin e revistave.

Revista “Gjurmime albanologjike”, e cila dilte nga viti 1962 në kuadër të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, nga vitit 1968 del si organ i Institutit Albanologjik, kurse pas vitit 1971, revista profilizohet në tri seri, seria e shkencave historike, folklor-etnologji dhe filologji. Instituti Albanologjik, si institucion i cili merret me kulturën materiale e shpirtërore të shqiptarëve, posaçërisht punonjësit profesionalë u angazhuan për konkretizimin e njësimit të gjuhës shqipe. Por, këto debate formën e morën më 1968 me Konsultën e Gjuhës Shqipe në Prishtinë, të organizuar nga Instituti Albanologjik dhe kulmuan më 1972 me Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë. Drejtuesit dhe punonjësit e Instituti Albanologjik, disa prej të cilëve ishin pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhë Shqipe më 1972, e panë të arsyeshme që vështirësitë të cilat po i hasnin shqiptarët në zotërimin e gjuhës letrare, sidomos ata që jetonin dhe vepronin në ish-Jugosllavi, t’u ndihmonin me nxjerrjen e një reviste kredibile, ku do të shkruanin emra të njohur të albanologjisë, mësues me përvojë të gjuhës shqipe etj. për probleme të gjuhës letrare. Rrjedhimisht, kur Kongresi i Drejtshkrimit po e mbushte dekadën e parë, më 1982, drejtuesit e Instituti Albanologjik themeluan revistën “Gjuha shqipe”, e cila feston 40-vjetorin e themelimit.