Shtojca për Kulturë

Një libër si mozaik i shekullit njëzet

Vërtet është shumë vështirë të veçosh rrëfimet nga ky libër, përkatësisht gurët që bëjnë këtë mozaik, sepse secili nga ta ka një rëndësi të veten

Në ndërtimin e këtij mozaiku, Enver Robelli ndjek një si lloj kronike nga fillimi i shekullit njëzet deri në kapërcimin e tij, duke u futur kështu edhe në shekullin që po jetojmë. Sigurisht që nga këto rrëfime pjesën më të madhe e zënë personazhet objektive që njihen si laureatë të çmimit “Nobel”, angazhimi i disa prej të cilëve në fushën shoqërore-politike dhe atë kulturore ka qenë me ndikim të madh

Libri “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” është libri i katërt i Enver Robellit, njërit nga publicistët më të mirë që kemi dhe një vëzhgues i pasionuar i zhvillimeve letrare. Mbase Robelli ka përkthyer edhe një numër të konsiderueshëm të poezive nga gjuha gjermane, ndonjë nga të cilat do ta gjeni edhe në këtë libër. Enver Robelli është redaktor i politikës së jashtme dhe korrespondent i gazetës zvicerane “Tages Anzeiger”.

Rrëfimet e përmbledhura në këtë libër janë rezultat i një pune të gjatë të shfletimit të gazetave dhe librave, gjë të cilën e dëshmojnë shënimet bibliografike në fund të librit. Shihet ashiqare se ideja e autorit ka qenë që nëpërmjet këtyre rrëfimeve të ndërtojë një mozaik për shekullin e njëzet, i cili sa është karakterizuar me konflikte të mëdha (me dy luftëra botërore) po aq është karakterizuar me zhvillimet shkencore-teknologjike. Mbase, siç ka vërejtur edhe vetë autori në parathënie, vrasjet u industrializuan në këtë shekull.

Në ndërtimin e këtij mozaiku autori ndjek një si lloj kronike nga fillimi i shekullit njëzet deri në kapërcimin e tij, duke u futur kështu edhe në shekullin që po jetojmë. Sigurisht që nga këto rrëfime pjesën më të madhe e zënë personazhet objektive që njihen si laureatë të çmimit “Nobel”, angazhimi i disa prej të cilëve në fushën shoqërore-politike dhe atë kulturore ka qenë me ndikim të madh. Veç rrëfimeve që në kontekst flasin më së miri për zhvillimet në këtë shekull, ka edhe rrëfime të cilat mund t’i kualifikojmë si kuriozitete e që librit i japin një bukuri të veçantë. Sigurisht që dramat individuale të personazheve të këtyre rrëfimeve nuk janë vendosur këtu për hir të ndonjë elementi melodramatik, por për hir të komunikimit kontekstual me zhvillimet e këtij shekulli. Dramat e vogla këtu përbëjnë dramën e madhe të shekullit njëzet, mbase përbëjnë shpirtin e këtij shekulli. Autori i librit ka shfrytëzuar rastin që nëpërmjet këtyre rrëfimeve të personaliteteve me ndikim, të gjejë edhe lidhjet me gjeografinë, përkatësisht botën shqiptare, gjë e cila ia shton vlerën edhe më shumë këtij libri, i cili si i tillë lexohet me një frymë.

Rrëfimet në këtë libër nisin me njërin nga autoritetet më të rëndësishme të shekullit njëzet, me Sigmund Freudin, përkatësisht me librin e tij “Interpretimi i ëndrrave”, ndërsa përmbyllen në mënyrë figurative me hapjen e dy ekspozitave në Vjenë për nder të këtij autori. Vërtet është shumë vështirë të veçosh rrëfimet nga ky libër, përkatësisht gurët që bëjnë këtë mozaik, sepse secili nga ta ka një rëndësi të veten. Sigurisht që nga fillimi i librit në formë kurioziteti mund t’i lexojmë rrëfimet për pretenduesit e fronit pas pavarësisë së Shqipërisë më 1912, por njëkohësisht nga kjo të kuptojmë gjendjen tragjikomike të Shqipërisë së asaj kohe, të cilën më së miri e rrëfen Eqrem Bej Vlora në kujtimet e tij. Rrëfimi i Elias Canettit për invalidët gjermanë e francezë të luftës që përshëndeten me paterica, në shenjë paqeje, vërtet është një rrëfim i jashtëzakonshëm, sikundër që është rrëfimi për Leninin, i cili në Rusi kalon nëpërmjet Gjermanisë në dy vagonë trenash që shpallen si zonë eksterritoriale, dhe pak më vonë fillon revolucionin e tetorit të vitit 1917, i cili ia ndërroi fytyrën botës.

Interesant janë rrëfimet edhe për zonjën Sylvia Beach, pronare e librarisë së njohur “Shakespeare Company”, librari që u shndërrua në sallon debatesh dhe në vendtakim të shkrimtarëve më të njohur, veçmas të atyre amerikanë nga i ashtuquajturi “brez i humbur”, të cilët kishin mbijetuar Luftën e Parë Botërore dhe ishin vendosur në Paris, në qendrën më të madhe të kulturës botërore. Në frymë të njëjtë me rrëfimet e këtij libri, por në formë më të zgjeruar dhe në formë më të kufizuar i gjejmë edhe te libri i Luan Ramës, “Bohemë anglosaksonë në Paris”.

Interesant është edhe rrëfimi për dashurinë e Stalinit, i cili Nadezhda Allilujevan, kur kjo ishte trevjeçare, e kishte shpëtuar nga mbytja në Detin e Zi, ndërsa kur kjo u bë 16-vjeçare, u dashurua në shpëtimtarin e tij dhe u bë gruaja e tij, e cila më vonë nuk mundi ta përballonte egërsinë e këtij kasapi dhe bëri vetëvrasje. Rrëfimi për Radion BBC dhe angazhimin e shqiptarëve në të, si dhe mbyllja e programit në gjuhën shqipe, shkaku që diktatori Hoxha e shpalli Shqipërinë shtet ateist, përbën gjithashtu një rrëfim me vlerë dhe me interes për ne. Nga këto rrëfime mund të shihni se George Orwell romanin “Ferma e kafshëve” e botoi 21 vjet pasi polaku Vladislav Reymont shkroi veprën “Revolta”, e cila trajton të njëjtën temë. Interesant është edhe rrëfimi për kriminelin serb Punisha Raçiq, i cili zgjidhet deputet nga zona e Tetovës me votat e shqiptarëve myslimanë, si kandidat i partisë Xhemjeti.

Dashuria e Hajdegerit dhe falja e filozofes hebraike Hannah Arendt janë një rrëfim i jashtëzakonshëm në kontekst të kohës kur kanë ndodhur. Interesant është edhe shpulla që Remarque i jep Marlene Dietrich në Hollywood, si dhe rrëfimi për shkrimtarin e madh turk Nazim Hikmet, stërgjyshi i të cilit, nga ana e nënës, ishte gjermani Karl Detroid, i njohur me emrin Maxhar Pasha, i vrarë në Gjakovë nga kryengritësit e Sulejman Vokshit më 1878. I jashtëzakonshëm është rrëfimi për nobelistin rus Boris Pasternak dhe vjedhja dhe botimi i dorëshkrimit nga ana e CIA-s, njësoj siç është interesant edhe falja e Bajramit nga qytetarët turq në Katedralen e Kölnit, të cilët pastaj në shenjë falënderimi për këtë ndihmuan në meremetimin e katedrales. Vlen të veçohet edhe rasti i të vetmit nobelist nga bota arabe, Nagip Mahfuz, të cilin, në vitin 1994, një fanatik e kishte qëlluar me thikë. Aty kishte qëlluar një veterinar, i cili ia kishte trajtuar plagët me dorë dhe e kishte shpëtuar. Ky rrëfim, në trajtë analoge, të kujton rrëfimin e Zuvdi Hoxhiq-Berishës për poetin tonë Esat Mekuli, që si veterinar e kishte trajtuar një luftëtar të plagosur gjatë LNÇ-së dhe e kishte shpëtuar. Koncerti me lugë mbi një kokë presidenciale është rrëfimi për presidentin rus Boris Jelcin.

“Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” ka një gjuhë të rrjedhshme që të bën të besosh se këto tekste nuk janë përkthime, po rrëfime të vetë autorit për ngjarjet dhe personat që lanë gjurmë të dukshme në historinë e shekullit njëzet. Aty-këtu lexuesi mund të ndeshë edhe ndonjë rrëfim në formë të përsëritur, por kjo nuk e dëmton cilësinë e librit. Meqë ky lloj i shkrimit mungon në letrat tona, me të drejtë mund të themi se ky libër do të duhej të ngjallte kureshtjen e lexuesve për ta njohur më mirë shekullin e kaluar, fytyra dhe shpirti i të cilit përmblidhet në rrëfimet e këtij libri, i cili vërtet lexohet me një frymë, pra edhe për një ditë të gjatë.