“The barking of the clouds does not hurt the dogs”, është titulli i ekspozitës së parë personale të Driton Selmanit në Maqedoninë e Veriut, e hapur në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup. Gjenealogjia e titullit është te një poezi e Baudelaireit, por s’ka të bëjë vetëm me të. Selmani, një prej artistëve më të njohur të gjeneratës së tij, bën art edhe me një “aksident” në Muze, një fotografi familjare merr krejt tjetër kuptim. Mbi të gjitha, ai zbret retë, te lehjet e qenve kërkon enigmat. Por, arti i tij edhe në këtë ekspozitë i flet së tashmes, momentumit
“Pain, pain, go away, come again another day”, e shkruar tri herë rresht në dërrasë të gjelbër, është vendosur në mes të barit në anën e djathtë të oborrit të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup. Është njëra prej veprave të njohura të Driton Selmanit e quajtur “Weather forecast”, e prezantuar më herët edhe në Prishtinë. Tash është lajmëtarja e hershme e ekspozitës së Driton Selmanit, e para personale në Maqedoninë e Veriut.
Te dera e Muzeut janë vendosur afishet ku lajmërohet ekspozita “The barking of the clouds does not hurt the dogs”, e hapur të premten mbrëma. Mbrapa shkronjave të titullit të ekspozitës vizitorët mund të shohin të vizatuara ca re dhe disa qen. Janë vizatuar prej të bijës së tij, Herës. Por, ky është vetëm fillimi i shpalosjes së ironisë, mesazheve të fuqishme edhe politike të këtij artisti.

Pikënisja prej letrave të dashurisë deri te dora e Vuçiqit
Me të hyrë në sallën ku gjenden veprat dhe instalacionet e Selmanit, ato që bien në sy janë të famshmet “Love letters”. Bënë bujë edhe në bienalen nomade evropiane, “Manifesta 14”, e mbajtur deri javën e kaluar në Prishtinë. Kishin zënë vend në hotelin “Grand”. Megjithëse janë vazhdimësi e “Love letters” – qese ngjyrash të llojllojshme mbi të cilat Selmani ka shkruar thënie të ndryshme të cilat në fund i ka kornizuar – katër letrat e reja të dashurisë tani përbëjnë vepra të reja, të paekspozuara më parë. Kësaj here brenda xhamave janë përjetësuar edhe thëniet “My borders, your bothers”, “Our past is our common future”, “Fake but true” dhe “Anytime I visit future, I bring my futures self back to help me”. Përzgjedhjen e këtyre thënieve Selmani e ka bërë enkas duke qenë i vetëdijshëm se ato do të jenë të ekspozuara në Maqedoninë e Veriut.

“The barking of the clouds does not hurt the dogs” (Lehja e reve nuk i lëndon qentë) është rezultat i MOCA-Skopje 2021, “Bienalja e të Rinjve” ku Çmimi i artistëve për ekspozitë solo i ishte ndarë Driton Selmanit. Ekspozita ngërthen më vete një sërë veprash të cilat janë ekspozuar më parë, vepra të adaptuara dhe vepra të punuara enkas për këtë ekspozitë.
Në të vizitorët do të mund të shohin disa forma të artit, përfshirë pikturën, vepra audiovizuale, instalacione e shumë miksime të tjera të cilat i shkojnë për shtat artit bashkëkohor që po krijohet sot nëpër botë.
Një pikturë e cila duket sikur të ishte ofruar me zoom, është njëra nga veprat që Selmani ka realizuar enkas për këtë ekspozitë. Shihet një dorë e shtrirë mbi hartë e që, siç duket, shpjegon kufijtë e shteteve.
“Sinister hand” (Dora ndjellakeqe) është titulli i saj ndërsa motivimi për ta punuar këtë pikturë ka një histori më vete. Një shoqe e Selmanit e cila kishte punuar për “The Washington Post” do ta intervistonte presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga një foto e shkrepur gjatë asaj interviste, Selmani kishte vërejtur se Vuçiqi mbante para vetes një hartë. Do ta merrte atë foto, do ta zmadhonte dhe më pas do të pikturonte mbi të në teknikën vaj në pëlhurë.

Dëshirat pa dalje në det dhe një fotografi familjare
“Landlocked deep desires” (Dëshirat e thella pa dalje në det) është një vepër tjetër që artisti e shpalos së pari. Të gjitha shkronjat të cilat së bashku formojnë fjalinë “Landlocked...” qëndrojnë të varura me anë të penjve që pothuajse nuk shihen fare, ndriçuar me ngjyrë të bardhë. E vendosur tejpërtej faqes së majtë të sallës, shkronjat krijojnë një imazh mbresëlënës. Vepra do të ekspozohet vetëm në vende që nuk kanë dalje në det, ka shpjeguar vetë artisti.
Vend qendror zë edhe instalacioni “The barking of the clouds does not hurt the dogs”. Poshtë saj gjenden ca xhama të thyer, të cilët ishin thyer nga ndërhyrjet në Muze, por që Selmani kishte vendosur t’i linte aty me qëllim që xhamat të simbolizojnë retë e zbritura në tokë.
Si risi e kësaj ekspozite është edhe një fotografi e vjetër familjare e autorit të ekspozitës. Në fotografi mund të shihet një plak me plis të bardhë i cili është gjyshi i autorit së bashku me djalin e tij, xhaxhin e Dritonit. Xhaxhai i tij gjendej i shtirë në spital, ku si pasojë e tërmetit të 1963- tës në Shkup ai kishte mbetur invalid. “Doppelschlag” (Goditje e dyfishtë) është titulli i saj, i cili nënkupton se përveçse familja e Selmanit kishte mbetur me një invalid si pasojë e kësaj, ajo edhe ishte varfëruar.
Afera me poezinë dhe dialogu midis Prishtinës dhe Shkupit
Ekspozitën e tij të parë personale në Maqedoninë e Veriut – qytet me të cilin thotë të ketë lidhje të ngushtë emocionale, sepse qysh si fëmijë kishte shkuar për të blerë gjëra që nuk i gjente në Kosovë – e ka konsideruar si dialog midis Prishtinës dhe Shkupit.
“Muzeu i Artit Bashkëkohor është një institucion shumë serioz i vetë shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe e gjithë ekspozita është si dialog mes pozicionit tim si artist në Prishtinë tani, por edhe si duket e tjerr njëfarë lloj nostalgjie prej nga vij dhe kjo i ka dhënë shtysë me provu qoftë edhe të paktën një vepër specifike, e cila është duke u prezantuar sot për herë të parë në ekspozitën time të parë personale në Shkup”, ka thënë Selmani.
Ndërkaq titulli “The barking of the clouds does not hurt the dogs” ka një histori më vete, e cila lidhet me marrëdhënien e Selmanit me poezinë.
“Titulli ka rrjedhë shumë natyrshëm. Unë shumë vonë e kam filluar një aferë me poezinë, por tash ka shumë rëndësi, ndoshta edhe me një fjalë të vetme vërej diçka dhe ndonjëherë inspirohem shumë prej poezive. Më ka inspiruar shumë poezia ‘Stranger’ e Charles Baudelaire, sidomos pasazhi i fundit ku njeriu enigmatik thotë që gjëja më e rëndësishme për të janë retë që shkojnë e vijnë. E unë shpesh e shoh veten duke gjetur shumë inspirim në ato re por, kam dashur ta dredh pak edhe me aspektin që unë jam i Kosovës, regjioni ku unë jetoj dhe punoj është turbulent dhe shpesh ka shumë fërkim e shpesh fakti se kush po leh, a po lehin qentë apo retë është shumë i përzier”, ka shpjeguar ai.
Por, kjo nuk është e tëra. Për të arritur në përzgjedhjen e këtij titulli, Selmani kishte tentuar arritjen e abstraktes.
“Kështu që e kam kthyer në diçka tjetër duke inspiruar edhe prej një thënieje të një populli berber, popull që jeton në Afrikën e Veriut të cilët thonë se: ‘Retë nuk mërziten pse qentë lehin’. Unë mendoj që është e kundërta. Nëse dikush mendon që është shume abstrakte, është që jemi duke jetuar në një momentum ku jemi në nëntor dhe temperaturat janë shumë të larta. Por, jemi në nëntor dhe shumë punë janë lënë pa kryer edhe në anën sociale, edhe politike, sidomos në hapësirën ku ne jetojmë, edhe kam dashur ta shfrytëzoj poezinë për ta vendosur në nivel edhe më abstrakt hyrjen në ekspozitë”, ka thënë Selmani.
Një arsye e madhe për ta vizituar Muzeun e Artit Bashkëkohor në Maqedoninë e Veriut e ka konsideruar ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrullah Çeku, ekspozitën e artistit Driton Selmani.
“Për të parë një ekspozitë të jashtëzakonshme të kuruar nga një ekip kuratorësh, ekspozita e artistit tonë shumë aktiv, shumë konceptual, Driton Selmani, njëri nga më të mirët dhe më aktivë që kemi në skenën e artit bashkëkohor, i cili bën punë të jashtëzakonshme në Kosovë dhe jashtë saj”, ka vlerësuar ministri Çeku.
Duke folur për rëndësinë e kësaj ekspozite, Çeku ka bërë të ditur se shumë shpejt pritet edhe finalizimi i një marrëveshjeje midis Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës.
“Jam shumë i lumtur që përmes Dritonit dhe përmes kësaj ekspozite po e fuqizojmë bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që është edhe një angazhim i përbashkët dhe i ministres së Kulturës së Maqedonisë së Veriut. Shumë shpejt do ta kemi edhe një konkretizim të këtij bashkëpunimi, të kësaj marrëveshjeje dhe po besoj që do të kemi mundësi të reja për të shkëmbyer art, artistë dhe punë të mira mes dy vendeve tona dhe dy skenave artistike”, ka njoftuar Çeku.
Çeku ka vlerësuar edhe rëndësinë e hapjes së ekspozitave jashtë shtetit të Kosovës sepse, sipas tij, artistët janë përçuesit më të mirë të identitetit.
“Mendoj se arti dhe artistët janë përçuesit më të mirë të asaj çfarë jemi ne në identitetit tonë, të historisë sonë, të ëndrrave tona nëpër botë dhe punën që e bën Dritoni dhe shumë artistë të tjerë, jo vetëm artistë bashkëkohorë, por edhe shumë të tjerë, janë një angazhim i jashtëzakonshëm me shumë vlerë për vendin tonë dhe me shumë mirënjohje nga institucionet tona”, ka thënë ai.

Ekspozita e Driton Selmanit “The barking of the clouds does not hurt the dogs”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 25 shkurt të vitit 2023, ka tre kuratorë: Vladimir Janchevski, Iva Dimovski dhe Blagoja Varoshanec.
Lidhur me këtë bashkëpunim njëri ndër kuratorët e ekspozitës, Vladimir Janchevski, u shpreh tejet i kënaqur që kishte pasur mundësi të punojë me Selmanin dhe për faktin se ai qe shpallur fitues i Bienales së vitit të kaluar.
Duke folur për Selmanin, Janchevski ka thënë se kjo ekspozitë përbën vetëm një fillim të ri të asaj që më pas pritet të sjellë edhe shumë risi e bashkëpunime të reja midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ka një histori të madhe dhe është mirë që Dritoni di shumë për këtë Muze, për themelimin e tij, për koleksionin e tij dhe për këtë moment shumë të veçantë edhe në karrierën e tij. Ai është 35 vjeç dhe ne po bëjmë shaka për faktin se ai nuk është më një artist i ri, por ky është një fillim i ri, është një derë e hapur për të jo vetëm për këtë ekspozitë, por për të hyrë në dialog me këtë hapësirë të veçantë me qytetin e tij të veçantë. Është një bashkëpunim mes Prishtinës dhe Shkupit, Kosovës dhe Maqedonisë dhe dy skenave artistike”, ka bërë të ditur ai, duke pohuar fjalët e mëparshme të ministrit Çeku.
Tutje kuratori maqedonas Janchevski ka folur edhe për skenën artistike kosovare.
“Jemi të vetëdijshëm se artistët kosovarë përbejnë një skenë shumë të gjallë. Jemi në komunikim me kuratorët, institucionet dhe shumë artistë të rinj dhe kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me shumë projekte të reja e të ndryshme”, ka vlerësuar Janchevski.
Selmani ka përfunduar studimet master në Universitetin e Arteve në Bournemouth. Sipas kritikës, Selmani i qaset idesë së realitetit të perceptuar duke zbërthyer formacionet shoqërore, politike dhe tema kulturore që janë mishëruar rreth tij. Në moshë të re, ai kishte thënë se adhuronte një vend që nuk ekzistonte më, gjë që bëri që ai të formonte bazën e skepticizmit ndaj çdo realiteti të supozuar. Më vonë ai e përdori këtë si një mjet të dobishëm për të rindërtuar besimet e tij në artefakte pamore.
Ka ekspozuar individualisht dhe në grup: në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Prishtinë, në muzeun “Ludwig” në Budapest, në “Kunstraum Niederosterreich” në Vjenë, “Bienalja e Mesdheut 16” në Ankona, “U10” në Beograd, “Fabbrica del Vapore” në Milano, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Selanik, në “Manifesta 14” në Prishtinë e të tjera.