Shtojca për Kulturë

Zhiti: Në mua jeton Shqipëria ideale, nuk ka identitet kosovar

Visar Zhiti
Visar Zhiti: “Në Kosovë vij me shumë dëshirë, me shumë mall. Madje në një nga poezitë e mia të para, gati është bërë emblematike dhe miqtë e mi më flasin për një varg timin: ‘Malli m’ka marrë pa qenë kurrë’. Duket pak paradoksale, por kjo është e vërtetë”
 

Shkrimtari i njohur shqiptar, Visar Zhiti – ish-i burgosur nga regjimi komunist, njëri prej zërave më të veçantë të asaj që quhet letërsi e burgut, më pas në demokraci, diplomat e ministër – në intervistën për KOHË-n flet për veprën e tij, alarmin e “Funeralit të pafundmë”, për zhvendosjen në SHBA, letërsinë, gjuhën dhe goditjet ndaj saj. Flet edhe për atë se edhe në demokraci s’u kursye prej goditjeve, kërkohej dosja e tij në kohën e regjimit që pas burgut e detyroi edhe të punonte në fabrikë tullash. Te Kosova gjen shenja pozitive, por sipas tij, nuk ka identitetit kosovar. “Tek unë jeton Shqipëria ideale. Ajo Shqipëri që e ëndërruan rilindësit tanë. Këtu në Kosovë e në Shqipëri. Në njëfarë mënyre, Shqipëria mua ma dha burgun dhe varrin”, thotë ai

Vetë jeta e tij është si një roman, ligjërimi si një poezi. Visar Zhitin, shkrimtarin e njohur shqiptar, fundnëntori e gjeti në Prishtinë. Nga presidentja e Kosovës u nderua me medaljen “Nënë Tereza” dhe kjo ka peshë për të, sepse në Kosovë vjen me shumë dëshirë e me mall. I bujshëm qe largimi i tij nga Shqipëria, të cilin Zhiti e quan shpërngulje dhe ka shpjegime për këtë. Ish-i burgosuri nga regjimi komunist, njëri prej zërave më të veçantë të asaj që quhet letërsi e burgut, më pas në demokraci, diplomat e ministër, në intervistën për KOHË-n flet për veprën e tij. Ndalet te “Funerali i pafundmë”, botuar në Kosovë nga Botimet KOHA, të cilin e quan edhe alarm për dalje prej një gjendjeje të tillë. Zhiti nuk është i zhgënjyer me Shqipërinë, gjen medoemos optimizmin.

“Ka një Shqipëri që pavarësisht si janë qeveritë dhe në vijim po them një gjysmë vargu të Lasgush Poradecit, ka një Shqipëri që nuk e zhbën asgjë, nuk e tund asgjë, Shqipëria e ëndrrave, Shqipëria e moralit, Shqipëria e njerëzve të paemër, të thjeshtë dhe në këtë kuptim unë i besoj kësaj Shqipërie dhe i jam përkushtuar kësaj Shqipërie”, thotë ai. Për Kosovën, shkrimtari i cili të premten shënoi 70-vjetorin, sheh shenja pozitive, mohon se nuk ka lexues, e njësoj mohon edhe identitetin kosovar.