Shtojca për Kulturë

Xhafer Deva më ndryshe në një botim të ri

Vlera e këtij libri buron edhe nga vetë autori, përkatësisht shkrimtari dhe historiani Idriz Lamaj, i cili u dëshmua më parë me disa botime origjinale, qoftë në anglisht ose në shqip

Duke qenë në lidhje të ngushtë më Xhafer Devën prejse ai arriti në SHBA më 1967 e deri në vdekje më 1978, e duke gëzuar qasjen në tërë korrespodencën e pasur në 7 gjuhë (shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht e serbisht), mund të mendohet ç’risi na solli Idriz Lamaj në librin e tij “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”

 

Duke qenë në lidhje të ngushtë më Xhafer Devën prejse ai arriti në SHBA më 1967 e deri në vdekje më 1978, e duke gëzuar qasjen në tërë korrespodencën e pasur në 7 gjuhë (shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht e serbisht), mund të mendohet ç’risi na solli Idriz Lamaj në librin e tij “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”

Xhafer Deva (1904-1978) është një prej figurave kombëtare të shekullit XX, i cili dallohet me tri imazhe të ndryshme të tri gjeneratave të shekullit XX dhe XXI. Te gjenerata e parë ai mbahet në mend si bartës i ideologjisë kombëtare, përkatësisht për bashkimin kombëtar që u paraqit me Ligën e Dytë të Prizrenit dhe me Shqipërinë etnike më 1943, ku zuri postin e ministrit të Brendshëm deri kur forcat komuniste shqiptare e jugosllave e morën pushtetin në vjeshtën e vitit 1944 dhe riprodhuan një Jugosllavi të re. Te gjenerata e dytë, si në Shqipëri, ashtu në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, e në sajë të qasjes tejet ideologjike të historisë, Xhafer Deva u paraqit si “kriminel” qoftë në shtyp ose në tekstet shkollore dhe në “studimet shkencore” nga një “regjim kriminal” që tani po dihet në bazë të dosjeve sekrete të zbuluara se ç’krime bëri kundër figurave kombëtare dhe intelektualëve të kohës deri më 1990. Mirëpo, pas transformimeve politike e demokratike në Shqipëri e në Kosovë, figura e Xhafer Devës filloi të trajtohej më ndryshe te gjenerata e re e historianëve në bazë të burimeve të reja që u zbuluan dhe u botuan.

Duke marrë parasysh faktin se Xhafer Deva kaloi pjesën më të madhe të jetës politike në mërgim, në Itali, Siri dhe në SHBA, ku zhvilloi një aktivitet të madh politik dhe organizativ për bashkimin e opozitës antikomuniste në mërgim, nga kontributi i tij për formimin e komitetit "Shqipëria e lirë" si qeveri në mërgim më 1949 e deri në formimin e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim më 1962 që e drejtoi deri në vdekje më 1978, arkivi i tij i pasur personal ishte burimi i dorës së parë për aktivistin dhe historianin Idriz Lamaj, i cili e botoi në New York më 2002 librin “Xhafer Deva në dritën e letrave dhe zbulesa tjera të mërgatës”. Përkundër vlerës që e kishte libri, ky botim – sikurse shumë botime në mërgim – nuk u prezantua dhe nuk u shfrytëzua sa duhet në prodhimin e ri shkencor në Kosovë pas çlirimit më 1999. Mu për këtë botuesi kosovar “Dija” bëri mirë që e nxori këto ditë një botim të ri të këtij libri, me disa shtesa të reja, gjë që do të ndihmojë që të kemi një imazh tjetër për Xhafer Devën me rastin e shënimit të 45 -vjetorit të vdekjes.