Shtojca për Kulturë

Njohja e vonshme me Evropën – kthesë e madhe për poezinë arabe

Ishte logjike të pritej që kjo poezi të ndryshohej rrënjësisht kur arabët ranë në kontakt me Evropën (me kontaktet e para të libanezëve me Evropën në gjysmën e dytë të shekullit XVIII me anë të shkollave të misionarëve dhe me ekspeditën e Napolonit në Egjipt). Mirëpo gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XIX transformimi shpirtëror dhe intelektual i botës arabe ishte shumë i ngadalshëm, sepse ishte ajo epoka e adaptim dhe e pranimit të turpshëm të të kuptuarit evropian

Poezia arabe paraqet një rast të rrallë në botë me një traditë të gjatë të zhvillimit që ka gati 1500 vjet. Kështu, prej rreth vitit 500 të erës sonë, prej kur daton poezia arabe, e deri më sot, kjo poezi në krahasim me poezitë e tjera e ka ruajtur kontinuitetin, duke kaluar faza të ndryshme të lulëzimit, stagnimit e dekadencës dhe duke ndryshuar formën dhe përmbajtjen, por gjithnjë nën hijen e poezisë paraislame, e cila u konsiderua një shembull i paarritshëm. Megjithëse në këtë poezi ka pasur ngritje e rënie, risi në formë dhe ndryshime në përmbajtje, ajo nuk përjetoi aq ndryshime që mund të quhen revolucion në poezi deri në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo prej Luftës së Dytë Botërore në poezinë arabe, e cila lulëzon e jehon në një hapësirë të madhe prej Magrebit deri në Gjirin Persik, ku gati në çdo vend kishte zhvillime të ndryshme shoqëro-ekonomike dhe nivele të ndryshme kulturore të lexuesve dhe poetëve, tani po paraqiten aq ndryshime që vështirë të përcillen e lëre më të regjistrohen.

Megjithatë, mund të vërehen dukuri të reja në poezinë bashkëkohore arabe, së paku në atë që po zhvillohet në vendet e zhvilluara arabe, ku mund të dallohen disa ndryshime kualitative që nuk përfshijnë vetëm formën e përmbajtjen, por edhe vetë kuptimin e poezisë dhe rolin e saj në shoqëri dhe në jetë në përgjithësi. Mirëpo për t’i kuptuar më mirë këto ndryshime duhet të kthehemi pak në të kaluarën për të kuptuar në ç’gjendje ishte poezia arabe para se të përfshihej nga ndikimi evropian.

Pas rënies së Kalifatit Abbasid, përkundër asaj se ka vazhduar një jetë shpirtërore e intelektuale në disa provinca në skaje të Perandorisë ku dikur lulëzonin shkenca e letërsia, ishte e pashmangshme paraqitja e shenjave të regresionit. Edhe pse deri në pushtimin osman të Egjiptit më 1517 paraqitshin aty-këtu disa shkëndija në fushën e shkencës dhe të kulturës, prej asaj kohe e më tej, deri në fund të shekullit XVIII, kur arabët ranë në kontakt me Evropën, kemi një stagnim total, saqë dukej sikurse bota arabe u zhduk prej hartës gjeografike. Natyrisht kjo dekadencë e përfshiu edhe poezinë, por me ndryshim se ajo disi ka vazhduar të jetojë. Poezia nuk kishte më qëllim të caktuar, kurse përmbajtja nuk ishte në qendër të vëmendjes. Kështu, ajo i ishte larg realitetit, kurse stili ishte i komplikuar dhe ishte shumë i nënshtruar ndaj prangave të metrikës.

Poetët nuk kishin ideale të larta që t’i inspirojnë e t’i shprehin ato, por ishin të preokupuar si të mësojnë metrikën e formën e si t’i bëjnë vargjet. Në këtë poezi nuk kishte as shpirt, as ndjenja të vërteta, por vetëm imitime dhe stimulime të shembujve të këqij e jo ato klasike të periudhave abbaside, ummajade ose paraislamike, sepse poetët nuk e njohën as këtë poezi klasike. Kështu, në atë poezi kishte vetëm stoli gjuhësore dhe fraza bombastike të cilat ngushtojnë domethënien dhe mbysin ndjenjat. E gjithë poezia u shndërrua në rutinë, në lojë me fjalë, në formimin e vargjeve me pika ose pa pika, me poezi që lexohen nga fundi në fillim. Kjo ishte shija e asaj kohe, shija e poetit dhe e lexuesit. Vjersha vlerësohej sa është e vështirë në aspektin e retorikës dhe të estetikës, e sa ka lojë me fjalë, pra kjo ishte masa për vlerësimin e poezisë dhe të poetit. Ata që ishin në gjendje ta lexonin këtë poezi nuk kërkonin prej poetit ta shprehte ndonjë përjetim të vetin dhe t’u ofronte kënaqësi estetike, por vetëm ta dëshmonte mjeshtërinë e tij. Mu për këtë, asnjë poet nuk dallohet prej tjetrit as me ndenja, as me mendime dhe as me karakteristika personale, por të gjithë i ngjanin njëri-tjetrit. Prandaj poezia e periudhës osmane gati nuk ka ndonjë vlerë, por vetëm prezanton një etapë të poezisë arabe.

Ishte logjike të pritej që kjo poezi të ndryshohej rrënjësisht kur arabët ranë në kontakt me Evropën (me kontaktet e para të libanezëve me Evropën në gjysmën e dytë të shekullit XVIII me anë të shkollave të misionarëve dhe me ekspeditën e Napolonit në Egjipt). Mirëpo gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XIX transformimi shpirtëror dhe intelektual i botës arabe ishte shumë i ngadalshëm, sepse ishte ajo epoka e adaptim dhe e pranimit të turpshëm të të kuptuarit evropian. Kjo ishte arsyeja pse poezia mbeti shumë gjatë e përmbajtur në mënyrë të ngurtë ndaj rregullave të metrikës, duke mos kaluar kornizën e poezisë së periudhës osmane.

Mirëpo në gjysmën e dytë të shekullit XIX u paraqiten ndryshime të caktuara, sidomos në Egjipt, i cili për shkak të pozitës së rëndësishme u bë bartës i zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror, sepse vendet e tjera arabe mbetën nën sundimin osman ose të fuqive koloniale. Arsyet për këto ndryshime janë të shumta. Zgjerimi i lirive personale dhe politike, dërgimi i shumë misioneve në botën e jashtme, zbulimet arkeologjike që treguan të kaluarën madhështore historike, zhvillimi i shtypit, hapja e Kanalit të Suezit, themelimi i shkollave të ndryshme sipas modelit evropian, e të gjitha këto çuan në ndryshime rrënjësore materiale dhe shpirtërore. Me rëndësi të veçantë ishte zbulimi i poezisë klasike, sepse ajo u ofroi poetëve shembuj të tjerë që janë krejt ndryshe prej atyre të cilëve u janë përmbajtur deri atëherë.

Natyrisht, të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në krijimin e kuptimeve të reja dhe në reformimin e të gjitha vlerave shoqërore, kështu që gjysma e dytë e shekullit XIX konsiderohet si periudhë reforme dhe luftë për reforma. Edhe vetë poetët është dashur të inkuadroheshin në këtë lëvizje, që të luftonin për liri nacionale dhe personale. Përfaqësues më i mirë i kësaj lëvizjeje është Al-Barudi, i cili mbajti traditën e poetëve të periudhës abbaside, por njëkohësisht ruajti një individualitet të caktuar. Kështu ai e lavdëroi Revoltën e Urabit (1882) dhe mbështeti aspiratat e popullit egjiptian, ose më mirë të themi ato të klasës borgjeze që i përkiste, e cila ishte bartëse e luftës për çlirimin nacional. Pas Al-Barudit e më tej, lufta për pavarësi nacionale prej njërës anë dhe lufta për liri personale prej anës tjetër, do të ishin dy motive për poezinë arabe. Pas atij erdhi grupi i poetëve në krye me Ahmed Shaukin dhe Hafiz Ibrahimin, me të cilët më së miri ndihet diskrecioni midis kuptimit perëndimor dhe atij tradicional në kuptimin e poezisë. Ata futen risi të caktuara në përmbajtje, por vazhduan të ruajnë rregullat dhe normat tradicionale të metrikës. Me një fjalë, këta dy poetë të mëdhenj ruajtën formën e vjetër të poezisë arabe dhe montimin e vjetër arab të vargjeve. Mirëpo është me rëndësi të përmendet se këta poetë, duke shkuar pas hapave të Al-Barudit, prekën problemet shoqërore por në mënyrë recitative. Mirëpo perceptimi i tyre dhe pozita e tyre klasore nuk i lejuan ta shohin rrjedhën e drejtë të zhvillimit shoqëror e të çlirohen prej kornizës filozofike të klasës sunduese, që shprehën perceptimin e vet për botën. Megjithatë, ndikimi i Ahmed Shaukit, të cilin e quajtën “mbret të poetëve”, dhe i Hafizit, ishte shumë i madh dhe vazhdonte deri në Luftën e Dytë Botërore.

Pas kësaj gjenerate, e cila e njihte letërsinë evropiane në mënyrë të tërthortë, kryesisht me anë të përkthimeve arabe, erdhi gjenerata e re e cila i dinte shumë mirë gjuhët evropiane, sidomos anglishten dhe frëngjishten, dhe njihte poezinë evropiane drejtpërdrejt. Të gjitha drejtimet në poezinë evropiane u bënë të njohura në poezinë arabe, kuptohet me pak a më shumë vonesë. Ndikimet evropiane në poezinë arabe erdhën kryesisht nëpër Liban. Libanezët ishin të parët që zbuluan drejtimet ideore dhe letrare që ishin zotëruese në letërsi. Pas pengesave të ndryshme, përpjekjeve të qëlluara dhe jo të qëlluara, etapa të huazimit dhe adaptimit, u paraqitën në Liban dy drejtime themelore: i pari nën ndikim të romantizmit dhe i dyti nën ndikim të simbolizmit. Të dy drejtimet u paraqitën gati në të njëjtën kohë, përkundër asaj se në Francë romantizmi u paraqit shumë më herët sesa simbolizmi. Në mesin e poetëve ka pasur të tillë të cilët ishin krejtësisht nën ndikimin e drejtimit të parë dhe e ndiqnin atë, si dhe të tillë të cilët ishin nën ndikimin e drejtimit të dytë që i frymëzoi ata, kurse ka pasur edhe të tillë që ishin nën ndikimin e dy drejtimeve, por nuk e përqafuan njërin prej tyre, duke u luhatur midis tyre e duke marrë diçka prej të parit e diçka prej të dytit.

Duhet të përmendet këtu se ndonjëherë këto dy drejtime ushtruan ndikimin e tyre me vetëdije, e ndonjë herë pa vetëdije, gjë që hapi rrugën për zhvillimin e kritikës letrare dhe estetike, me ide të huazuara po ashtu nga Perëndimi.

Për depërtimin e romantizmit, një kontribut të madh e kishte poezia libaneze-amerikane, e cila lulëzoi në SHBA dhe në Brazil. Poetët e kësaj shkolle, të cilët ishin mërgimtarë arabë nga Libani dhe Siria, nën ndikimin e poezisë anglo-saksone e kanë freskuar në masë të madhe poezinë arabe dhe luajtën një rol të rëndësishëm në pranimin e formave të reja poetike dhe motiveve të reja. Më së shumti vazhdoi drejtimi romantik, i cili në poezinë arabe merret kryesisht me përshkrimin e dashurisë, të së bukurës dhe natyrës. Kjo shkollë ndikoi jo vetëm te libanezët, por edhe te poeti i madh tunizian Abu al-Kasim al-Shabi, sidomos në poezinë egjiptiane. Nën ndikimin e romantizmit ishin poetët e mëdhenj egjiptianë Halil Mutran, Al-Akkad, Abdulrahman Shukri dhe shkolla rreth revistës “Apolo”, e cila dilte në vitet ‘30. Poezia e romantikëve egjiptianë karakterizohej me pikëllim dhe pesimizëm. Poetët e drejtimit romantik, sidomos Al-Shabi dhe Mutran, futën risi të caktuara në mënyrën e rimomitmit të poezisë, por nga poezia e vjetër e morën metrikën dhe kompozicionin e vargut, e në këtë kornizë të vjetër futën përmbajtje të re nën ndikimin e poezisë evropiane. Edhe pse kjo poezi e cila u zhvillua para Luftës së Dytë Botërore kishte mjaft sukses, megjithëse disa përfaqësues të kësaj poezie si Mahmud Ali Taha duke falënderuar më shumë talentin sesa arsimin e tyre, krijuan stilin e gjuhën e veçantë krijuese, ajo lëvizje u shndërrua pas Luftës së Dytë Botërore në një lloj anakronizmi, shprehje e pikëpamjeve të vjetra shoqërore. Kështu, siç u shpreh kritiku letrar egjiptian përparimtar Mahmud Emin al-Alim, “në poezinë e tyre u pasqyruan kontradikta të jetës së borgjezisë së vogël, shpresa dhe vuajtje të saj, zhdukja e paqes së vet, mospjesëmarrja në luftën që u zhvillua rreth saj”. Edhe pse drejtimi romantik ishte i fortë, për shkak të izolimit të vet nga ngjarjet politike, shoqërore dhe nacionale që u paraqitën pas Luftës së Dytë Botërore në botën arabe, nuk arriti të vazhdojë dhe u shua vetvetiu.

Sa i përket simbolizmit, ai mori në Liban disa veçori. Simbolizmi libanez nuk është sikurse në letërsinë franceze, i cili solli kthesë në formë dhe në përmbajtje. Përfaqësuesi i tij më i mirë, Seid Akl, i cili ende është aktiv në jetën letrare, pranoi vetëm disa qasje në formësimin e vjershave, duke treguar tendenca për theksimin e arsyes. Megjithatë, ai krijoi një shkollë të re rreth vetes. Simbolizmi në poezinë arabe do të arrinte kulmin në poezinë e poetit egjiptian Bishr Faris (vdiq më 1963), një nga poetët më të arsimuar dhe më subtilë arabë. Paraqitja e simbolizmit kishte domethënie, sepse me të filloi diskutimi rreth drejtimeve letrare dhe u shtruan shumë çështje të estetikës jo vetëm në lidhje me poezinë evropiane, por edhe me letërsinë arabe dhe lidhjet e tij me poezinë evropiane. Kritikët arabë morën kryesisht një qëndrim negativ ndaj simbolizmit. Kështu, kritiku letrar Anton Gatas Karam në librin e tij “Simbolizmi në letërsinë bashkëkohore arabe” thotë se “arabët janë materialistë dhe realistë në jetën dhe në fenë e tyre, dhe poezia e tyre më shumë anon nga qartësia dhe realiteti sesa nga paqartësia dhe abstraksioni”, kurse Ahmad Hasan az-Zajat thotë se simbolizmi “është një produkt i huaj, i papranueshëm për gjuhën arabe, një gjuhë plot diell të nxehtë, horizont të gjerë e të madh, shkretëtirë të përgjumur dhe jetë beduine të thjeshtë”. Natyrisht, ndikimi i poezisë evropiane nuk përmblidhet vetëm me romantizmin dhe simbolizmin. Po ashtu, edhe impresionizmi, nadrealizmi, realizmi socialist dhe ekzistencializmi gjetën ithtarë të vet në poezinë arabe. Duket se më pak gjurmë kishte nadrealizmi, të cilin e përqafoi vetëm një grup i vogël poetësh libanezë, por ata mbetën të izoluar dhe nuk arritën të mbaheshin. Sa i përket ekzistencializmit, tash është në modë të madhe dhe të duket se ndikimi i tij do të ishte i madh, por më shumë në prozë sesa në poezi.

Përktheu nga serbokroatishtja: Muhamed Mufaku. Fragment nga një studim i gjatë që përfshihet në vëllimin IX, “Letërsia arabe: Studime-Vështrime-Përkthime" të veprave të Hasan Kaleshit (1922 – 1976) që del në fund të vitit