Shtojca për Kulturë

Nobelistja Annie Ernaux – shkrimtare e thellësisë personale

Descriptive Text

Vendimi i komitetit të “Nobelit” për ta shpërblyer një shkrimtare, vepra e së cilës është e thurur nga përvoja tejet personale dhe shpesh e zakonshme, ishte zgjedhje e habitshme. Vepra e Ernaux u ka folur veçanërisht grave dhe të tjerëve që, si ajo, vijnë nga klasa punëtore e shoqërisë, me një qartësi që rrallë e gjejmë në letërsi: ajo ka përshkruar edukimin e saj në një qytet të vogël në Normandi, një abort të paligjshëm që pati në vitet 1960, pakënaqësinë me përditshmërinë, dhe një aferë pasionante jashtëmartesore

Për dekada të tëra, shkrimtarja franceze, Annie Ernaux, ka zbërthyer momentet më poshtëruese, më private dhe më skandaloze të së kaluarës së saj dhe këtë e ka bërë me saktësi prej kirurgeje: “Unë duhet të bëj një studim etnologjik për veten”, shkroi ajo në veprën e vitit 1997 “La Honte”, ku rrëfen kujtimet e saj.

Të enjten, për veprën e saj iu dha një nga nderimet më të larta në letërsi, çmimi “Nobel”. Vepra e Ernaux u ka folur veçanërisht grave dhe të tjerëve që, si ajo, vijnë nga klasa punëtore e shoqërisë, me një qartësi që rrallë e gjejmë në letërsi: ajo ka përshkruar edukimin e saj në një qytet të vogël në Normandi, një abort të paligjshëm që pati në vitet 1960, pakënaqësinë me përditshmërinë, dhe një aferë pasionante jashtëmartesore.

Vendimi i komitetit të “Nobelit” për ta shpërblyer një shkrimtare, vepra e së cilës është e thurur nga përvoja tejet personale dhe shpesh e zakonshme, ishte zgjedhje e habitshme.

“Ne gratë, jemi të barabarta në liri, në pushtet”

Mats Malm, sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, në një konferencë shtypi në Stokholm, bëri të ditur fituesin, duke lavdëruar “guximin dhe mprehtësinë me të cilën zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.

Në një konferencë shtypi nga zyrat e botuesit të saj në Paris, Ernaux, 82 vjeçe, premtoi se do të vazhdonte të shkruante. “Marrja e çmimit ‘Nobel’ për mua do të thotë përgjegjësi për të vazhduar tutje”, ka thënë ajo.

Veçanërisht ajo ndihej e detyruar, të vazhdonte të shkruante për pabarazinë dhe betejat me të cilat përballen gratë. “Duke folur nga pozita ime si grua”, ka thënë ajo, “...nuk më duket se ne, gratë, jemi të barabarta në liri, në pushtet”.

Ernaux është vetëm gruaja e 17-të që i është dhënë çmimi “Nobel”, i cili që nga themelimi, më 1901 u është dhënë 119 shkrimtarëve. Ajo është gruaja e dytë që merr këtë çmim në tre vjetët e fundit, pas poetes amerikane Louise Glück, më 2020.

Ndonëse në fillet e para të karrierës shkroi trillime autobiografike, Ernaux shumë shpejt hoqi dorë nga tentimi për të shpikur tema dhe filloi të shkruante kujtime, ani pse shpesh është përballur me etiketime drejtuar veprës së saj si e trilluar apo faktike.

“...e megjithatë këto janë vepra të jashtëzakonshme të imagjinatës”

“Gjithçka që ajo shkruan, çdo fjalë, është e drejtpërdrejtë dhe plotësisht e vërtetë”, ka thënë Dan Simon, themeluesi i Seven Stories Press, i cili për 31 vjet ka botuar veprat e Ernaux në anglisht. “E megjithatë këto janë vepra të jashtëzakonshme të imagjinatës”.

Përvojat për të cilat ajo shkroi në vitet 1980 dhe 1990 – një shtatzëni dhe abort i padëshiruar, aferat e dashurisë, ambivalenca e saj rreth martesës dhe amësisë – u konsideruan tronditëse nga disa konservatorë socialë, por rezonuan thellë nga lexuesit e shumtë.

Shkrimin e vet Ernaux e ka cilësuar si akt politik, që synon të zbulojë pabarazinë e rrënjosur sociale ndërsa gjuhën që përdor e ka krahasuar me përdorimin e “një thike”. Ajo u ndikua nga Simone de Beauvoir, sociologu Pierre Bourdieu dhe nga trazirat sociale të majit të 1968-ës, kur për disa javë në Francë pati demonstrata, greva dhe trazira civile. Ajo e ka përshkruar prozën e saj si “brutalisht direkte, të klasës punëtore dhe ndonjëherë të turpshme”.

Shpesh në vepra përfshiu përvojat dhe kujtimet e veta personale në një kontekst me kulturën dhe shoqërinë franceze, duke tërhequr paralele mes jetës së saj dhe betejave më universale të grave dhe njerëzve të klasës punëtore. Puna e saj kapi një moment ndryshimi intensiv shoqëror në Francë, larg vlerave tradicionale katolike dhe drejt zakoneve më laike, tolerante dhe seksualisht të çliruara.

“Ajo dëshiron të flasë për universalen nëpërmjet të veçantës”

“Vendimi për ta vendosur veten dhe jetën e saj në qendër të pyetjeve të mëdha të ndryshimeve shoqërore në Francë, si fillim ishte shumë sfidues”, ka thënë romancieri Hari Kunzru, i cili shpesh u ligjëron për veprat e Ernaux studentëve të Universitetit të New Yorkut. “Për institucionet letrare, një grua e klasës punëtore nga veriu i Francës nuk duhet ta bëjë këtë, dhe megjithatë ajo ka një qëndrim shumë të fuqishëm. Ajo dëshiron të flasë për universalen nëpërmjet të veçantës”.

Ernaux lindi në vitin 1940 dhe u rrit në një familje katolike të klasës punëtore në Yvetot, një qytet i vogël në Normandi, ku prindërit e saj kishin një dyqan ushqimesh dhe një kafene. Babai i saj ishte i dhunshëm dhe abuziv madje kur ishte 12 vjeçe, ajo e pa të tentonte ta vriste nënën e saj, ngjarje për të cilën shkruan me një direktivë tronditëse në “Shame”.

“Babai u përpoq të vriste nënën time një të diele qershori, në pasditen e hershme”, thuhet në rreshtin e parë.

Ajo u përpoq të shkruante në universitet, por botuesit e refuzuan librin e saj si “shumë ambicioz”, kishte thënë ajo për “The New York Times” në vitin 2020. Ajo nuk rifilloi të shkruante deri në të 30-at, kur ishte nënë e martuar me dy fëmijë, dhe duke punuar si mësuese e frëngjishtes.

Kjo përpjekje çoi në debutimin me “Les Armoires”, më 1974, një roman thellësisht autobiografik të cilin ajo e shkroi në fshehtësi nga i shoqi, i cili e nënçmoi shkrimin e saj. Pasi ia shiti librin një shtëpie botuese prestigjioze, “Gallimard”, burri i saj u zemërua që ajo e kishte fshehur projektin, duke pretenduar se po punonte për tezën e doktoratës. Martesa u prish menjëherë pas botimit të librit të saj të tretë, “La Femme gelée” (Një grua e ngrirë), më 1981, i cili eksploronte shqetësimin e saj me martesën dhe mëmësinë. Pas divorcit të tyre, Ernaux nuk u martua më kurrë dhe tha se preferonte lirinë e të jetuarit vetëm.

Në vitin 1992, kur publikoi romanin, “Passion simple” ( i përkthyer edhe në shqip “Pasion i thjeshtë” v.j.), një libër që detajonte lidhjen e saj me një diplomat të huaj të martuar, Ernaux korri sukses të madh komercial në Francë. Për shkak të përshkrimit real të dëshirës femërore, vepra shkaktoi zemërim të madh te konservatorët socialë, por për portretizimin e sinqertë të dëshirës seksuale, pa miratim moral, ajo goditi një numër të madh lexuesish. Libri u shit në 200 mijë kopje në dy muajt e parë.

“Burrat dhe gratë më besuan mua, më thanë se do të dëshironin ta shkruanin atë libër”, ka thënë Ernaux për “The Times” më 2020.

Ernaux ka shqyrtuar dhe rishqyrtuar shpesh të njëjtat ngjarje të jetës së saj, nga këndvështrime të ndryshme. Kujtimet e vitit 2000, “L'Événement”, janë një rrëfim i zymtë i abortit të vitit 1963 si studente kolegji, një ngjarje e rëndësishme që fillimisht u përpoq ta trajtonte si fiksion, në “Les Armoires vides”. Pasi përshkroi lidhjen me diplomatin e martuar në “Pasion i thjeshtë”, ajo më vonë u dha lexuesve një pasqyrë të pafiltruar të asaj marrëdhënieje kur publikoi ditarët e saj, të cilët përfshijnë shënime nga viti 1988 e deri më 1990, në një vëllim të titulluar “Se perdre”. “Drejtësia pothuajse primitive e zërit të saj është e fortë” shkroi kritiku i “Times”, Dwight Garner, në recensionin për librin. “Është sikur ajo çdo fjali po e gdhend me thikë në sipërfaqen e një tavoline”.

“Unë jam e pajisur nga kujtesa e madhe e turpit”

Iu deshën dekada që të shkruante për një nga ngjarjet më të rënda të jetës së saj - një përvojë seksuale konfuze që pati në verën e vitit 1958, kur ishte 18 vjeçe, e cila e la atë të ndihej e turpëruar dhe e braktisur, dhe rezultoi në depresion dhe çrregullim në të ngrënit. “Unë jam e pajisur nga kujtesa e madhe e turpit, më e detajuar dhe më e paepur se çdo gjë tjetër, një dhuratë unike për turpin”, shkroi ajo në ato kujtime, “A Girl’s Story”.

Studiues, kritikë dhe shkrimtarë të shumtë e kanë vlerësuar punën e saj për mënyrën se si ajo lidh kujtesën individuale me përvojën kolektive, veçanërisht për gratë dhe për shoqërinë e klasës punëtore. Ernaux gjithashtu përmbysi edhe supozimet e asaj se çfarë mund të ishte letërsi, ka thënë shkrimtari francez, Édouard Louis, autori i “The End of Eddy”.

“Ajo arriti një revolucion formal jashtëzakonisht të rëndësishëm në letërsi, larg metaforave, fjalive të bukura dhe personazheve”, ka thënë Louis, i cili shkruan për rrënjët e vetë klasës së tij punëtore. “Annie Ernaux nuk u përpoq të përshtatej në përkufizimet ekzistuese të letërsisë, për atë që është e bukur: ajo doli me të sajat”.

Teksa Ernaux ka kohë që admirohet në Francë dhe është përkthyer qe disa dekada, ajo nuk fitoi shumë njohje në botën anglishtfolëse derisa kujtimet e saj "The Years" u futën në listën e ngushtë për “Man Booker Internatinal” më 2019. Libri shërben si rrëfim i përvojës së Ernaux, si një kujtim brezash të Francës së pasluftës, dhe kap zhvendosjen drejt çlirimit seksual dhe konsumimit.

“Kjo është një autobiografi ndryshe nga ato që keni lexuar deri tani; ju mund ta quani autobiografi kolektive”, shkroi Edmund White në “The New York Times”.

Adhuruesit e Ernaux thonë se zakonshmëria e përvojave që ajo tregon është njëri ndër elementet më të rëndësishme që veprën e Ernaux e bën kaq të jashtëzakonshme. Ajo shkruan për monotoninë e martesës dhe mëmësisë, konfuzionin dhe ambivalencën mbi përvojën e saj të parë seksuale, trishtimin e rëndë kur e sheh prindin e moshuar të përkeqësohet e të tjera.

“Toni i saj është jashtëzakonisht josentimental, edhe kur flet për tema të rënda”, ka thënë shkrimtarja Francine Prose, e cila ka pohuar se ka qenë lexuese e Ernaux për dekada. “Nuk mund të mendoj për dikë që i ngjanë asaj, pikë. Nuk mund të thuash me të vërtetë cilit zhanër i takon, nuk është autofiksion, të them të drejtën nuk mund t’i quash as kujtime. Është sikur ajo shpiku zhanrin e saj dhe e përsosi atë”.

Akademia Suedeze është përpjekur ta rrisë barazinë midis autorëve të shpërblyer dhe atyre që kishte në konsideratë t’i shpallte fitues, pasi u përball me kritika se, para publikimi të fituesit të së enjtes, 95 nga 118 laureatët e fundit të “Nobelit” ishin evropianë ose amerikano-veriorë dhe vetëm 16 gra.

Anders Olsson, kryetar i Komitetit të Akademisë së Nobelit, mbrojti zgjedhjen e një shkrimtari tjetër evropian, duke thënë në një konferencë shtypi të enjten se kishte mungesë të laureateve femra dhe se “fokusi duhet të jetë para së gjithash te cilësia letrare”.

Për Ernaux, kujtesa dhe përvoja personale nuk janë diçka që duhet nxjerrë dhe shkruar një herë, por diçka që duhet rishikuar dhe interpretuar vazhdimisht.

“Për mua, të shkruarit ishte dhe mbetet mënyrë për të hedhur dritë mbi gjërat që dikush ndjen, por që janë të paqarta”, ka thënë ajo në konferencën për shtyp. “Të shkruarit është një rrugë drejt njohjes”.

Marrë nga: “The New York Times”. Përktheu: Mirjetë Sadiku